Diedoni! Kishte nga ata që e donin, siç kishte nga ata që nuk e donin. Kishte nga ata që e vlerësuan për maturinë e tij, siç kishte nga ata që e kritikuan për maturinë e tij. Dhe, siç ndodh zakonisht në shoqëri, ku secili ka vlerat e veta, parimet e veta dhe pëlqimet e veta, sot, Diedoni është jashtë shtëpisë Big, tashmë larg çmimit të madh. Por ai beson se është dikush në atë shtëpi që e meriton atë, pa diskutim.
Nëse e keni vlerësuar ashtu si edhe ne, djalin nga Kosova që e njohëm nëpërmjet Big Brother, me siguri, edhe ju jeni kuriozë të dini se çfarë ka ai për të na thënë në këtë bisedë…
Blerina Çizmja: – Diedon, gjëja e parë që mendon një njeri që të ka parë në Big Brother, është: “Ky djalë është perfekt”. A është e vështirë të lësh një përshtypje të tillë në një shtëpi nga e cila, shumica dalin me nga një “difekt të madh”, të paktën në sytë e publikut?
Diedon Musa: – Përderisa edhe në jetën reale jam kështu, nuk ishte shumë e vështirë që të përçoja një përshtypje të tillë. Thjesht, duhej të isha vetvetja dhe të mos bija në grackat që hapnin të tjerët. Dhe ja ku jam, shumë okej.
– Në rregull atëherë, meqë ne nuk mundëm dot të të gjenim një difekt atje brenda, na e thuaj vetë difektin tënd më të madh…
– Defekti im në këtë format dhe në raste të tilla, është që nuk mund dhe nuk ia lejoj vetes që t’i bashkangjitem sjelljes të mbartur nga rruga, arrogancës dhe mungesës së respektit ndaj tjetrit. Unë besoj se është vlerë e madhe, por në fakt, në atë shtëpi, kjo më penalizoi.
– Si po të shkojnë këto ditë jashtë Big Brother? Po ambientohesh dot me jetën jashtë?
– Ditët po shkojnë shumë mirë dhe shumë shpejt. Po ndihem shumë me fat, shumë i respektuar dhe i dashur.
– Për çfarë të kishte marrë malli më shumë dhe cila ishte gjëja e parë që bëre kur shkove në shtëpi?
– Ishin familjarët dhe shoqëria ata për të cilët më kishte marrë malli më së shumti, ndërsa gjëja e parë me t’u futur në shtëpi ishte ngrënia e ushqimeve që nuk i patëm dot brenda. (Buzëqesh)
– Meqenëse shumica e atyre që dalin, thonë se “janë pëlqyer nga të gjithë”, dua të di prej teje, kush ka patur kritika për ty dhe cilat kanë qenë ato?
– Kritikat kanë qenë të vogla, por një kritikë, që kur e kam marrë më ka tmerruar dhe shtangur, ishte për çështjen e nacionalizmit. Unë e kuptoj që jo të gjithë njerëzit e kuptojnë idenë time të një mbizotërimi të paqes në botë dhe e kanë keqinterpretuar idenë time që nacionalizmi zhvillohet më arsimim të mirëfilltë, dije, shkencë dhe çdo gjë tjetër që na bën më të fortë e jo vetëm me këngë dhe fjalë boshe. Jam çuditur se si, të gjithë ata që kritikonin te kjo pjesë, nuk e përmendën dhe nuk e vlerësuan faktin që kam qenë unë i vetmi që kam ngritur dolli me të gjithë banorët në nderim të familjes Jashari dhe të të gjithë të rënëve në luftë. Këtu ndiej keqardhje për injorancën e të tjerëve.
– Ndodh që prindërit nuk i pëlqejnë shumë vajzat që futen në Big Brother dhe nuk e shohin me sy të mirë lidhjen e djalit të tyre me to… A është ky rasti i prindërve të tu?
– Prindërit e mi, në përgjithësi, nuk janë përzier në lidhjet e mia me vajzat. Atyre u mjafton lumturia dhe dashuria në jetën time.
– A po të mungon Alba, Diedon?
– Është e dukshme që më mungon Alba.
– Çfarë të mungon më shumë prej saj?
– Më mungon çdo gjë e saj, çdo gjë që flisnim, që bënim dhe gjithçka tjetër, por unë po mundohem t’i mbuloj këto hapësira duke e shikuar dhe përkrahur vazhdimisht. Por, po e shoh që Albës po i mungoj unë më shumë.
– Dua një përgjigje të sinqertë prej teje… Kur je vazhdimisht me një njeri, je edhe shumë konfuz për ndjenjat e tua. Besoj, mënyra më e mirë për t’i njohur ato, është të largohesh nga ky person. Tani që Big Brother të largoi nga Alba, ç’të thotë zemra?
– Të them të drejtën, tani po ia ndiej mungesën, po ia ndiej mungesën në botën reale, në botën jashtë, këtu ku po gjendem unë tashmë. Aty brenda e ke afër në secilin moment, ndërsa tashi me padurim e pres Alba të dalë nga aty me çmimin e madh.
– Por, le të merremi pak me Big Brotherin tënd… Në fund të fundit, në atë shtëpi, ti bëre lojën tënde, apo jo? Cila ishte loja jote, konkretisht?
– Loja ime, siç e kam cekur, ishte që të jap një mesazh për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Jetojmë në një shoqëri që, përfshirë edhe Kosovën, është e lodhur nga situata acaruese dhe tensionuese, shoqëri që të gjitha problemet i zgjedh me dhunë, jo tolerancë dhe jo inteligjencë. Besoj se ne si popull jemi lodhur nga mosmarrëveshjet, nga urrejtja, nga ofendimet dhe nga mungesa e barazisë gjinore. Ishte pikërisht ky mesazh që e kam mbartur tërë jetën time me vete dhe doja që ta ndaja e të isha shembull dhe pikë kthese për këtë shoqëri.
– Si ishte skema jote e lojës para se të futeshe në shtëpi dhe si ndryshoi ajo gjatë lojës?
– Skema e lojës në njëfarë mënyre ishte kjo që sapo thashë, por që ndryshoi gjatë lojës, për shkak se nuk munda ta gjeja veten në një nivel të tillë.
– Cili ishte personi që nuk e duroje dot brenda në shtëpi dhe pse?
– Përderisa kisha hyrë në atë format, isha i përgatitur të duroja çdo lloj personi, me çfarëdolloj loje dhe strategjie, kështu që isha okej me të gjithë.
– Me Kikën ke folur dhe, a do të flasësh me të?
– Me Kikën kemi pasur kontakte virtuale, kontakte si dy miq të mirë dhe shpresoj shumë që ta shoh e të japim prapë një mesazh të miqësisë dhe, pse jo, pajtimit dhe paqes.
– Përveç Albës, cili ishte personi që vlerëson më shumë nga ata që ishin në shtëpi me ty dhe për çfarë e vlerëson?
– Besoj se të gjithë aty brenda e kanë anën e tyre të mirë që duhet vlerësuar. Unë në përgjithësi kisha raporte shumë të mira me Fabianin dhe jam shumë i bindur që do ta vazhdojmë miqësinë edhe jashtë.
– Çfarë të mungonte më shumë kur ishe brenda?
– Brenda më mungonte më shumë liria që e kisha jashtë dhe nuk e vlerësoja sa e rëndësishme ishte.
– Çfarë të mungon më shumë tani nga ajo shtëpi?
– ALBA.
– Çfarë do të kishe dashur të shkonte ndryshe gjatë qëndrimit tënd në atë shtëpi?
– Hëm, nuk di. Edhe pse nuk shkova deri në finale, përderisa mesazhi im është kuptuar mirë nga shumica jashtë, besoj se nuk do të ndryshoja ndonjë gjë madhore.
– Nëse çmimin e madh nuk e merr Alba, me shpirt, cilit do t’ia uroje?
– Çmimin e madh duhet ta marrë Alba dhe vetëm Alba! Sepse, po nuk e mori Alba si një super lojtare, ai çmim nuk do quhej i fituar, por i dhënë.
– E ke nisur tashmë punën?
– Ende nuk e kam filluar me orar të plotë, por do të filloj së shpejti.
– Mendon se do të kesh më shumë klientë tani?
– Me rëndësi është që tani kam njerëz që më duan dhe më vlerësojnë më shumë.