Kompjuterat mund të bëjnë shumë gjëra në vendin tonë, siç e ilustron shpikja e re e Google. Grupe shkencëtarësh të Google dhe Stanfort kanë krijuar një program të aftë, jo për të njohur një objekt në fotot tuaja, por për të identifikuar gjithë skenën dhe emërtuar imazhin në anglisht, sipas një shkrimi të botuar në Nju Jork Tajms. Ky sistem i ri nëntitrash, i pagëzuar me emrin Neural Legend (NIC), bazohet te teknikat e të parit nga kompjuteri dhe trajtimit të gjuhës. Kërkuesit e Google thonë se janë frymëzuar nga përparimi i përkthimit automatik: «…një rrjet neuronesh transformon një frazë në frëngjisht në një përfaqësim vektorial dhe një tjetër rrjet e përdor këtë përfaqësim për të krijuar një frazë në gjermanisht». Në vend të rrjetit gjuhësor, studiesit përdorën një rrjet tjetër që shërben për të klasifikuar objektet në imazhe. Një rrjet, pra, kodon imazhin, ndërkohë që tjetri krijon një frazë shpjegimi. Sistemi është eksperimentuar me shumë imazhe të ndryshme. Cilësia e emërtimit të dhënë është vlerësuar si e kënaqshme nga një algoritëm që vlerëson cilësinë e përkthimeve mes gjuhëve. Kjo inteligjencë artificiale lejon para se gjithash të përmirësohet kërkimi i figurave në internet. «Kështu, mund të katalogohen më mirë dhe të kërkohen miliarda imazhe e video të disponueshme në internet, përshkrimi dhe arkivimi i të cilave shpesh është i keq. Për momentin, sitet e kërkimit si Google mbështeten shumë te gjuha e shkruar që shoqëron një video, ose një imazh, për të përcaktuar atë që ato përmbajnë». Po programi i ri do të jetë më i përparuar. «Për shembull, ndërkohë që një sistem njohjeje objekti klasik mund të jetë i aftë të njohë një mace dhe një peshk të kuq në një imazh, sistemi i ri mund të përcaktojë që skena përfaqëson në fakt një mace që kap një peshk, në një akuarium. I bashkuar me një bazë njohurish që përfshin marrëdhënien grabitqar-pre mes dy kafshëve, i njëjti sistem mund të jetë i aftë të parashikojë se peshku i kuq së shpejti do të përfundojë në kthetrat e maces dhe do të hahet prej saj». Në gazetë nënvizohet fakti se kjo teknologji, me kalimin e kohës, mund të ndihmojë të verbrit dhe ata me shikim të kufizuar, për të kuptuar përmbajtjen e një imazhi. Robotët e integruar në vetura mund të marrin vendime më të mira në funksion të kontekstit, por kjo mund të ketë pasoja edhe në efikasitetin e survejimit: «Këta 15 vjetët e fundit, kamerat e vëzhgimit janë vendosur në një numër të madhe hapësirash publike dhe private. Në të ardhmen, programi që i vë në punë këto kamera nuk do të jetë i aftë vetëm të identifikojë njerëz të caktuar, nëpërmjet njohjes së fytyrës, thonë ekspertët, por edhe disa lloje sjelljeje, mbase edhe të lajmërojë në mënyrë automatike autoritetet».
Advertisement