U fejova
– Kam parë në ëndërr sikur po fejohesha me djalin me të cilin jam lidhur, por atë nuk e shikoja dhe fejesa bëhej në shtëpinë që kam pasur. Pashë edhe mamin, sikur kishte blerë një tavolinë të re dhe shikoja njerëzit që hidhnin lek. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Një ëndërr e tillë, përveçse tregon dëshirën tuaj për t’u fejuar me këtë djalë, parashikon edhe një diskutim në shtëpi rreth jush. Blerja e tavolinës së re e lekët, janë sfida të reja, lajme të reja, që mund të kenë lidhje edhe me ju, por edhe diskutime rreth jush. Nëse ju nuk dëshironi që të merret vesh historia juaj, duhet të jeni sa më diskretë. Nëse doni që të merret vesh, më parë sigurohuni nga djali që keni në krah ka qëllime serioze ndaj jush. Është momenti të hapni bisedë më serioze rreth marrëdhënies tuaj. Ju uroj fat!
Familja e tij më kërkoi dorën
– Pashë në ëndërr sikur familja e shokut të vëllait tim kishte ardhur për të më kërkuar dorën për fejesë, ndërsa mbrëmë pashë në ëndërr sikur babai dhe vëllai më thanë mua dhe atij: “Po ju, pse nuk lidheni bashkë, meqë ai djali vjen shpesh te ne dhe kaloni shumë kohë bashkë?”. Unë, në ëndërr, u ndjeva shumë me turp dhe nuk ktheja përgjigje as po, as jo. As ai djali nuk kthente përgjigje, edhe ai ndihej në siklet nga situata. Dukej sikur unë prisja që ai të përgjigjej i pari dhe ai, sikur priste nga unë, por asnjëri nuk bënte hapin e parë; vetëm shmangeshim dhe shikoheshim në sy tinëzisht. Ju lutem, ma shpjegoni këtë ëndërr. Ai është shoku i ngushtë i vëllait tim dhe kemi shumë muhabet.
– E dashur vajzë, është shumë e qartë që mes jush dhe shokut të vëllait tuaj ka njëfarë simpatie, por keni përpara një pengesë e madhe, që nuk ju lë të afroheni me njëri-tjetrin. Ju në fakt keni filluar ta doni atë djalë, por gjithsesi, keni frikë nga përgjigjja e tij, sepse keni dyshime nëse edhe ai ndjen të njëjtën gjë për ju, apo është thjesht një simpati apo respekt. Edhe ai, si ju, ka frikë të afrohet, edhe pse në fakt nga ëndrra duket që ushqen simpati për ju. Duke qenë se ju jeni motra e shokut të tij të ngushtë, ai është në një pozitë të vështirë sepse duhet të matet mirë, ngaqë me ju nuk mund të ketë thjesht një lidhje, por do t’i duhet ta bëjë zyrtare, duke qenë se në mes është vëllai dhe familja juaj. Një situatë pak e vështirë për të dy ju, sepse jeni edhe të rinj, megjithatë ëndrra ju këshillon ta mbani afër këtë djalë dhe ta shoqëroni me biseda, siç keni bërë gjer tani, se mbase kjo i jep besimin e plotë atij të shprehet dhe t’ju shfaqë ndjenjat e vërteta. Ju uroj fat.