Qëkur në vitin 2010 vuri në kokë kurorën e “Miss Shqipëria”, me sa duket, e përcaktoi televizionin si destinacionin e ardhshëm. Që atëhere, Nevina e ka pasuruar cv-në e saj me eksperienca të ndryshme, si bashkëprezantimi krah Ardit Gjebreas në festivalin Kënga Magjike, prezantimi i “Netët e klipit shqiptar” apo aktualisht, si moderatore e misionit “Mad Geeks” në Mad Tv. Nevina na tregon rrugëtimin që ka bërë deri këtu, si ka ndryshuar jeta e saj dhe si e ka programuar vitin 2015…
Mia.B: – Nevina, udhëtimi yt ka qenë nga ata klasikët: Nga Miss, në një vajzë televizioni. Ai u bëre pjesë e Mad Tv, pas një propozimi të cilit i the “Po”?
Nevina Shtylla: – U futa në MAD Tv falë pjesëmarrjes në audicione, sikurse ndodhi dhe me prezantuesit e tjerë. Që prej shpalljes Miss Shqipëria, kuptova se televizioni përbënte një interes të veçantë për mua. Më në fund, kjo dëshirë e madhe u finalizua me rolin si moderatore e emisionit “MAD Geeks”.
– Një ndër eksperiencat mjaft interesante për ty mendoj se ishte edhe bashkëprezantimi i Këngës Magjike, krah Arditit. Çfarë more nga ajo eksperiencë?
– Përveçse një mundësi e madhe që rrallë u vjen edhe prezantuesve që kanë vite në ekran, shërbeu edhe si një kurs i mirë intensiv. Mësuam shumë dhe mbi të gjitha, na vlejti përballja me një skenë gjigande dhe me një publik të madh. Në vetëm pak kohë, jam e idesë se e realizuam me sukses misionin tonë. (Buzëqesh)
– Në moshën 16 vjeçare ti fitove kurorën e edicionit të 12 të konkursit të bukurisë “Mis Shqipëria”… Çfarë dyersh të hapi ajo kurorë?
– Prej mbrëmjes në të cilën u kurorëzova Miss, lindi edhe dashuria ime për televizionin. Fillimisht, ofertat ishin të shumta për sfilata e modelim dhe më pas m’u dha mundësia të prezantoja edhe “Netët e Klipit Shqiptar”. Gjithë kjo përvojë shërbeu si një trampolinë për në emisionin javor, që tashmë prezantoj që prej 6 muajsh.
– Je me origjine nga Korça… Më mirë korçare apo tiranase?
– (Qesh) Unë kam lindur në Tiranë, por pavarësisht kësaj, nuk humbas rast pa e shprehur se me origjinë jam nga Korça. Si Tirana, ashtu edhe Korça kanë të mirat dhe të këqiat e veta. Ndërkohë që në Tiranë jetoj, Korçën preferoj ta vizitoj herë pas here. Nuk di të them se cila është më mirë.
– E ke dëgjuar atë shprehjen “O korçare, o hiç fare”?
– Po, sigurisht. (Qesh)
– Më thuaj, pse ka dalë kjo shprehje?
– Jam e bindur se lidhet me vlerat për të cilat shquhen vajzat korçare.
– Më thuaj diçka më shumë rreth “Mad Geeks”…
– “MAD Geeks” është i vetmi emision në Shqipëri që i dedikohet plotësisht teknologjisë. Unë vetë studioj për Teknologji Informacioni e Komunikimi dhe për këtë arsye u mendova prej stafit drejtues si personi më i përshtatshëm për drejtimin e një emisioni me këtë tematikë. “MAD Geeks” transmetohet çdo të mërkurë në 18:00 dhe ritransmetohet çdo të enjte dhe të shtunë. Deri tani kemi arritur suksesin e dëshiruar për të patur një fillim të mbarë. Është pritur mirë dhe më gëzon fakti që të rinjtë shqiptarë po tregojnë gjithnjë e më shumë interes ndaj inovavioneve teknologjike që sjellin ditët e sotme.
– Çfarë e bën të veçantë atë nga emisionet e tjera?
– Vetë tematika e tij e diferencon nga çdo emision tjetër. Sigurisht, ndërthurja me muzikën e bën akoma më interesant. Ndërkohë që çdo ditë lajmet gossip nuk mungojnë kurrë, jam e bindjes se ia vlen gjithashtu të marrësh edhe një informacion mbi teknologjinë, e cila tashmë mund të them pa frikë se është e ardhmja jonë.
– Të ka ndodhur ta kesh nisur diçka si një lojë të rastësishme dhe të ka rezultuar krejtësisht ndryshe?
– Unë vendimet i marr duke u bazuar te dëshirat e mia dhe jo në detyrime. Nuk mund të them se kam nisur diçka si një lojë, por mund të them se shpesh kam nisur diçka e më pas synimet e mia janë rritur.
– Cila është eksperienca që mban vendin e parë në Cv-në tënde?
– Fatmirësisht, CV-ja ime dita-ditës po mbushet. Në fushën që kam zgjedhur të ndjek tani, sigurisht, vendin e parë e mban MAD Geeks dhe Kënga Magjike, por në të ardhmen shpresoj të kem akoma më shumë eksperienca për të përmendur.
– Çfarë mungon ende në listën e eksperiencave të tua?
– Eksperiencat nuk janë kurrë mjaftueshëm. Unë kam ende rrugë për të bërë dhe shumë eksperienca për të fituar. Në të ardhmen, do të kisha dëshirë ta sfidoja veten me projekte dhe më të mëdha dhe me më shumë përgjegjësi.
– Një nga Misset tona, Almeda Abazi, pas kurorëzimi, vendosi të largohej nga Shqipëria drejt Turqisë, ku po bën një jetë artistike të suksesshme pasi sipas saj, Shqipëria nuk e vlerësoi. Çfarë do të thoje rreth kësaj?
– Është fenomen i njohur ky që shqiptarët ta gjejnë veten më mirë në vende të tjera. Ka shumë faktorë që ndikojnë, por jam e bindjes se shumë shpejt, edhe në Shqipëri, diçka do të ndryshojë për mirë.
– Mendon se me ty fati është treguar më bujar?
– Unë kam punuar shumë dhe përpjekjet e mia kanë qenë të mëdha derisa arrita këtu ku jam sot. Më sipër thuhet se Shqipëria nuk vlerëson. Po të ishte realiteti ndryshe, atëherë po, do të thoja: Ishte fat!
– Të jesh e suksesshme, do të thotë të jesh e bukur?
– Suksesi, jo detyrimisht, lidhet me bukurinë. Bukuria të ndihmon, por pa vullnet e përkushtim, nuk arrin larg.
– Si i kaloje ditët kur ishe thjesht Nevina?
– Me rutinën e çdo moshatareje. Shkolla zinte pjesën më të madhe të ditës sime. Kohën e lirë e kaloja me prindërit dhe familjen. Isha më e lirë të ndiqja edhe shumë prej hobeve të mia.
– Po sot, si është një 24 orësh i yti?
– Sot, sigurisht, nuk mungon një pjesë e mirë e kohës të cilën ia dedikoj shkollës, familjes dhe miqve, por puna është kthyer në një nga pasionet e mia më të rëndësishme. Nuk ka ditë që të mos mendoj se çfarë do të bëj në puntatën e ardhshme të “MAD Geeks”. Gjatë ditës, shpesh më gjen me Ipad në dorë duke kërkuar informacionet më interesante për t’ia përcjellë publikut.
– Ka ndryshuar diçka në karakterin tënd tani?
– Jam bërë më e pjekur dhe më e fortë për t’u përballur edhe me situata të vështira. Veç këtyre, jam po e njëjta Nevina që kam qenë edhe më parë.
– Cili është personi që të nxit gjithmonë?
– Prindërit e mi janë mbështetja ime kryesore. Janë ata që më ndihmojnë në çdo gjë dhe nuk më lënë kurrë të kem dyshim te vetja ime. Pa ta, nuk do të isha kjo që jam sot.
– Si i pret familja vendimet e tua? E ke gjithmonë mbështetjen e tyre apo ka një kufi që s’duhet kaluar?
– Familja më ka mësuar ta ndaj të mirën nga e keqja dhe duke qenë kështu, ata tashmë kanë besimin maksimal në vendimet e mia. Me prindërit këshillohem për çdo gjë dhe ata më ndihmojnë të zgjedh rrugën e duhur. Nuk ka një kufi. Mundohen gjithmonë të bëjnë më të mirën e mundshme.
– Si do ta priste familja jote nëse do të pranoje një rol paksa provokativ në ndonjë film?
– Pyetja e parë është, a do ta pranoja? (Qesh) Nuk besoj se do të pranoja të bëja diçka jashtë karakterit tim. Të jem protagoniste në një film është diçka që do ta provoja me kënaqësi, por nëse do të më caktohej një rol që nuk përshtatet me karakterin tim, dyshoj se do ta realizoja mirë.
– Si titullohet filmi i fundit që ke parë?
– “Interstellar”. E pashë në kinema. Ishte një koncept futurist dhe përshtatej shumë edhe me atë lloj zhanri që unë pëlqej.
– Në ditët që jetojmë, është më mirë të jesh realiste apo idealiste?
– Është më mirë të jemi idealistë atëhere kur duhet dhe realistë, atëhere kur duhet. Një ndërthurje e të dyjave do të ishte perfekte.
– Në lidhje me djemtë, të pëlqen të zgjedhësh apo të jesh e zgjedhur?
– As njëra dhe as tjetra. Preferoj që gjithçka t’i mbetet rastësisë, në varësi të rrethanave dhe situatës.
– Si është ai që të ka zgjedhur?
– Nuk besoj se dikush bën zgjedhje, por sidoqoftë, kjo është një pjesë e jetës të cilën preferoj ta mbaj private.
– Çfarë të tremb?
– Do të më trembte ideja që një ditë të mos kisha pranë familjen time. Veç kësaj, asgjë tjetër.
– Çfarë do të të bënte të pendoheshe që ke zgjedhur këtë rrugë?
– Nëse kjo zgjedhje e imja do të dëmtonte në çfarëdolloj mënyre, familjen time.
– Ke kapriço apo vese?
– Vese jo, kapriço besoj se duhet të kem pak, si çdo qenie tjetër njerëzore.
– Nëse do riktheheshim pas në kohë, unë do të të shikoja mjaft interesante me lukun e viteve 60’-70’… Ti vetë, cilën periudhë sheh si më interesante?
– (Buzëqesh) Bazuar në historinë e Shqipërisë, them se kjo periudhë është idealja, por edhe mua do të më pëlqente të jetoja një periudhë të shkurtër në ato vite e ndoshta të takoja disa prej ikonave më të njohura të modes së asaj kohe.
– Si ke planifikuar ta mbushësh vitin 2015?
– Do të vazhdoj të impenjohem me emisionin tim dhe shpresoj të kem mundësi të bëhem pjesë edhe e shumë projekteve te tjera.
– Me çfarë pret ta finalizosh këtë vit?
– Do t’ia lë kohës të ma zbulojë. (Buzëqesh)