Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

CILET NUK INTERVISTUAM DOT KETE JAVE? Nga Artan Kristo

SAIMIR TAHIRI
Kishim kohë pa e intervistuar Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ndaj menduam ta intervistonim këtë javë. Deshëm ta pyesnim, jo vetëm se si do t’u vejë halli krimeve e vrasjeve që s’kanë të ndalur, por edhe për krimin ekonomik. Në fakt, për këtë të fundit, policia dhe prokuroria meritojnë fjalë të mira. Se, këto javë, kanë qenë të shumtë të arrestarit për korrupsion dhe vjedhje të shtetit. Të fundit fare ishin kokat e asaj që u quajt si “Mafia e ilaçeve” që u arrestuan këto ditë… Mirë që këta u arrestuan, deshëm ta pyesnim ministrin, por a u konfiskuan miliardat e lekëve që ata kishin grabitur?! Për këtë nuk thuhet asnjë fjalë. Ashtu siç nuk thuhet asnjë fjalë për ata që u arrestuan për të famshmen “skemë të mashtrimit me TVSH-në”. Edhe ata kishin futur në xhepat e tyre miliona nga shteti, por nuk u konfiskua asnjë lek. Ashtu siç nuk u konfiskua asnjë lek nga ato miliona lekë të vjedhura në Bankën e Shtetit. Ashtu siç nuk u konfiskua asnjë lek nga vjedhja e floririt në thesar vite e vite më parë… Kështu do vazhdohet? Duke i vjedhur shtetit miliona e miliarda, duke bërë ca vite burg e duke gëzuar më pas lekët e vjedhura?!

AJOLA XOXA, MAJLINDA BREGU, ARGITA BERISHA
Kur dëgjuam këtë javë se bashkëshortja e Erion Veliajt, ish-ministrit dhe kandidat i PS-së e aleatëve të saj për bashkinë e Tiranës, ka qenë avokatja e Beketit për të cilin ka një urdhër arresti, ashtu si edhe e izaraelito-armenianit Amiran për të cilin është hapur një proces penal për pastrim parash, na u kujtua… Kohë më parë edhe një ish-ministreje të PD-së, Majlinda Bregut, i doli emri në shtyp sepse familjarët e saj ishin të lidhur me një personazh të krimit në Italinë e Jugut, Anxhelo Prudentinon. Por, na u kujtua se edhe vajza e ish-kryeminstrit Berisha është përmendur për lidhje me një njeri të përfolur për korrupsion e pastrim parash si Damir Fazlliçi… Na u kujtuan edhe shumë e shumë raste të tjera kur mafiozëve të ndryshëm u ka dalë emri për lidhje me politikanët shqiptarë e të afërmit e tyre, ndaj menduam që këtë javë të bëjmë një intervistë të përbashkët pikërisht me këto të treja që përmendëm më lart, me Ajolën, Majlindën dhe Argitën. “Si shpjegohet që të gjithë mafiozët lidhen më pushtetarët e familjet e tyre këtu në Shqipëri?”, deshëm t’i pyesnim ato. Apo, të dashur lexues, mos është shtruar gabim kështu pyetja? Mos duhet t’i pyesnim: “Si shpjegohet që pushtetarët këtu te ne lidhen gjithmonë me mafiozë e njerëz të përfolur apo dënuar për korrupsion e pastrim parash?”…

XHEZAIR ZAGANJORI
Këtë javë, Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj dy deputetëve socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, që akuzoheshin për dhunë ndaj kolegut të tyre demokrat, Gent Strazimiri. Gjykata e Lartë argumentoi se në këtë ngjarje nuk ka pasur vepër penale. “Përdorimi i fjalëve dhe shprehjeve fyese, si edhe kryerja e veprimeve të tjera faktike a të dhunshme nga ana e deputetëve, të cilat cënojnë veprimtarinë normale dhe autoritetin e Kuvendit, personin dhe dinjitetin e deputetit, etj., të kryera gjatë veprimtarive parlamentare dhe/ose brenda ambienteve të Kuvendit ose aty ku ai ushtron veprimtarinë e tij, përbëjnë tejkalime të lirisë parlamentare, shkelje të cilat gjykohen dhe ndëshkohen nga vetë Kuvendi”, theksonte njoftimi i Gjykatës. “Nuk dënohet rrahja, apo fyerja, sipas Gjykatës?”, deshëm të pyesnim zotin Xhezair Zaganjori, kryetar i saj. Po në rast se në një institucion apo kompani dy punonjës dhunojnë një të tretë, nuk i kap ligji, nëse i dënon me ndonjë vërejtje pronari apo punëdhënësi?! Po kështu, i bie që në një gjimnaz, kur një nxënës përdhunon në ambientet e shkollës dhe të dënohet me përjashtim nga shkolla, nuk futet në burg? Apo jo, zoti Zaganjori?!

Advertisement

GENT STRAZIMIRI
Këtë javë do të donim të intervistonim edhe deputetin e PD-së Gent Strazimiri. Donim ta pyesnim nëse është e vërtetë ajo që thuhet se tani, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për mosdënimin e agresorëve të tij ai ka filluar, jo vetëm të bëjë stërvitje me shtanga e të mësojë arte marciale, por edhe të flasë si “i fortë”. Në një intervistë këtë javë ai kishte deklaruar se “unë nuk protestoj si Gandi, nuk e bëj dot. Unë jam malok dibre e jo indian”. A e di zoti Strazimiri se Gandi jo vetëm që njihet në të gjithë botën për mençurinë e tij dhe mbahet si shembull urtësie, ndërkohë që shprehja “malok dibre” edhe nga vetë dibranët mbahet si sharje? E di ai, gjithashtu, se paguhet nga taksat tona si deputet, që të sillet si Gandi e jo si malok?! Ndaj, ngaqë si Gandi nuk bëhet dot, të paktën, të sillet si malësor…

ISA BOLETNI
Sikur shkenca të kishte bërë të mundur intervistimin e atyre që s’janë më në këtë botë, ne do të kishim dashur të intervistonim Isa Boletinin, eshtrat e të cilit u rivarrosën këtë javë në Boletin të Mitrovicës, në Kosovën që ai e deshte aq shumë. Na bëri përshtypje fakti se në ceremoninë e rivarrimit nuk mori pjesë asnjë nga politikanët e lartë shqiptarë, ndaj deshëm ta pyesnim bacën Isë se përse ndodhi kështu kur, sipas kreut të komunës së Mitrovicës, të gjitha personalitetet e larta shteterore këndej e andej kufirit si dhe në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët kanë patur ftesë zyrtare për të marrë pjesë në këtë ceremoni? Pse nuk ishte aty Edi Rama? Thjeshtë se nuk u plotësua dëshira e tij që rivarrimi të bëhej në Vlorë?! Të merret me inate e vogëlsira ky kryeministri ynë?! Po Presidenti?! Apo nuk donte të shtrëngonte duart me kryeministrin në këtë kohë të egër fushate?! Po kryetari i Kuvendit që e ka portretin e Isa Boletinit në zyrën e tij? Do të ishim kuriozë të dinim se ç‘mendonte baca Isë për këto…

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Shkakton infertilitet varikocela?

Next Post

Sazan Guri: “Liqenin Artificial e kam tharë unë”

Advertisement