Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
A shërohet ndonjëherë psoriaza?
Gjergj Bojaxhi: Edhe Veliaj, edhe Kosova janë njësoj!
Poezia juaj...

Gjergj Bojaxhi: Edhe Veliaj, edhe Kosova janë njësoj!

Blerina Çizmja: – Zoti Gjergj, kandidatura juaj për kryetar të bashkisë së Tiranës u shpall e para, pa njohur më parë se kush do të ishin kundërshtarët tuaj. U penduat pasi u njohët me ta?

Gjergj Bojaxhiu: – Emrat e kandidatëve të tjerë nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe për aq kohë sa përfaqësojnë dy partitë kryesore. Për çerek shekulli, këto dy parti kanë treguar se janë shkaktarët dhe jo zgjidhja e problemeve të Tiranës. Prandaj ne mendojmë se më 21 qershor, qytetarët do të votojnë, ose për ta ricikluar pushtetin klientelist të këtyre partive, ose për ta rimarrë Tiranën në duart e veta.

– Cilin konsideroni rivalin tuaj më të fortë në këtë garë dhe pse?

Advertisement

– Për mua, janë të dy njësoj; nuk shoh asnjë dallim mes tyre. Që të dy u emëruan pa asnjë transparencë nga kryetarët e partive të tyre. Që të dy përfaqësojnë dy parti që e kanë shfrytëzuar qytetin për interesat partiake ose financiare. Nga ana tjetër, kandidatura ime është mbështetur nga rreth 14.000 qytetarë që nënshkruan kërkesën për kandidimin tim.

– Cilat janë anët pozitive dhe ato negative të rivalëve tuaj?

– Kandidatët e emëruar nga dy partitë nuk janë agresivë si pjesa tjetër e partisë dhe kjo mund ta bëjë fushatën më të qetë. Mirëpo nga ana tjetër, në thelb kjo nuk ndryshon asgjë. Të dy po kandidojnë për nënkryetarë bashkie, sepse nëse ndonjëri prej tyre do të fitonte, kryetar bashkie do të ishte shefi përkatës.

– Po anët tuaja pozitive dhe negative?

– Kjo nuk është nisma ime, por e një grupi qytetarësh të angazhuar që quhet “Ne, Tirana”. Nisma e këtij grupi u mbështet nga mijëra qytetarë të Tiranës që nënshkruan për kandidimin tim. Këta qytetarë nuk janë të motivuar nga interesat personalë, vendet e punës apo tenderat, por nga dhimbja për qytetin që lëngon prej vitesh prej politikës klienteliste. Unë nuk varem nga një kryetar partie dhe as nga paratë e bizneseve, por nga besimi i mijëra qytetarëve. Mbështetja dhe besimi i tyre janë forca ime.

Në dhjetë vitet e fundit kam treguar integritetin, ndershmërinë dhe përkushtimin tim ndaj interesit publik. Këto cilësi dëshiroj t’i vë në shfrytëzim të qytetit ku rriten fëmijët e mi dhe të gjithë Tiranës.

– Ju nënvizoni dhe e poziciononi gjithmonë veten veten nga ana e qytetarëve, duke thënë se jeni jo një politikan, por një qytetar që kërkon të “rikthejë Tiranën në duart e qytetarëve”, pasi ata janë zhgënjyer nga forcat politike. Kjo do të jetë edhe arma juaj më e fortë në këtë fushatë?

– Arma më e fortë do të jetë komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët. Ne po bëjmë fushatën më të lirë ndonjëherë, sepse nuk pranojmë financime nga ata që nesër mund të kërkojnë përfitime në kurriz të interesit publik. Kemi kërkuar ndihmën e qytetarëve për donacionet. Rreth 150 qytetarë punojnë çdo ditë vullnetarisht dhe pa asnjë shpërblim për përgatitjen e fushatës, sepse besojnë në parimet dhe vlerat tona. Mesazhet tona video përgatiten me telefon të thjeshtë celular dhe jo nëpër studio të shtrenjta. Këshilltarët tanë janë njerëzit e thjeshtë që na tregojnë për çfarë kanë nevojë dhe ekspertë që na ndihmojnë të identifikojmë zgjidhje. Ndryshe nga kandidatët e tjerë, ne nuk kemi agjenci të huaja dhe super të shtrenjta marrëdhëniesh publike që të bëjnë fushatën tonë. Nuk do ta përmbysim Tiranën me postera, sepse nuk duam të ndotim qytetin, ndërkohë që premtojmë një qytet më të pastër. Ne besojmë tek interesi i qytetit, ndërsa ata besojnë tek interesat e partive.

– Konkretisht, cili është sipas jush interesi i qytetit dhe çfarë do ti ktheni qytetarit tiranas?

– Në gati çerek shekulli, partitë kryesore e kanë shfrytëzuar qytetin në interes të tyre duke monopolizuar politikën. Ne synojmë t’u kthejmë qytetarëve pushtetin duke e çliruar bashkinë nga intesat e partive dhe një grupi biznesesh të lidhura me to, që fitojnë në kurriz të interesit publik. Do t’u kthejmë gjithashtu qytetarëve hapësirat publike që u janë gllabëruar vit pas viti me bashkëpunimin e heshtur të të dyja palëve. Do ta përdorim bashkinë për ta bërë qytetin të jetueshëm e dinjitoz dhe jo një fjetore të pisët në një pyll betoni.

– Çfarë premtoni se do të ndreqni në këtë Tiranë që ka jo pak gjëra për tu ndrequr?

– Ne do të paraqesim një program të plotë për Tiranën me fillimin e fushatës. Nuk do të premtojmë mrekullira dhe as projekte fantastiko-shkencore. Do të merremi me problemet madhore të qytetit: ndotjen, trafikun, parkimin e munguar, shkollat me dy turne, infrastrukturën e qytetit, kthimin dhe krijimin e hapësirave të gjelbra.

– Në të vërtetë, edhe ju vetë vini nga një forcë politike, ndonëse në garë, nuk përfaqësoni atë. Mendoni se qytetarët do tju shohin si Gjergj dhe jo si anëtar të një krahu politik?

– Dy partitë kanë nxjerrë teoritë e tyre të konspiracionit për të manipuluar votuesit në lidhje me kandidimin tim. Është e qartë se nuk duan t’u prishet monopoli politik. Çdo votë e marrë nga një kandidat i pavarur e ul peshën e tyre dhe, mbi të gjitha, dëshmon zhgënjimin e thellë dhe protestën ndaj mënyrës së tyre të qeverisjes. Këto parti, i shohin qytetarët si dele që mund t’i çojnë nga të duan. Ne i shohim votuesit si qytetarë që janë të aftë të kuptojnë shkaqet e problemeve të qytetit dhe gjithashtu, të aftë për t’i ndëshkuar me votë shkaktarët e tyre.

Gjatë këtyre javëve ne kemi gjetur mbështetjen dhe entuziazmin e mijëra njerëzve. Shumica dërrmuese janë qytetarëve të lodhur e të zhgënjyer me partitë dhe relativisht, të distancuar prej kohësh prej tyre. Por ka edhe plot qytetarë që u përkasin të dy krahëve, që na mbështesin njësoj si të tjerët e për të njëjtat arsye.

– Tashmë, jemi mësuar të shikojmë vazhdimisht përplasje mes dy pushteteve, atij lokal dhe atij qendror, të cilat në raste dështimesh ia hedhin fajin njëri-tjetrit, në kurriz të qytetarëve. Kështu do të vazhdohet edhe nëse nesër bashkia do të jetë në dorën tuaj? Si mund ta zgjidhni ju këtë problem?

– Shumica e problemeve të përditshme të qytetit nuk kanë lidhje me përplasjen e pushteteve: zhdukja e hapësirave të gjelbra për ndërtime, papastërtia, ndotja, moszgjidhja e parkimit e trafikut dhe shumë të tjera nuk lidhen me ndonjë bllokim, por me interesat dhe klientelizmin e atij që drejton bashkinë. Shpesh problemet nuk zgjidhen sepse bien ndesh me interesat e partive ose bizneseve që kanë blerë tendera publikë prej tyre. Duke zhdukur këtë klientelizëm, ne mund ta bëjmë Tiranën një qytet dinjitoz përtej çdo përplasjeje e bllokimi.

Nga ana tjetër, për pjesën tjetër të çështjeve më lejoni t’ju bëj një pyetje: A mendoni se një kryeministër do të bllokonte më lehtë një kryebashkiak të partisë kundërshtare, apo një kryebashkiak të pavarur që përfaqëson drejtpërdrejt qytetarët?

Gjithashtu, për t’ia hequr monopolin e pushtetit partive dhe për t’ia kthyer qytetarëve, do të shfrytëzojmë veglën më demokratike të mundshme: Referendumin. Referendumi tejkalon çdo lloj pengese juridike, sepse nuk ka asgjë mbi vullnetin e qytetarëve.

– Në kohë fushate, të gjithë kandidatët janë “një me popullin” në hallet e tij. Pas marrjes së pushtetit, populli nuk ekziston më, ekziston vetëm pushteti. Si i garantoni ju mbështetësit tuaj se me ju nuk do të ndodhë kështu?

– Kam shërbyer edhe më herët në shtet në detyra të ndryshme. Nuk ia kam mbyllur kurrë derën qytetarit. Nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhë tani.

– Ne, shqiptarët, jemi pak të sugjestionuar nga gjithçka që është “amerikane”… Formimi juaj në Amerikë, është gjithashtu edhe një avantazh për ju?

– Kam patur fatin të jetoj dhe studioj në një vend të mrekullueshëm siç janë Shtetet e Bashkuara, simbol i lirisë dhe demokracisë, por shkollimi dhe përvoja marrin vlerë vetëm mbi parime dhe kur shoqërohen me dëshirën për t’i shërbyer me ndershmëri interesit publik. Jam përpjekur gjithë jetën time t’i gërshetoj këto cilësi me shkollimin dhe përvojën profesionale.

– Intervistën tuaj të parë si kandidat i Bashkisë së Tiranës, ju e dhatë te Zëri i Amerikës. A vërteton kjo zërat se ju keni një mbështetje nga Ambasada Amerikane, siç përflitet?

– Që prej rënies së komunizmit, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar dhe mbështetur parreshtur dhe bujarisht demokracinë dhe zhvillimin e vendit. Si një nismë demokratike, ne jemi të bindur se do të meritojmë respektin e tyre.

– Zoti Gjergj, kur nisa të bëja pyetjet, nuk mendova se do të kisha kaq shumë pyetje për ju… shumë të tjera më kanë mbetur pa bërë. Më premtoni se do të bëjmë një intervistë sapo të zgjidheni kryebashkiak?

– Që të mos bëjmë premtime të parealizueshme, mund t’ju them se kjo mund të bëhet dhe madje me shumë kënaqësi, por jo që në ditët e para. Besoj se ditët e para do të ketë shumë punë urgjente për t’u marrë përsipër.

– Do tju bëj edhe disa pyetje të shkurtra si kryebashkiak, sepse në fund të fundit, për një alpinist që ngjit Everestin, nuk është asgjë të ngjitet në postin e kryebashkiakut, apo jo…

– Ngjitja e Everestit ka qenë për mua sfidë personale dhe grupore, ndërsa sfida për ndryshimin e Tiranës paraqet një përgjegjësi të madhe publike.

 

 

Nëse nesër do të jem kryebashkiak…

– Problemi i parë me të cilin do të merrem, do të jetë…

– Ndalimi i menjëhershëm i shkatërrimit të qytetit përmes ndërtimeve të reja kundër interesit publik.

– Shtresa e parë shoqërore që do të ketë vëmendjen time, do të jetë…

– Natyrisht, shtresat që kanë më tepër nevojë.

– Krahu im i djathtë do të jetë…

– Çdo qytetar i Tiranës që ndan me ne dëshirën për një qytet dinjitoz.

– Tiranës do ti jap atë që…

– Atë që i duhet për ta bërë kryeqendrën e Shqipërisë.

– Tirana do të më japë…

– Nderin, përgjegjësinë dhe kënaqësinë e pafund që t’i shërbej një kauze të madhe.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

A shërohet ndonjëherë psoriaza?

Next Post

Poezia juaj...

Advertisement