Sonetë e një mbrëmjeje
Prej bukurisë tënde, magjepsur
Nga sytë e tu mahnitur, ethshëm
Rob i dashurisë kam mbetur
Me dëshirë, krejtësisht ndërgjegjshëm…
Jam ekzemplar, besoj i vetmi
Që dashurova një perëndi
Do thoni ju, kush nuk do të donte?
Por unë e kisha në krahët e mi…
Ishte e bukur sa gjithë natyra
Edhe shtatë qiejt në sy i kish…
Kur fliste, i qeshte e gjithë fytyra
Nuk them më shumë se do ta prish…
Prej bukurisë së saj, magjepsur
Thashë të shkruaj diçka për të
Rob në sytë e saj kam mbetur
Thashë të shkruaj e s’thashë asgjë! Bledi Ylli
Pikë loti
Kur një pikë loti bie prej syrit
rastësisht jo nuk është gremisur
aty janë dhimbjet e shpirtit
dhimbja e një zemre të krisur! Skënder Laze Trebeshina
Ëndrra
E vetmja liri pa kufij është ëndrra
Aty ndodhin edhe mrekullira
Mund të shfaqesh si zana magjike
E njerëzve t’u plotësosh dëshirat!
Aty shihemi ngahera bashkë
Por jo gjithmonë të gëzuar
Madje në ëndrrën e fundit që të pashë
Frikshëm nga gjumi më ke zgjuar!
E frikësuar dhe e përhumbur po rrija
Dhe fatin tim mes lotësh mallkoja
Si ka mundësi që as në ëndërr
Me ty e qetë s’munda të jetoja?! V. Kalemi
Udhët paralele
Muzikë që vjen në orë të vona
Si solo e rëndë, violinçel
Prej kohësh morëm udhët tona
Që mbetën e mbetën, paralele…
Ka udhë në botë që nuk bashkohen
Është faji i së madhes, rrumbullakësi
Në ‘to ka zemra që nuk takohen
Por dinë të duhen, gjithsesi
Vijnë vërdallë e nuk harrohen
Dinë të japin dashuri
Është faji i natës, i ditës, i imi
A është i tij apo i saj
Çdo gjë e do njëfarë “ndërshkimi’’
Veç dashurisë, të gjithë kanë faj
Ka udhë në botë që nuk bashkohen
Siç ka dhe solo violinçele
Zemra që kurrë s’mund të takohen
Vdesin në udhët paralele! Bledi Ylli