Spektakli i humorit në Vizion Plus, Apartamenti 2XL, këtë sezon është shndërruar në Grand Hotel 2XL. Veç formës dhe përmbajtjes, spektakli ka ndryshuar edhe ditën e transmetimit, duke ardhur për teleshikuesit të martën. Ardhja e aktorit dhe skenaristit Erand Sojli ka qenë një prej ndryshimeve të tjera. Tashmë secili prej aktorëve të ish-Apartamentit ka një rol të ri, duke nisur që nga pronari i hotelit, recepsionisti, baristi, kopshtari, ekonomistja, shoferi… dhe nuk mungon një masazhatore kineze, siç i ka hije një hoteli luksoz. Pikërisht masazhatoren kineze kemi intervistuar këtë javë…
Enkeleda Kurcani: – Sapo u hap hoteli më i madh në Shqipëri, Grand Hotel 2 XL dhe ti je pjesë e pandashme e këtij hoteli të martave. Pikë së pari, pse të martën dhe jo të dielën, si më parë?
Cubi: – Ky është një ndryshim që e ka vendosur producenti Turjan Hyska, për disa arsye, një prej të cilave është fakti se, duke qenë se vinim ndryshe, mund të bënim ndryshim dhe për ditën e transmetimit. Kështu, publiku do të ishte 100% i yni.
– Ç`rol ka kinezja Cubi në Grand Hotel?
– Kinezja është një masazhatore profesioniste, që jeton këtu ilegalisht, me dokumente maqedonase. Qëllimi i saj është të bëjë sa më shumë lek dhe të ikë në Gjermani… Pastaj, se çfarë ndodh në Grand Hotel 2XL nga puntata në puntatë, publiku duhet të na ndjekë çdo javë që ta mësojë.
– E kujt ishte ideja për këtë rol, pak më shumë mbi atë çka do të na ofrojë personazhi yt?
– Ideja ka qenë e imja. Personazhi lindi edhe si një sfidë me veten, për të ardhur tërësisht ndryshe. Duke qenë se në hotel të gjithë janë shqiptarë, pse të mos kishim edhe një të huaj në staf? Ideja u mirëprit me shumë pozitivitet si nga producenti, ashtu edhe nga skenaristët.
– Po që ke shumë tipare kinezeje, ta kanë thënë më parë?
– Do pyes mamin për këtë. (Qesh) Në fakt, po, ma kanë thënë dhe unë e shfrytëzova për lehtësi pune.
– Fakti që roli yt është paksa i ngarkuar, të pengon të kesh role të tjera gjatë spektaklit?
– Në fakt, më tepër më pengon grimi, pasi nuk është një grim i thjeshtë që ti të menaxhosh shpejt një karakter dytësor. Më kufizon për të dalë jashtë këtij karakteri, megjithatë nuk ndihem keq, sepse e shpërfaq veten time shumë mirë profesionalisht, edhe vetëm me këtë personazh.
– Dialogjet më të shpeshta i ke me një personazh, me pronarin e hotelit…
– Duhet ta theksoj, me baristin, në rastin konkret, Jeronimin (Albano Bogdo), por në vazhdim, Sunchaina do të ketë dialogje dhe do të jetë në veprim me të gjithë personazhet e tjerë. Do të vijë gjithçka gradualisht, pasi edhe publiku të rrokë gjithë formulën dhe të njihet mirë me problematikat e karaktereve.
– Ky sezon solli edhe prurje të reja në staf, një prej të cilëve është Erand Sojli. Si është Erandi si koleg?
– Unë punoj për herë të parë me Erandin, por duhet të them se, që në momentin e parë që mora vesh lajmin e ardhjes së tij, jam ndjerë entuziaste sepse Erandi tashmë është një skenarist e aktor profesionist dhe i besoj punës së tij.
– Po si pronar i hotelit, si është? Si sillet me ju?
– Kërkon dhe punon shumë, asnjëherë nuk kënaqet nga puna jonë sepse kërkon maksimalisht arritje profesionale nga ne. Na hëngri shpirtin! (Qesh)
– Si po ndihesh ti vetë me këtë format të ri të 2XL-së?
– Momentalisht, ndihem mirë, kam marrë komente shumë pozitive për këtë personazh. Është një karakter që më jep dorë, megjithatë, ky është vetëm fillimi. Unë do të punoj shumë që deri në fund të sezonit të mbetet një personazh i dashur në mendjen e publikut.
– Cili është personazhi më pikant në Grand Hotel?
– Sunchaina ime… macaxha… macaxha sigulishta. (Qesh)
– Nga sezoni në sezon, spektaklet kanë momente të gjata pushimi. Me çfarë e ke mbushur kohën gjatë pushimeve?
– Aktori nuk rri asnjëherë pushim. Ne, gjatë gjithë kësaj kohe, kemi qenë duke krijuar për formulën e re. Unë punoj edhe si regjisore dublimesh dhe asnjëherë s`e kam kohën bosh, përveç 15 ditë pushimeve të verës.
– Po ndonjë rol të spikatur, a ke në ndonjë prej filmave vizatimorë?
– Ka shumë role që i dubloj vetë. Për mua është një dashuri tjetër të merresh me filmat vizatimorë dhe të futesh në botën e fëmijëve.
– Veç Apartamentit, ke qenë e angazhuar në teatër, me ndonjë rol?
– Jo, pasi edhe teatri e starton sezonin artistik po njësoj si ne dhe më përplasen ditët e shfaqjeve, me shfaqjen time këtu.
– Doli një listë e aktorëve shqiptarë më seksi. Cili mendon ti se është më seksi prej tyre?
– Eh, unë di të të them që edhe unë isha te lista e aktoreve të bukura të kinemasë shqiptare.
– Nëse nuk do të ishe në 2XL, çfarë mendon se do të ishe?
– Do të isha një kuzhiniere e dalluar. (Qesh) Me siguri, do isha e angazhuar në teatër dhe nëpër filma.
– Më duket sikur përmasat e tua nuk ndryshojnë kurrë. Shton ndonjëherë kilogramë ti, Cubi?
– Po, shtoj, por me një ndryshim… Një muaj shtoj 1 kilogram dhe muajin tjetër e heq direkt. Thuajse gjithë jetën time këtë peshë kam patur.
– Ke fiksime supersticioziteti të tipit: Macja e zezë, data 13, e martë… etj.?
– Joooo, as ia them fare nga këto fiksime, madje fallxhoret i kam frikë. (Qesh)
– Gocat me batuta janë gjithnjë të kërkuara në shoqëri. Je një prej tyre ti?
– Po, në shoqëri, jam tipi i tavolinës, nuk kam komplekse dhe përshtatem shpejt, madje me shoqërinë time të ngushtë batutat janë pa limit, aq sa shpesh e kap veten gafil se vetëm unë jam duke folur dhe të tjerët qeshin… Por kjo arrihet me punë, me përpjekje… (Qesh)
Cubi kineze
– Sa shpesh shkon për të bërë masazhe dhe konkretisht, masazhe kineze?
– (Qesh) Masazh bëj shpesh sepse për fat të mirë, në familje kam dy fizioterapistë profesionistë, kunatin dhe mbesën, ndërsa masazhe kineze nuk kam bërë asnjëherë. Do të detyrohem të bëj se më duhen për karakterin, për të qenë profesioniste edhe unë.
– Po ushqimi kinez, të pëlqen?
– Më pëlqen më shumë ai meksikan të them të drejtën, megjithatë e konsumoj edhe ushqimin kinez, pa krimba dhe buburreca, sigurisht.
– Po kinezët vetë, a të pëlqejnë?
– (Qesh) S`e di, kam qenë pa fat në këtë drejtim, por do ta mendoj një herë.