– Përshëndetje, i nderuar avokat! Jam një qytetar nga Elbasani dhe kam që në vitin 1995, që kam shkuar emigrant në Greqi. Gjatë kësaj kohe, kam bërë punë nga më të rëndomtat, si: Murator, punëtor ngarkim-shkarkimi, saldator, bojaxhi dhe shumë profesione të vështira të cilat i bëjnë shqiptarët kur janë emigrantë. Vëllai im, në vitin 2005, më tha se kishte hapur një kompani ndërtimi. Atij i duheshin para për të zhvilluar kompaninë dhe m’i kërkoi borxh. Unë u tregova i gatshëm për ta ndihmuar, pasi ky është mentaliteti i familjes sonë dhe i shqiptarëve në përgjithësi. Shuma totale që i kam dhënë vëllait është 80.000 euro. Në vitin 2014, u ktheva në Shqipëri pasi humba vendin e punës në Greqi. I kërkova vëllait të më kthente pagesën e marrë hua, pasi unë nuk kam në Shqipëri dhe Greqi as shtëpi dhe asnjë kursim. Ai më tha se është i zhytur në kredi dhe se ka falimentuar, megjithatë, paratë që më ka marrë, nuk i mohon. Gjithashtu, në dhjetor 2014 ne kemi bërë deklaratë noteriale te noteri se ai më ka 80.000 euro borxh dhe se do të m’i kthejë në dhjetor 2015. I nderuar avokat, pyetja ime është: Nëse mbaron ky afat dhe vëllai nuk m’i kthen paratë, a jam i mbrojtur unë me këtë deklaratë noteriale?
Av. Drn. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlaë.com, cel. 0692737706 & ++35544532512: – I nderuar zotëri, fillimisht, më vjen keq për atë që ju ka ndodhur! Përsa i përket pyetjes që ju shtroni, më vjen mirë që keni bërë kontratë më vëllain tuaj për pagesën që ju ka hua! Ajo çfarë unë vërej nga praktika e përditshme si avokat është se shumica e huadhënësve janë njerëz të afërm si: Motër, vëlla, kushërinj, etj., të cilët në mirëbesim, për t’i ndihmuar të afërmit e tyre, u japin hua, madje edhe pa kontratë. Pastaj, kur vjen puna te kthimi i huasë, neglizhojnë afatet etj. Kjo, pasi shumica e njerëzve nuk janë korrektë lidhur me shumat që marrin dhe me zbatimin e afateve.
– Nëse do të më kishit pyetur përpara firmosjes së deklaratës noteriale, unë do t’ju këshilloja që noteri të përpilonte deklaratë noteriale, ku të linit garanci në rast moskthimi të shumës, në afatin e përcaktuar në deklaratën noteriale. Pra, në momentin që afati do të tejkalohej, atëhere ju do të shkonit në gjykatën që keni përcaktuar në deklaratën noteriale, për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe pas vendimit përfundimtar, nxjerrjes së urdhërit të ekzekutimit, do t’i drejtoheni zyrës së përmbarimit privat ose shtetëror për të bërë ekzekutimin e deklaratës noteriale. Më pas, zyra e përmbarimit kryen të gjitha procedurat që janë përcaktuar te Kodi i Procedurës Civile, për ta nxjerrë pronën në ankand. Zyra e përmbarimit përcakton edhe vlerën e pronës, pasi mund të ndodhë që prona ta ketë vlerën më të madhe. Nëse në ankand kjo pronë nuk shitet, atëhere pronësia kalon mbi huadhënësin.
– Në rastin konkret, procedura që ju do të ndiqni është që t’i drejtoheni gjykatës me kërkesë për të nxjerrë urdhërin e ekzekutimit të deklaratës noteriale. Ky gjyq, zhvillohet pa palë dhe është me një seancë. Pasi del urdhëri i ekzekutimit, sërish do t’i drejtoheni zyrës së përmbarimit për të bërë ekzekutimin e shumës që ju është marrë hua. Zyra e Përmbarimit kryen të gjitha procedurat e nevojshme, të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile si, kërkon të vendoset sekuestro mbi: llogaritë bankare të debitorit, pronat e paluajtshme, mjetet e transportit. Pasi vendoset sekuestro, i drejtohet debitorit me shkresë për ekzekutim vullnetar brenda 10 ditëve. Nëse brenda këtij afati nuk paguhet shuma e marrë hua, zyra e përmbarimit vazhdon me ekzekutimin e detyrueshëm. Nëse shuma që është bllokuar në bankë është e njëjtë me atë të marrë hua, përmbarimi i kalon ato në llogarinë e kreditorit dhe heq sekuestron mbi pasuritë e paluajtshme ose mjetet e transportit. Në përfundim të arsyetimit të përgjigjes, mund t’ju them se nëse vëllai juaj ka para në llogari bankare, ka prona të paluajtshme dhe të luajtshme të cilat nuk janë vendosur garanci, ju këto para i keni të marra. Në rast të kundërt, do të prisni derisa të likuidohen kreditorët përpara jush dhe më vonë, të likujdoheni ju. Jeni të mirëpritur në Studio Ligjore “Duraj” për të kryer procedurën e nevojshme ligjore, për t’iu drejtuar gjykatës.
Advertisement