U shtyp i fejuari
– Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur po haja drekë me të fejuarin dhe papritur më ra dhëmbi. Shkova te pasqyra dhe po shikoja vendin ku më kishte rënë dhëmbi. Duke e prekur më gjuhë më ra edhe një tjetër, por nuk ndjeja dhimbje. Isha me të fejuarin i cili po më premtonte disa gjëra, por që ishin pozitive. Nuk i mbaj mend fjalët, por di që një kamion apo diçka shumë e madhe sikur erdhi dhe e shtypi papritur të fejuarin, të cilit nuk ia shikoja trupin. Ashtu e tmerruar u zgjova nga gjumi dhe isha komplet e djersitur. Çfarë kuptimi ka, ju lutem, se jam në ankth?
– Kur e shikoni veten duke ngrënë, tregon një lloj përmbushjeje të nevojave tuaja dhe rënia e dhëmbëve, përderisa nuk keni pasur dhimbje, do të thotë që nuk duhet të shqetësoheni për problemet që keni pasur kohët e fundit. Keni pasur një debat me të fejuarin, ndaj edhe premtimi që ju ka dhënë, tregon angazhimet e tij ndaj jush. Shtypja e tij s’ka asgjë të keqe, ai ka jetë të gjatë. Përfaqëson një pjesë të karakterit tuaj, një ego, një sjellje të cilën ju keni vendosur ta largoni nga vetja dhe të jeni më pozitive. Ëndrra juaj tregon një lloj rilindjeje shpirtërore. Gjithë të mirat!
Djali që dashuroj
– Si ka mundësi që e shikoj kaq shpesh djalin që e dua? Më duket sikur më puth, më përqafon dhe është aty çdo minutë, çdo sekondë. Kur zgjohem, jam shumë e trishtuar…
– Ju keni një lloj fiksimi ndaj djalit që doni dhe në momentin kur nuk ju përmbushen dëshirat që keni ndaj një personi që e dëshironi shumë në realitet, shikoni ëndrra të tilla. Ëndrrat, në njëfarë mënyre, janë një lloj përmbushjeje dhe realizimi i dëshirave që në realitet nuk arrihen dot. Duhet të pushoni së menduari për të dhe nuk do ta shikoni më. Ose shprehini dashurinë atij dhe kështu e merrni vesh një herë e mirë nëse mund t’i përgjigjet dashurisë tuaj dhe ju e flini mendjen një herë e përgjithmonë. Ju uroj fat.
Pastroja një ambient
– Në ëndërr kam parë veten sikur po pastroja e fshija një ambient. Ndonjëherë më dukej si shtëpia ime, ndonjëherë si një pjesë e qytetit, park, a ku di unë. Di që isha veshur si pastruese dhe vetëm pastroja. A ka ndonjë kuptim, ju lutem? Faleminderit.
– Pastrimi, kudo që të jetë në shtëpi apo në një ambient të jashtëm, tregon që ju do të largoni nga vetja disa gjëra negative, qofshin këta edhe persona negativë. Ju dëshironi të filloni një fazë të re në jetën tuaj dhe besoj se ka ardhur momenti, përderisa keni parë këtë ëndërr. Ëndrra është pozitive, tregon rinovim, një jetë e re dhe një qetësi shpirtërore që kishte kohë që ju kishte munguar.