Shkëputem nga trupi
– Çfarë do të thotë kur shikon në ëndërr sikur shkëputesh nga trupi dhe e ndjen sikur është reale? Mua më dukej sikur isha i vetëdijshëm. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? Jam i shqetësuar, ndaj pres një përgjigje nga ju.
– Mund të ndodhë në mënyrë të pavetëdijshme ta kesh këtë ndjesi, edhe kur nuk je në ëndërr. Kjo që ju ndodh juve u ndodh shumë individëve, përgjithësisht atyre që janë shumë të ndjeshëm, por këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Është një lloj thirrjeje e brendshme e juaja si për të thënë që duhet të qëndroni më shumë me këmbë në tokë.
Dhëmbë të thyer dhe gjarpër
– Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur më ishin thyer gjithë dhëmbët e poshtëm. Pyeta mamin se çfarë duhet të bëja, t’i vija përsëri apo të rrija kështu, pa dhëmbë. Më pas, m’u bë sikur kisha disa gjarpërinj mbrapa meje dhe po thoja me vete: “Çfarë po më ndodh kështu? Dhëmbë të thyer, gjarpërinj rreth meje”… Dua një shpjegim nga ana juaj…
– Thyerja e dhëmbëve ka shumë kuptime. Nëse ju keni ndjerë dhimbje, atëherë do të merrni ndonjë lajm jo të mirë, sidomos nga pjesëtarët e familjes dhe kjo mund t’ju mërzisë shumë. Nëse nuk keni ndjerë dhimbje, atëherë është një fazë në të cilën ju nuk ndiheni mirë dhe keni nevojë për pak pushim. Edhe gjarpërinjtë tregojnë frikën tuaj ndaj një situate për të cilën jeni në dijeni. Mund të ketë lidhje edhe me seksualitetin tuaj të cilën sa dëshironi ta përjetoni gjer në fund, po aq edhe keni shumë frikë. Një tjetër interpretim i ëndrrës suaj është se nuk duhet të keni shumë besim te një person që ju bën shumë lajka. Kini kujdes.