Miq të dashur, përballjet dhe përbaltjet që na solli zbatica politike në momentet e fundit ndërtuan murin tjetër të pengesës për njerëzit që duan të kontribuojnë për një Shqipëri më të mirë.
Tashmë një ngjarje e madhe politike ka ndodhur, për këdo që ka pak ideal për të bërë diçka për këtë vend, duke cituar një nga mesazhet e mbrëmshme që thotë: “…me dashuri dhe qetësi ky vend po shkon drejt ferrit / bëj grimcën tënde se na poshtëruan intelektin…”, ne të gjithë jemi vënë në një nga zgjedhjet më të vështira midis vetes dhe misionit tonë në këtë shoqëri.
Ajo çka është shpresëdhënëse dhe i jam mirënjohëse Zotit në këto momente, është që reagimet në rrjetet sociale tregojnë qartazi që nuk qenkemi “ne” pakica dhe “ata” shumica. Reagimet në këto rrjete, dhe çka është edhe me e bukur mbështetja që personalisht kam marrë nga qindra e qindra zonja dhe vajza që dalin në mbrojtje të një standardi tjetër, është tregues i të vërtetës që po thërret haptazi.
Miq të mi, çdo kohë ka betejat e veta dhe sa më shumë koha ecën, aq më e vështirë dhe e sofistikuar bëhet përplasja. Të marrësh vendime dhe qëndrime duke pranuar që do të sakrifikohesh në emër të një standardi tek i cili beson madje edhe në kundërshtim me instiktin për kundërpërgjigje, besoj fort është një pjesë e triumfit.
Duke falenderuar thellësisht për mbështetjen që më jepni me shpirt, po e mbyll duke rikujtuar një pjesëz të një bisede me miq dhe ndërkombëtare; ndërsa diskutonim për eksodin e ri të shqiptarëve, u thashë “ …po bëhet gjithçka që të na bëjnë të ikim nga ky vend, por do qëndrojmë sepse nuk lejojmë që ti bëjnë fëmijët tanë të ikin!”