Të nderuar miq, zgjedhës dhe anëtarë të Partisë Kristian Demokrate!
Fjalët, mesazhet dhe mbështetja juaj këto dy ditë kritike kanë qenë për mua një burim i madh force dhe energjie. Përmes këtyre radhëve dua t’iu shpreh secilit prej jush mirënjohjen time të thellë për solidaritetin e treguar.
Gjykata e Lartë nuk dha sot thjeshtë një vendim, por tregoi se në këtë vend ka ende shpresa se jepet drejtësi. Ky vendim ishte njëherësh edhe një mesazh i fortë edhe për Kuvendin, i cili duke autorizuar arrestimin e dy deputetëve, shënoi një akt të paprecedent në historinë e jetës parlamentare, duke iu bindur verbërisht kërkesave antiligjore dhe antikushtetuese të organit të akuzës.
Të gjitha sulmet janë të motivuara politikisht, ku pjesë e kësaj lufte të neveritshme, fatkeqësisht tashmë është bërë edhe prokuroria. Shembull i qartë i këtij shpërdorimi është edhe akuza e radhës që më ka bërë kryeprokurori. Unë e kam deklaruar dhe po e them edhe sonte se nuk kam kryer asnjë krim dhe nuk jam dënuar as në Belgjikë dhe në asnjë vend të botës.
Unë do ta vazhdoj deri në fund betejën time ligjore dhe politike, me besimin që këtë mbështetje dhe solidaritet ta kthejmë bashkërisht në një fitore të madhe më 21 qershor 2015. I juaji, Mark Frroku. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i PKD-së.
Mark Frroku