– Përshëndetje psikolog! Jam një vajzë që kam mbaruar universitetin, por që bëj një punë tjetër nga profili im dhe nuk jam fare e kënaqur. Kam kërkuar punë tjetër, por është e pamundur, të gjithë më thonë që duhet të mbaj këtë punë që kam. Pyetja ime është: Si të gjej kënaqësi në një punë që më është kthyer në stres?
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Pyetja juaj, e thjeshtë në dukje, nuk është e lehtë për përgjigje. Është ky një problem që po t’i futemi ta studiojmë, do të dalë se i përket shumicës. Një hulumtim me 3000 të rritur, që u organizua nga institucioni studimor Lifetime në Britani, zbuloi se 48 % e punonjësve ishin të palumtur në punën e tyre, e cila, edhe pse u sillte fitime, u jepte pak kënaqësi në jetë. 61 % e tyre thanë se po të kishim një “shkop magjik”, do të donin një karrierë të re… Më të palumturit (dyfish) dilnin punonjësit e zyrave, ndërsa mbi 2/3 e të anketuarve besonin se do të ishin të kënaqur po të ishin të vetëpunësuar (shihni për këtë vvvvvv.lifetime.co.uk).
Problemi yt, e nderuar letërshkruese, është se puna që bën, nuk është në profilin tënd dhe në vend që të thuash “shyqyr që e kam një punë”, ajo të është kthyer në stres. Kjo që ndodh me ju, ndodh edhe me shumë të tjerë që nuk shohin ushtrinë e madhe të të papunëve. Disave u është bërë puna si rutinë, si lodhje e përditshme, mendojnë vetëm minuset e saj, u është bërë si obsesion i keq, janë të detyruar që të mos e lënë atë punë pa gjetur një tjetër, sepse mbetja pa punë e pa para, do t’i bënte ata më të mjeruar. Nuk mund të bësh një plan “arratie”, pa e ditur më parë se nga do t’ia mbash… Mos e mbyll një portë, pa e hapur një tjetër, ndërkohë që ti kërkoje një punë të re siç e dëshiron, lëviz, apliko, trokit… Kur dikush të tregon apo të propozon një punë të re, shko të bisedosh me të, edhe sikur të të interesojë pak. Kurrë mos ia mbyll derën një rasti, derisa ka mundësi të dëgjosh një ofertë personalisht. Ndodh edhe siç thotë populli, që te ferra e vogël, mund të fshihet lepuri i madh dhe anasjelltas: aty ku të thonë se ka gorica shumë, merre shportën të vogël. Amerikanët thonë: “Mësohu të dëgjosh: rasti troket shumë lehtë në derë”. Ky postulat nuk është vetëm për punën; ai vlen për të gjitha: për martesën, për turizmin, biznesin etj. Ne psikologët themi: Ushqe mendime e bëj plane të mëdha, por shijo kënaqësi të vogla. Në rastin tënd, kënaqu tek ajo punë qoftë edhe vetëm me pagën që merr dhe mos ik nga ajo pa gjetur tjetrën!
Më ka pëlqyer një thënie te libri “Sekreti”: “Kërko një herë, beso se e ke marrë atë që ke kërkuar dhe gjëja e parë që duhet të bësh për të pasur atë, është të ndihesh mirë me atë që po bën. Do të marrësh gjithçka që ti dëshiron, nëse do të kesh besim. Fuqia e mirënjohjes qëndron më lart sesa gjithçka tjetër… E pamundur të tërheqësh me shumë gjëra në jetë, nëse nuk je mirënjohës për ato që ke…” Besoj se u kuptuam.
Në jetë duhet të bëjmë plane të realizueshme dhe siç thotë populli, me këmbë në tokë e “mat e pre”. Nëse dikush vuan gjithë jetën për diçka që e synon, por shkërmoqet e lodhet shumë e mezi e arrin, atëhere lind pyetja: Kur do ta shijosh ti atë që të duhet? Kënaqu që trëndafili ka ngjyrat e aromat dhe mos u përqendro te gjembat. Mos e dëgjo shumë “zërin tënd” të brendshëm që mundohet të ta bëjë obsesion të keq punën, se ai, siç thotë populli, është një zë “shejtani”. Punë nuk është vetëm ajo që dëshiron, punë është çdo punë që ti po e bën.
Advertisement