Ai sapo ka publikuar klipin e tij më të ri jo vetëm me një titull të veçantë, por edhe me një tekst po aq të veçantë. “Nallane” titullohet kënga, teksti i së cilës të bën të mendosh se bëhet fjalë për një dedikim dikujt me të cilën Flori ka hatërmbetje. Por, përveç kësaj, ai që disa mediave nuk iu ka lënë përshtypje të mirë ka qenë edhe një ndër vargjet e këngës: ‘Ta du shumë mamin”. Dhe kështu, shtypi kosovar ka qenë ai që e ka kritikuar së pari këngëtarin për fjalorin e përdorur në këngë, gjë që sipas tyre nuk është aspak edukative për brezat e rinj. Dhe reagimi i Florit ka qenë i menjëhershëm. Ja, si është shprehur ai: “Për të bërë armiq nuk ka nevojë të shpallësh luftë, por të thuash të vërtetën. Dikush e kapi grepin! Pash Zotin… po ne e kemi traditë që pasi fëmija mëson fjalën “mami”, pastaj i mësojmë një fjalë tjetër dhe shumë të tjera të ngjashme me “Mam” pa “Mam”. Pastaj, pas pubertetit të japin ujë në bisht të lugës sot, edhe pa ekzistuar kënga ime. Megjithatë, po pati ngelë tek edukata e fëmijëve tuaj, tërhiqem nga muzika. Vetëm me një kusht… Të futem në parlament se aty ka liri fjale dhe mendimi”, ka përfunduar ai. Kënga e Florit pritej të komentohej dhe të kritikohej, megjithatë ai vazhdon të jetë një ndër kantautorët më të mirë të momentit. Jo më larg se të dielën e kaluar, Flori e ktheu Pallatin e Kongreseve në Kuq e Zi, në natën finale të festivalit” Top Fest”, ku këndoi këngën “Kuq e Zi” bashkë me Elvana Gjatën… dhe të gjithë të pranishmit.
Advertisement