Shkrirja e kapuçit karbonik të Marsit çdo pranverë shkakton një formë të çuditshme erozioni. Gazi gërryen shkëmbin dhe lë prapa tij terrene në formë merimangash. David Boui kishte të drejtë kur u këndonte pranisë së merimangave në Mars? Po, por nuk bëhet fjalë për jashtëtokësorë, por për formacione gjeologjike të çuditshme. Alternimi i stinëve në planetin e kuq shkakton shfaqjen e formacioneve që NASA i quan «në formë merimangash». Është aparati fotografik me saktësi të lartë, HIRISE që na ka dhënë imazhet e para të këtij fenomeni spektakolar. Ky aparat është vendosur në sondën Mars Reconnaissance Orbiter, që qarkullon në një largësi afro 250 km nga toka marsiane. Gjatë misioneve të saj të shumta, kjo sondë ka fotografuar formacione gjeologjike që nuk ngjajnë me ato të Tokës. Fenomeni paraqitet në formën e krisjeve që nisen nga e njëjta qendër dhe shpërndahen si këmbët e merimangës rrotull trupit të saj. Kjo ndodh në pranverë, kur shkrihen kapuçët polarë marsianë. Këta nuk përbëhen nga akulli, por nga dioksidi i karbonit në formë të ngurtë. Ky akull karbonik ngrohet nga afrimi me diellin, por nuk shkrin; ai kalon direkt nga forma e ngrirë, në atë të gaztë. Gazi shkakton një fenomen gërryerjeje të tokës derisa ai gjen një rrugë për të dalë jashtë. Gjatë kalimit, akulli merr me vete pluhura të zinj, që më pas i shpërndan era. «Bëhet fjalë për një terren krejtësisht marsian. Ky lloj erozioni nuk është i mundur në Tokë sepse klima jonë është shumë e butë», shpjegojnë shkencëtarët. Ky shembull tregon pse në Mars ka çarje të tilla, të mbushura me akull të shndritshëm, që bëjnë kontrast me tokën e kuqe poshtë. Në verë, akulli zhduket në atmosferë dhe i lë këto gjurmë të çuditshme të gdhendura në sipërfaqe.
Advertisement