– Përshëndetje doktor Jashar Demiri. Faleminderit për përgjigjet tuaja të dobishme, që na vijnë shumë në ndihmë. Unë po ju shkruaj për motrën time pasi jam shumë e shqetësuar për gjendjen e saj. Ka kohë që ajo ka shfaqur një ndryshim rrënjësor të sjelljes i cili ka filluar qëkur i erdhën menstruacionet, në moshën 13 vjeçare (tani është 18 vjeçe). Që në atë moment, ajo, nga një vajzë e shkathët e shumë e dashur, shumë aktive, u kthye në një person totalisht të kundërt; u ftoh me njerëzit, nuk ishte më aq aktive, filloi të humbiste interesin për shumë gjëra, mbi shkollën, nuk dëshironte gjimnazin. Ky ndryshim u bë më i dukshëm këtë vit, që ajo e ka humbur totalisht interesin mbi veten, nuk flet shumë, është tepër e mbyllur, nuk hapet as me ne njerëzit e shtëpisë, nuk ka as shumë shoqëri dhe është shumë pasive e indiferente, qoftë edhe për gjëra të zakonshme të jetës së përditshme. I është ngulitur në mendje një jetë totalisht ndryshe nga realiteti shqiptar dhe është ndikuar nga qëndrimi i gjatë para internetit. I duket sikur nuk jeton këtu, por në Amerikë. Nuk e gjen veten këtu dhe i duket sikur s’e kupton njeri. Sado që ne mundohemi t’i flasim dhe ta mbajmë afër, ajo nuk do të flasë e largohet. Ka disa momente ku thotë e shpreh disa gjëra ose situata që ajo mendon se i ka kaluar kur në të vërtetë nuk i kanë ndodhur dhe kur ne e kundërshtojmë, bindet dhe bie dakord me ne. Jemi pak të shqetësuar mbi gjendjen e saj dhe ju drejtuam juve për të marrë një përgjigje të saktë mbi atë që ajo mund të ketë. Ju lutem, na ktheni sa më shpejt përgjigje. Punë të mbarë dhe faleminderit!
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Përshkrimi juaj është shumë i saktë, por është ende i pamjaftueshëm informacioni që unë të mund të vendos një diagnozë. Në këto raste, duhet sjellë patjetër motra 18 vjeçare, pasi gabimi në diagnostikim ka shumë pasoja jo vetëm për vonesën në trajtim, por edhe sepse ndodh siç thotë populli që, në vend që t’i vëmë vetullat, i nxjerrim sytë. Ju thoni që ndryshimi i saj erdhi që me fillimin e pjekurisë seksuale, pra, që në moshën 13 vjeçe, kur i filluan menstruacionet. Në këtë moshë, mjaft të rinj tremben se mos janë homoseksualë, pra, mund të vuajnë nga dyshime mbi identitetin seksual ose shëndetin dhe nuk e shprehin këtë. A mund të ketë ndodhur kështu edhe me motrën tuaj? Këtë e them sepse të rinjtë mund të futen si pa kuptuar në një fobi të tmerrshme që quhet homofobi. Vuajtjet e homofobisë janë vërtet pikëlluese pasi njeriu as nuk mund të jetë apo të bëhet homoseksual, por as nuk e heq dot frikën se mos është i tillë, aq sa mund t’i mbushet mendja top se është dhe të gjitha shenjat normale të dyseksualitetit i “përputhen” si shenja homoseksualiteti. Këtu i tremb më shumë edhe psikosomatikja, me ndjesitë e saj fallco, që quhen pseudondjesi. Raste të tilla unë kam trajtuar jo pak dhe megjithëse testet i nxjerrin 100 % hetero, ec e mbushua mendjen që s’janë homoseksualë, madje edhe vetë fjala “homo” u shkakton menjëherë ankth e depresion reagues. Homofobikët nuk i tregojnë përjetimet e dyshimet e tyre, sepse u vjen shumë turp nga familjarët e të afërmit, mezi hapen edhe me ne psikologët dhe megjithëse u themi që kemi bërë betimin e Hipokratit për të ruajtur sekretin e klientit, na luten e përgjërohen që të mos i tregojmë askujt. Disa nuk e tregojnë as emrin e vërtetë dhe kjo nuk na prish punë, disa të tjerë vijnë si fshehurazi, që të mos i shohin as të panjohurit. Shumica prej tyre rrinë e gërmojnë pareshtur në internet, pasi njeriu nuk e pranon që të mos marrë përgjigje për gjithçka e kur nuk i gjen dot, ose truri bën lloj-lloj shpikjesh, ose keqkuptohen shpjegimet e paqarta të internetit, duke krijuar një diagnozë të re që quhet saiberkondri e që është frika që krijon interneti. Edhe motra juaj, siç thoni ju, rri gjatë para internetit dhe noton nëpër detërat e informaciont të cilat i kthen në dezinformacion, aq sa i është bërë fiksim më vete interneti, ku futet e nuk di se ku të dalë. Në një rast si ky i juaji, që kam trajtuar vitin e kaluar, vajza rezultoi të ishte lesbike dhe këtë “fatkeqësi” të fshehtë, ajo nuk guxonte t’ua tregonte të afërmve dhe e ngushëllonte vetëm mendimi për të ikur në Amerikë, me idenë se atje, gejt e lesbiket janë të lirë ose, larg qoftë, e qetësonte mendimi për vetëvrasje. Duke qenë se prindërit i kishte fanatikë, as që bëhej fjalë që ajo t’ua tregonte atyre këtë “gjëmë”.
– Që në seancat e para, e qetësova vajzen, e binda për atë që quhet pranimi, pra, që njeriu ta pranojë identitetin e vet seksual, ashtu siç pranon të qenit zezak, i bardhë, apo mëngjarash. Sot, kjo vajzë është studente e shkëlqyer e Mjekësisë, ka gjetur shpirtin e vet binjak dhe nuk do t’ia dijë as për Amerikën e as për vetëvrasjen. Të më kuptoni, nuk po them se edhe motra juaj ka të njëjtin problem, por ajo me siguri e ka një problem jo pak serioz. Ndoshta mund të ketë një lloj sindromi që quhet “Sindromi i folesë boshe”, i cili konsiderohet si një gropë, si një boshllëk i madh të cilin, sido që përpiqet, ajo nuk e mbush dot. Ndoshta mund të ketë edhe depresion të maskuar, lloje depresioni këto të cilët mezi dallohen edhe nga psikiatrët, pasi nuk kanë shenjat tradicionale të depresionit. Ajo, siç duket, është vajzë e mbindjeshme dhe me shumë sedër e dinjitet, shto këtu edhe moshën delikate të adoleshencës, me problemet e veta, ndaj edhe ngacmuesit e jashtëm i “peshojnë” shumë. Fakti që mbyllet në vetvete e nuk flet shumë, tregon se ajo i di reagimet e kundërshtitë tuaja. Është lajm i mirë që bindet për vendet që i përshkruan ose situatat që ju i thoni se nuk kanë qenë reale. Fakti që bindet, tregon se vajza ose i thotë ato si tip “ekzibicionesh”, si për të lozur me ju, si për t’ju çuditur, ose ndodh tek ajo fenomeni Deja vu (shih në internet), pra, nuk ka qenë, por ka dëgjuar e i ka parë dhe i duket sikur ka qenë. Kjo e fundit, nuk është shenjë e ndonjë sëmundjeje psikotike, pasi të sëmurin me psikoza, sido që ta sqarosh, nuk e bind dot sepse ai është shumë i bindur për të gjitha ato që thotë, duke menduar se i “shikon” ose i “dëgjon” të gjitha me sytë e me veshët e vet.
Vajza ka nevojë për një diagnostikim të saktë jo nga psikiatri, por nga një psikolog klinicist që të shohë se çfarë i ka ndodhur në të kaluarën me jetën e saj, që e brengos, por e ruan në pavetëdijen e saj. Kontrolli nga psikologu duhet bërë pa i dhënë barnat nga psikiatri, pasi shpesh, ilaçet e psikiatrit, aq sa e qetësojnë pacientin, duke e vënë si në gjumë, po aq i “prishin” edhe ato shenja apo simptoma që të çojnë drejt diagnostikimit të saktë. Edhe diçka: Njerëzit që u “qepen” shumë internetit apo telenovelave, shpesh, krijojnë ide derealizimi, frikëra e disi edhe shmangie nga realiteti, pasi ngjarjet e frikshme e prekëse me shto ujë e shto miell, nuk kanë se si ta lënë të qetë e të patrazuar psikikën e “gjorë” e cila, normalisht, duhet të merret me punë të dobishme, me jetën reale…
Advertisement