– Përshëndetje zoti Balluku! Jam një emigrant që kam jetuar në Itali për 15 vjet. Në 10 vite kam punuar me letra të rregullta dhe me siguracione e taksa të paguara rregullisht. Kam dy vjet që jam larguar nga Italia, për shkak të papunësisë. Tashmë, kam emigruar në një shtet europian, por jam në dilemë për dy pyetje të miat, të cilat janë: A përfitoj ndonjë gjë nga 10 vitet e punës që kam qenë i siguruar? Si mund t’i marr ato vite pune dhe t’i bashkangjis me vitet në vijim?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues, së pari, do të desha të dija kodin fiskal që keni në Itali, ose datën kur keni filluar punë duke paguar kontributet për sigurimet shoqërore. Kjo, sepse ka dy vlerësime për të drejtën e lindjes së përfitimit për pension dhe llogaritjen e pensionit të pleqërisë. Duke filluar nga 01.01.2012, personat në posedim të një vjetërsie kontributive më 31.12.1995, mund të kenë të drejtën për pension pleqërie, vetëm në plotësimin e një vjetërsie kontributive të barabartë me 20 vite, të njohura si kontribute të derdhura, ose të njohura nga forma të tjera sigurimi. Ndërsa ata persona që janë regjistruar dhe kanë paguar kontribute mbas datës 01.01.1996, trajtohen ndryshe.
– Për këtë kategori personash, mund të përfitohet pension me plotësimin e moshës 70 vjeç dhe me 5 vite kontribute efektive, duke përjashtuar kontributet e njohura si kontribute figurative (shërbimi ushtarak, sëmundje e paaftësi për punë, leje lindjeje, dhurim gjaku etj.), që nuk përfshihen në shumën e pensionit. Duke filluar nga janari i viti 2013 deri në dhjetor të vitit 2015, kërkesa për moshën për 70 vjeç, do të rritet me 3 muaj për efekt të ndryshimit të indeksit të rritjes së jetëgjatësisë, pra, në moshën 70 vjeç e 3 muaj. Përsa i përket pyetjes së dytë, në rast se jeni në një shtet pjesëtar në BE, pa diskutim që ka marrëveshje dypalëshe me shtetin italian për njohjen reciproke të vjetërsisë kontributive dhe për bashkimin e tyre. Në këtë mënyrë, duke patur vjetërsi kontributive në të dyja shtetet, në rast të lindjes së të drejtës për përfitime, ju do të bëni kërkesë për bashkimin e periudhës kontributive me Italinë dhe në shtetin ku jeni aktualisht rezident. Përllogaritja e pensionit tuaj do të bëhet duke bërë bashkimin e dy periudhave kontributive dhe kjo do të jetë baza, sipas legjislacionit të dy shteteve, si përsa i përket të drejtës për përfitimin e pensionit, ashtu edhe për masën e pensionit që mund të përfitoni. Ju falënderoj për besimin.
Advertisement