– Përshëndetje avokat Albani! Unë që po ju shkruaj jam Hila nga Kamza. Që nga viti 1995 jam banor i qytetit të Kamzës dhe në fillim, nuk e kam paguar energjinë elektrike, deri në vitin 2009. Pas vitit 2009, katin e parë të vilës e kam bërë me lidhje të rregullt, me sahat, kurse në katin e dytë kam bërë lidhje me shtyllën. Nga vititi 2009 e këtej unë dal debitor ndaj OSSHE-së për katin e parë, kurse për katin e dytë, që kam bërë lidhje me shtyllën, nuk figuroj fare që kam djegur energji. A ka ndonjë rrugë ligjore për të shmangur debinë time ndaj shtetit për katin e parë dhe, nëse më kapin për lidhjen e katit të dytë që e kam bërë të paligjshme, a kam ndonjë penalitet?
Av. Drn. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, cel. 0692737706 & ++35544532512: – Përshëndetje zoti Hilë dhe ju falënderoj për letrën që i keni drejtuar rubrikës “Ju pyesni, avokati përgjigjet”! Lidhur me shqetësimin tuaj, nuk ka asnjë rrugë ligjore përsa i përket detyrimit tuaj të prapambetur. Ju jeni i detyruar t’i paguani këto detyrime pasi nuk ka asnjë akt nënligjor nga shteti shqiptar për t’i shuar ato. Unë ju këshilloj që t’i paguani detyrimet e prapambetura, madje shkoni menjëherë pranë zyrave të OSSHE-së në mënyrë që të bëni marrëveshje me këste për shlyerjen e detyrimeve, pasi do t’ju ndërpritet energjia.
– Përsa i përket shqetësimit të dytë, pra, për lidhjen që keni bërë me shtyllën, dua t’ju sqaroj se kjo është lidhje e paligjshme e energjisë elektrike dhe si e tillë, ka sanksione penale. Ju këshilloj që ta hiqni sa më parë këtë lidhje të paligjshme. Më lejoni t’ju informoj se kjo vepër penale sanksionohet në nenin 137 të Kodit Penal. Ky nen përcakton se: “Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike, përbën kundërvajte penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike dënohet me burgim gjer në tre vjet”.
– I nderuar zoti Hilë, ju këshilloj që urgjentisht të hiqni lidhjet e paligjshme, menjëherë ju duhet të shkoni pranë zyrave të OSSHE-së dhe të bëni kërkesë për të lidhur energjinë elektrike në katin e dytë të vilës. Gjithashtu, duhet të qartësoheni se detyrimet mbeten detyrime dhe si të tilla, ato nuk shuhen asnjëherë. Uroj të kem qenë i qartë me arsyetimin e mësipërm!
Advertisement