– Çfarë janë gurët e veshkave dhe si formohen ata?
– Funksioni i veshkave është të filtrojnë gjakun, duke krijuar urinën, por nganjëherë, kripërat dhe mineralet e tjera në urinë ngjiten së bashku dhe formojnë gurë të vegjël në veshka. Ato kanë madhësi të ndryshme, nga sa një kristal sheqeri, deri sa një top pingpongu, por vihen re rrallë, vetëm kur shkaktojnë bllokime. Ata mund të shkaktojnë dhimbje të mëdha nëse dalin nga veshkat dhe shkojnë në uretera (kanalet e urinës që çojnë urinën në fshikëz).
– Cilat janë simptomat e tyre?
– Kur gurët e veshkave kalojnë në rrugët urinare, ato mund të shkaktojnë dhimbje të forta në shpinë, bark, ose barqth, urinim të shpeshtë dhe me dhimbje, gjak në urinë, të vjella dhe marrje mendsh. Gurët e veckël mund të kalojnë edhe pa shkaktuar simptoma.
– Me se mund të ngatërrohen simptomat e tyre?
– Nëse keni dhimbje të papritur dhe të fortë në bark, ose shpinë, është mirë të shkoni menjëherë te mjeku. Dhimbjet e barkut mund të kenë shumë shkaqe të tjera, si për shembull, apendisiti dhe shtatzania jashtë mitre. Urinimi me dhimbje mund të jetë gjithashtu shenjë e një infeksioni në rrugët urinare apo e një SST-je.
– Si bëhet diagnostikimi i gurëve?
– Gurët, rrallë diagnostikohen nëse nuk shkaktojnë dhimbje. Kjo dhimbje është shpesh aq e fortë, sa pacientët shkojnë në urgjencë, ku disa analiza mund të zbulojnë praninë e gurëve. Këto analiza mund të përfshijnë ekografinë, skanerin, analizat e urinës, etj. Analizat e gjakut mund të ndihmojnë për të kërkuar nivele të larta të mineraleve që ndikojnë në formimin e gurëve në veshka.
– Si të kujdesemi në shtëpi në këto raste?
– Nëse një gur duket i vogël, doktori juaj mund t’ju këshillojë të merrni ilaçe për dhimbjen dhe të prisni derisa guri të dalë vetë. Gjatë kësaj kohe, ai mund t’ju këshillojë të pini shumë ujë dhe lëngje (afro 8-10 gota ujë në ditë), që ta mbani urinën e kthjellët.
– Çfarë madhësie duhet të ketë një gur që të konsiderohet i vogël?
– Sa më i vogël guri, aq më shumë gjasa ka që ai të dalë vetë. Nëse është më i vogël se 5 mm, ka 90% shanse që të dalë pa ndonjë ndërhyrje. Nëse guri është 5-10 mm, shanset janë 50%. Nëse një gur është shumë i madh për të dalë vetë, ka mundësi të bëhen trajtime të ndryshme. Ja, cilat janë ato:
1. Me mjekim. Ka ilaçe që mund t’ju ndihmojnë në daljen e gurëve. Disa ilaçe, të njohura si alfa bllokues, zgjerojnë muret e kanaleve të urinës, kështu që guri mund të kalojë më lehtë. Efektet dytësore, në përgjithësi, janë të buta dhe përfshijnë dhimbjet e kokës dhe marramendjen. Ka edhe ilaçe që mund të parandalojnë formimin e gurëve.
2. Me goditje me valë. Procedura më e njohur për trajtimin e gurëve është e njohur me emrin “litotripsi jashtëtrupor me goditje me valë” (litotripsi, në greqisht, do të thotë thërrmim gurësh). Kjo terapi përdor valë me energji të lartë për të thyer gurët e veshkave në copëza të vogla, që mund të nxirren më pas më lehtë nga trupi. Efektet e saj dytësore mund të përfshijnë hemoragji, nxirje dhe dhimbje pas procedurës.
3. Ureteroskopi. Kur një gur ka dalë nga veshkat dhe është afër fshikëzës, procedura më e shpeshtë është ureteroskopia. Një tub i hollë futet nëpërmjet rrugëve urinare deri në vendin ku ndodhet guri. Një kirurg e thyen gurin dhe heq copëzat e tij nëpërmjet tubit. Në trup nuk bëhen çarje. Për gurë shumë të mëdhenj, mund të nevojitet ndërhyrja kirurgjikale.
– Si analizohen gurët?
– Pasi hiqen gurët, doktori juaj mund të dojë të dijë përbërjen e tyre. Afro 80% e gurëve të veshkave kanë në përbërjen e tyre kalçium. Pjesa tjetër përbëhet nga acidi urik, fosfatet ose aminoacidet. Një analizë kimike mund të përcaktojë llojin e gurit që keni dhe pas kësaj, ju mund të merrni masa për të parandaluar formimin e gurëve të rinj në të ardhmen.
– Çfarë i shkakton gurët?
– Gurët e veshkave mund të formohen kur ndryshon barazpeshimi normal i ujit, kripërave dhe mineraleve që ndodhen në urinë. Ndryshime të shumëllojshme mund të shkaktojnë tipe të ndryshme gurësh. Ka shumë faktorë që mund të shkaktojnë ndryshime në urinë, që nga sëmundjet kronike e deri tek ajo që hani dhe pini.
Faktorët e rrezikut, që mund t’i kontrolloni: Pirja e një sasie të paktë uji është shkaku më i zakonshëm i krijimit të gurëve. Dieta, gjithashtu, luan një rol të rëndësishëm. Konsumimi i shumë proteinave, natriumit dhe ushqimeve me sasi të lartë oksalatesh, si çokollata, apo perimet me gjethe jeshile të errët, te disa njerëz shton rrezikun për gurë në veshka. Faktorë të tjerë përfshijnë shtimin në peshë dhe marrjen e disa ilaçeve.
Faktorët e rrezikut, që nuk mund t’i kontrolloni: Burrat e bardhë rrezikohen më shumë për gurët e veshkave se të tjerët, duke filluar nga mosha 40 vjeç. Rreziku te gratë shtohet në të 50-tat. Gjithashtu, rreziku shtohet nëse keni një historik familjar me ta. Disa sëmundje, siç janë: Tensioni i lartë, përdhesi dhe infeksionet e urinës, mund të shtojnë rrezikun, por trajtimi apo kontrollimi i këtyre problemeve, në përgjithësi, ndihmon në parandalimin e formimit të gurëve. Gurët e veshkave kanë qenë problem edhe për ushtarët amerikanë me mision në vende të nxehta, si Iraku. Doktorët thonë se fajtor për këtë është çhidratimi. Veshjet e rënda, klima e nxehtë dhe tendenca për të pirë pak ujë, i bën ushtarët të çhidratohen dhe kjo bën që të kenë në urinë në sasi të lartë mineralesh, që mund të bashkohen së bashku dhe të formojnë gurët.
– Si parandalohet formimi i gurëve në të ardhmen?
– Nëse keni pasur një gur kalçiumi, doktori mund t’ju sugjerojë të pakësoni kripën, që e bën trupin të lëshojë më shumë kalçium në urinë. Gjithashtu, do t’ju këshillohet të evitoni ushqime si çokollata, neskafeja, çaji, bishtajat, perimet me gjethe jeshile, portokallet, tofu dhe patatet e ëmbla. Mënyra më e mirë për të evituar formimin e gurëve të rinj është të pini sa më shumë ujë. Përsa u përket ushqimeve me kalçium, kjo është ende duke u debatuar. Ndërkohë që shumica e gurëve të veshkave përmbajnë kalçium, ju mbase nuk keni nevojë të evitoni ushqimet e pasura me kalçium. Në fakt, konsumimi i një sasie të moderuar nënproduktesh qumështi dhe ushqimesh të tjera me kalçium, mund të ulë rrezikun e formimit të gurëve të rinj. Kjo nuk përfshin tabletat me kalçium, të cilat mund të shtojnë rrezikun e gurëve te disa njerëz. Pyesni doktorin apo nutricionistin se çfarë roli duhet të luajë kalçiumi në dietën tuaj.
Advertisement