Gjarpër i gjatë, me ngjyra
– Kam parë në ëndërr një gjarpër të gjatë dhe me shumë ngjyra, që e kisha kapur dhe vëllai im përpiqej t’i këpuste kokën me një thikë, jo atje ku mbaron koka, por në mes. Desha të di, çfarë do të thotë kjo ëndërr?
– Ëndrra juaj shpreh një lloj frike që keni ndaj vëllait tuaj. Mund të ketë të bëjë me jetën tuaj personale të cilën ju nuk e jetoni siç duhet dhe arsyeja është vëllai juaj, nga i cili keni shumë frikë se mos ju gjykon. Ëndrra mund të paraqesë edhe frikën tuaj ndaj meshkujve. Pra, ka dy kuptime, që në thelb tregojnë një lloj frike të brendshme që e keni tashmë prej kohësh. Nëse është vëllai ai nga i cili keni frikë, bëni mirë të jeni më e hapur me të dhe të flisni si dy shokë bashkë. Nëse janë meshkujt, duhet të punoni pak me veten tuaj dhe ta lini veten më të lirshme, në mënyrë që ta jetoni jetën me të mirat dhe të këqiat e saj, ndryshe nuk do të rriteni asnjëherë.
Monedha floriri
– Kam parë në ëndërr sikur unë bashkë me familjen time ishim në një pallat mbretëror që ngjante edhe me një tempull. Pamë dy dyer të mrekullueshme. Unë mora një shkop dhe i godita dyert, që u hapën dhe doli një lumë me monedha floriri. Kisha një çantë me vete dhe fillova ta mbushja me monedha që shndrisnin. Nuk më kujtohet nëse familjarët morën monedha. Pastaj, më doli gjumi. Theksoj që kam parë edhe më parë ëndrra sikur jetonin në pallat, kishim shërbyes etj. Ç’kuptim ka ëndrra?
– Duke qenë se e keni parë shpesh këtë ëndërr, do të thotë se në të ardhmen do të merrni lajme shumë të mira. Edhe mbledhja e monedhave, edhe tempulli dhe dyert janë shanset që do t’ju jepen në jetë dhe do të arrini atë çfarë dëshironi. Për këtë do të gëzoheni jo vetëm ju, por edhe familja juaj.
M’u thye ekrani i celularit
– Kam parë në ëndërr sikur më thyhej ekrani i telefonit, e rregullova dhe dhashë 180 mijë lekë të vjetra. Pas pak ditësh, pashë sikur m’u thye sërish. A ka ndonjë kuptim?
– Telefoni në ëndërr ka shumë kuptime. Në rastin konkret, tregon se një komunikim të mirë që keni pasur kohët e fundit, e keni prishur për çështje të cilat i dini vetëm ju. Jeni munduar të rirregulloni marrëdhënien, por përsëri nuk keni arritur atë komunikim që kishit më parë. Se kush është dhe për çfarë bëhet fjalë, duhet ta mendoheni dhe ta gjeni vetë përgjigjen.