1. Shumica e burrave që tradhtojnë janë të palumtur në çiftin e tyre:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
2. Me cilën nga arsyet e mëposhtme e justifikon më shpesh një grua tradhtinë?
a. Hakmarrjen
b. Risinë në seks
c. Shpeshtësinë e seksit
d. Vetminë
3. Tradhtia është shkaku kryesor i divorceve:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
4. Sa për qind e burrave amerikanë pranojnë se kanë bërë seks jashtë martese:
a. 15%
b. 25%
c. 36%
d. 52%
5. Sa për qind e grave amerikane thonë se kanë bërë seks jashtë martese?
a. 15%
b. 25%
c. 36%
d. 52%
6. Nëse ju mendoni se partneri ju tradhton, duhet ta diskutoni me të, edhe nëse nuk keni një provë konkrete:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
7. Më shumë gjasa ka të tradhtojnë njerëzit e kulturuar dhe me shkollë:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
8. Një grua ka më pak gjasa të tradhtojë nëse të ardhurat e saj janë:
a. Të barabarta me ato të burrit
b. Më të larta se ato të burrit
c. Pak më të ulëta se të burrit
d. Shumë më të ulëta se të burrit.
9. Një burrë ka më shumë gjasa të tradhtojë nëse gruaja e tij është ajo që mban familjen:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
10. Një burrë ka më shumë gjasa të tradhtojë kur është ai që mban familjen:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
11. Mund të jetë një shenjë se partneri juaj ju tradhton, ose po mendon ta bëjë, nëse ai…
a. …ndryshon pamjen
b. …ju bën dhurata
c. …ju kritikon vazhdimisht
d. …i bën të gjitha këto
12. Në cilin nga këta shtete amerikane mund të shkosh në burg për tradhti:
a. Karolinë e Jugut
b. Minesota
c. Miçigan
d. Të gjitha së bashku
13. Analizat gjenetike mund t’ju ndihmojnë të përcaktoni nëse ka gjasa që partneri t’ju tradhtojë:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
14. Cila është, sipas ekspertëve, mënyra më e mirë për të shëruar një marrëdhënie, pas tradhtisë?
a. Ndarja e përkohshme
b. Psikoterapia individuale
c. Terapia e çiftit
d. Terapi për menaxhimin e zemërimit
15. Cili duhet të vendosë se cila është koha e nevojshme për shërimin e lidhjes, pas një tradhtie?
a. Terapisti i çiftit
b. Partneri që ka tradhtuar
c. Partneri që është tradhtuar
d. Të dy së bashku
Përgjigjet
1. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Sipas një studimi të kryer nga Helenë Fisher, doktoreshë për antropologjinë biologjike në Universitetin Rutgers, 56% e burrave që tradhtojnë janë të lumtur në çiftin e tyre. Në krahasim me këtë, vetëm 34% e grave që kanë lidhje jashtëmartesore deklarojnë se janë të lumtura ose shumë të lumtura në çiftin e tyre. Burrat kanë më shpesh justifikime seksuale për tradhtinë dhe më rrallë mund të bien në dashuri me një partnere jashtë martese. Ja, çfarë thotë Fisher: “Gratë janë më të interesuara sesa burrat për ta plotësuar lidhjen e tyre, ose për ta lënë atë. Për burrat është më shumë si një strategji dytësore, sesa një alternativë e re”.
2. Përgjigjja e saktë është d-ja.
Ekspertët thonë se burrat dhe gratë kanë arsye të ndryshme për të qenë jobesnikë. Burrat kërkojnë më shumë seks apo vëmendje, ndërsa gratë përpiqen të mbushin një boshllëk emocional. Gratë kanë tendencë të kenë një lidhje emocionale me të dashurin dhe kanë më shumë gjasa të tradhtojnë për shkak të vetmisë.
3. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Megjithëse tradhtia është arsyeja kryesore pse ndahen çiftet e pamartuar që jetojnë së bashku, e njëjta gjë nuk vlen edhe për çiftet e martuar. Këta të fundit shpesh citojnë të qenit të papajtueshëm ose të paaftë për të komunikuar, si shkakun kryesor të divorcit të tyre.
4. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Statistikat e marra nga Shoqata Amerikane për Martesën dhe Terapinë Familjare, thonë se 25% e burrave kanë bërë seks jashtë martesës. Nëse llogaritet edhe intimiteti pa penetrim (si puthja) dhe dashuritë platonike, ky numër shkon në 45%.
5. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Statistikat e së njëjtës organizatë, thonë se vetëm 15% e grave deklarojnë të kenë bërë seks jashtë martese. Ashtu si te burrat, numri shtohet kur llogariten lidhjet emocionale, ose puthja, duke shkuar në 35%.
6. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Ekspertët thonë se është e rëndësishme t’ia thuash tjetrit dyshimet për tradhtinë herët, edhe nëse nuk keni një provë të qartë se partneri juaj ka një lidhje jashtëmartesore. Pavarësisht nëse po ndodh apo jo, çifti ka punë për të bërë në drejtim të besimit dhe komunikimit në marrëdhënie. Po përsa i përket “ndjekjes” së partnerit? Mos e bëni. Ju mund të provoni se ai ka një të dashur, por nuk do të provoni kurrë se nuk ka dhe kështu do të shkatërroni besimin e komunikimin që keni nevojë të keni në një lidhje. Për një çift, kjo mund të jetë më e dëmshme sesa pabesia seksuale në vetvete.
7. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Gjatë një studimi u pa se njerëzit me shkollë kanë më pak gjasa të tradhtojnë sesa ata pa shkollë. Në vitin 2000, 13% e njerëzve me shkollë të lartë thanë se kishin bërë seks jashtë martesës, krahasuar me 19% të atyre që ishin me shkollë të mesme dhe 21% të atyre që e kishin lënë përgjysmë të mesmen.
8. Përgjigjja e saktë është d-ja.
Një studim mbi tradhtinë ka zbuluar se gratë që vareshin nga burrat ekonomikisht, tradhtonin më pak. Kjo mund të vijë nga fakti se ato kanë më pak rast për të tradhtuar, ose mund të mendojnë se nuk ia vlen, sepse mund të rrezikohet situata e tyre ekonomike.
9. Përgjigjja e saktë është a-ja.
I njëjti studim i mëparshëm zbuloi se burrat që ishin krejtësisht të varur nga gratë ekonomikisht, kishin pesë herë më shumë gjasa të tradhtonin, se ata që fitonin njësoj me gruan. Megjithatë, faktor nuk janë vetëm paratë. Kur merreshin parasysh mosha, niveli i edukimit, feja dhe kënaqësia në lidhje, atëherë nuk kishte asnjë diferencë mes burrave që vareshin ekonomikisht nga gratë dhe atyre që nuk vareshin.
10. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Ironikisht, i njëjti studim zbuloi se burrat që fitonin më shumë para, kishin edhe më shumë gjasa të tradhtonin. Burrat kishin më pak gjasa të tradhtonin, kur gratë fitonin afro 75% të të ardhurave të shtëpisë.
11. Përgjigjja e saktë është d-ja.
Ekspertët thonë se partnerët që tradhtojnë shpesh, i kushtojnë më shumë vëmendje pamjes së tyre të jashtme, kritikojnë gratë dhe/ose bëjnë dhurata të papritura. Kur një partner është gjithë kohës kritik, e nxit tjetrin të mendojë se është ai që ka bërë një gabim, ndërsa një partner që bën dhurata, mund të ndjehet në faj.
12. Përgjigjja e saktë është d-ja.
Ligjet kundër adulterit (tradhtisë) ekzistojnë në shumë shtete amerikane, por sigurisht, ato rrallë vihen në zbatim.
13. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Rezultatet nuk janë shkencore, megjithatë, ka prova se genet kanë lidhje me sjelljet e njerëzve që kërkojnë ndjesi të reja, si: pirja e alkoolit, apo loja e bixhozit, ndaj, edhe me ata që tradhtojnë. Studimi është përqendruar te geni DRD 4, që është i lidhur me shpërblimin dhe të ndjerit mirë. Njerëzit me variacion të këtij geni kanë më shumë gjasa të tradhtojnë: 50% të njerëve me variacion të tij tradhtojnë, kundrejt 22% të atyre që nuk e kanë këtë variacion.
14. Përgjigjja e saktë është c-ja.
Prioriteti i çifteve që kanë probleme me tradhtinë është rindërtimi i besimit nga e para. Kjo bëhet më mirë nëse kërkojnë ndihmë së bashku. Mund të jetë ndihmë edhe takimi individual me një terapist, por në disa raste, ai mund të krijojë një mur sekret e privat mes dy partnerëve dhe të çojë në largimin e mëtejshëm.
15. Përgjigjja e saktë është c-ja.
Personi që është tradhtuar duhet të caktojë kohën e nevojshme për shërimin e lidhjes. Megjithëse personi që ka tradhtuar mezi pret ta lërë të kaluarën pas, ai ose ajo duhet të respektojë kohën që i nevojitet tjetrit të rifitojë besimin dhe të fillojë nga e para.