Arkeologët londinezë kanë filluar të nxjerrin nga toka 3000 skelete, përfshirë këtu edhe ato të viktimave të Murtajës së Madhe, nga një zonë varrimi që do të kthehet në një stacion të ri treni.
Një ekip prej 60 arkeologësh, do të punojë me turne gjashtë ditë në javë në muajin që vjen në vendin e varrimit të Bedlamit, për të hequr prej andej skeletët e vjetër, që do të rivarrosen në një varrezë afër Londrës. Shoqëria e ndërtimit të stacionit të trenit, Crossrail, tha se këtë punë po e kryejnë arkeologët e Muzeut të Londrës. Në deklaratë u tha se kockat do të testohen për të “hedhur dritë mbi mënyrën e jetesës, të të ngrënit dhe demografinë” e londinezëve të asaj kohe. “Arekologët shpresojnë se analizat që do të bëhen te viktimat e murtajës, do të ndihmojnë për të kuptuar evolucionin e bakteries së saj”, thanë përfaqësuesit e Crossrail.
Toka e Bedlamit është përdorur nga vitet 1569-1738, një periudhë që përfshin edhe kohën shekspiriane, Zjarrin e Madh të Londrës dhe epidemitë e shumta të murtajës. Nga gërmimet pritet të zbulohen edhe mbetjet e një rruge të lashtë romake, ndërkohë që Crossrail tha se disa objekte, si patkonj kali dhe urna kremimi, janë gjendur tashmë. Zona e Londrës, që është përdorur si varrezë bashkiake, e ka marrë emrin nga Spitali Mbretëror i Bethlemit, ose “Bedlam”, spitali më i vjetër psikiatrik i botës, i cili tashmë ndodhet në rrethinat e Londrës. Vendi i varrimit përdorej për londinezët që nuk kishin para të varroseshin në tokën e kishave, ose ata që varroseshin për arsye politike apo fetare. Aty besohet të jenë varrosur pjesëtarët e Levellers, një grupimi politik të shekullit XVII, që kërkonin sovranitetin e popullit dhe tolerancën fetare. Pas gërmimeve, Crossrail do të ndërtojë stacionin e metrosë Liverpool Street. “Varreza e Bedlamit tregon një fazë interesante të historisë së Londrës, përfshi edhe tranzicionin nga periudha e Tudorëve në një qytet modern”, thanë arkeologët. “Ka deri në 6 metra gërmime në një sit që është një nga zonat më të vjetra të qytetit, kështu që kemi plot për të mësuar”.
Crossrail është një nga projektet më të mëdha të ndërtimit në Europë dhe shoqëria tha se më shumë se 10 mijë objekte janë zbuluar deri tani nga gërmimet e shumta në 40 pika. Gjatë gërmimeve të mëparshme në rrugën Liverpul, në vitet 2013-2014, u nxorën nga toka më shumë se 400 skelete.
Advertisement