Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Amos Muji Zaharia: Kupën e meritonte Evi!

Amos Muji Zaharia, tashmë nuk është vetëm aktor, por edhe një balerin i shkëlqyer, pasi ia doli që të ishte në treshen e kualifikuar të garës së yjeve në “Dancing vvith the Stars”. I gjendur mes dy vajzave të tjera, Evi Reçit dhe Tuna Sejdiut, nuk mundi të ishte triumfues, por kjo gjë nuk e ka shqetësuar Amosin. Ai ka marrë dhe ka dhënë kaq shumë në këtë spektakël dhe simpatia e publikut është mjaftueshëm për të. Pas Dancingut, për të, rikthehen provat në teatër, pasi djaloshin brun, simpatik e shumë të qeshur do ta ndjekim në një komedi në Teatrin Kombëtar. Por, ndërkohë, le të flasim për Dancingun dhe, sigurisht… edhe për Adelën!

Enkeleda Kurcani: – Amos, ishe një ndër tre finalistët në Dancing. Je i mërzitur që nuk ngrite kupën?
Amos Muji Zaharia: – Të them të drejtën, aspak. Mendoj se trofeu i vërtetë ishte të fitoje simpatinë e publikut dhe të ballafaqoheshe me dinjitet në finale. Mora shumë më shumë seç prisja dhe, për këtë, falënderoj të gjithë përkrahësit.
– Pritej fitorja e Tunës? Kishte thashetheme vërdallë?
– Duke qenë se ishte personazhi më i lakuar, në njëfarë mënyre pritej, aq më tepër që, në puntatën e parë, Aulona e tha me zë të lartë se ajo ishte fituesja.
– Ti, kujt do t’ia jepje kupën, Tunës apo Evit?
– Kjo është totalisht çështje subjektive, por të them të drejtën, unë kam qenë fans i Evit që në puntatat e para. Për mua, ajo e meritonte kupën.
– Paso Doble në natën finale ishte një super performancë, të cilën e vlerësoi maksimalisht juria. Mbetet kërcimi yt i preferuar, apo jo?
– Mua, kërcimi që më ka shijuar më shumë ka qenë tangoja e puntatës së dytë. Megjithatë, çdo kërcim kishte karakterin e vet dhe në njëfarë mënyre, i kam shijuar të gjithë.
– Gjatë spektaklit, ka pasur edhe net mjaft të veçanta. Cila ka qenë e preferuara jote?
– Nga këto netët e veçanta, më ka shijuar shumë ajo e populloreve dhe nata e nacionaliteteve.
– Në natën Disney, zgjodhe ti të ishe Mogli, apo kështu u vendos? Të pëlqen Mogli si personazh?
– Unë, dëshirën e kisha për të bërë Aladinin, por produksioni vendosi ndryshe. Mogli është një personazh shumë simpatik Disney, por jo shumë i njohur në shoqërinë tonë.
– E, meqë jemi këtu, cili nga filmat Disney të pëlqen më shumë?
– Të gjithë, pa përjashtim, janë si gishtat e një dore, nuk i ndaj dot. Për mua, të gjithë filmat Disney janë kryevepra. Unë jam rritur me ta dhe jam shumë i lumtur për këtë.
– Si përfundim, pate rezultate shumë të mira falë punës, apo edhe një çikë talenti?
– Siç thotë edhe populli, 1% talent dhe 99% punë. I jam dedikuar shumë spektaklit dhe, ç’është e vërteta, paralelisht, kam punuar edhe për shfaqjen “Elektra” të Sofokliut. Do kisha dashur të kisha më shumë kohë dhe energji për Dancingun.
– Ke marrë mesazhe nga fanset femra gjatë këtyre 12 javëve?
– Jo vetëm gjatë javës finale, por edhe gjatë gjithë spektaklit. Më vjen mirë që, ajo që unë dhe Adela reflektonim, ishte një energji pozitive dhe modesti.
– Cili nga anëtarët e jurisë ka qenë më kritiku?
– Nuk mund të them më kritiku, por më i drejtpërdrejti, ishte profesor Kaçinari. Këtë nuk e them si një mospëlqim nga ana ime, por si një fakt që, ç’është e vërteta, më ka bërë mirë sepse më ka detyruar të përpiqem t’i “vjedh” komente pozitive.
– Ema, sipas votave, rezultoi të ishte më e mira nga anëtarët e jurisë…
– Nuk e di fare këtë punën e votave. Emën e kam pasur pedagoge dhe e respektoj shumë për natyrën e saj sportive dhe të qeshur.
– E ke karakterizuar veten si tip të vështirë dhe falënderove Adelën që ka pasur durim që të merrej me ty. Në ç`kuptim, je i vështirë?
– Natyrë e hallakatur shumë. Kjo, edhe si pasojë e faktit që po punoja për “Elektrën”. Adel ishte personi që nuk më linte një sekondë pauzë, kërkonte gjithmonë që kohën në dispozicion ta shfrytëzonim plotësisht. E falënderoj jashtë mase për këtë.
– Në fakt, si kanë kaluar orët e provave?
– Punë, punë, punë, pesë minuta pushim, pastaj punë, punë, punë dhe, ndonjë ulërimë kur plaste ndonjë sherr inoçent për çështje hapash.
– Në klipin ku kishit folur për balerinët profesionistë, i the Adelës që i kishe treguar mamit dhe babit për të. Nuk po dimë si ta ndajmë shakanë nga e vërteta, Amos…
– Është shaka, nuk diskutohet. Në qoftë se diçka serioze do kishte në “shesh”, nuk do ta flisja fare përpara kamerave. Jam përpjekur ta parodizioj pak atë pjesë.
– Më parë, ti nuk ke qenë kaq mediatik. Ka qenë zgjedhja jote, apo tashmë po ecën përpjetë edhe karriera jote si aktor?
– Në botën e kinemasë dhe të teatrit kam qenë i njohur për të gjithë, por si teatri, ashtu edhe filmi, janë mediume që duhet t`i ndjekësh, nuk janë si televizioni, që është i pranishëm në shtëpinë e çdo shqiptari.
– Nuk ndodh çdo ditë të intervistosh kunatin e një Princi. Si janë marrëdhëniet mes kunetërish?
– Unë dhe Leka jemi shokë dhe flasim për çështje nga më të ndryshmet. U mërzit shumë kur trofeun nuk e ngrita unë.
– Do t’ia mësosh një vals aristokrat Elias?
– Elias tashmë ia kam mësuar. Natën e Krishtlindjeve, me atë punë jam marrë.
– Kërcimi me Yllkën, mamanë e merituar, më fal, Artisten e Merituar… si rezultoi?
– Këtë është mirë ta gjykojë publiku. Nga ç’më kanë thënë, ishte shumë emocionues dhe shumë njerëz kishin qarë. S`kam marrë akoma guximin ta shoh, sepse ndihem vërtet i emocionuar nga çfarë më kanë thënë dhe nuk dua të më krijohet tjetër përshtypje po e pashë.
– Do të na e bësh dallimin mes dy partnereve, Yllkës dhe Adelës?
– Adela është profesioniste; Yllka është mama.
– Shfaqja teatrale “Elektra” dhe filmi “Amanet” ishin dy suksese të tuat, ndërkohë që shijoje edhe Dancingun. Si është të mbash tre kunguj në një sqetull?
– Do të më ishin dashur disa sqetulla borxh, por kur vjen puna te suksesi, ajo që mund të bësh, është thjesht ta shijosh, duke mos harruar kurrë që modestia është çelësi i një rruge të gjatë.
– Si ishte eksperienca në film dhe në shfaqje?
– Nuk i kam për herë të parë, as filmin, as teatrin. Për mua, filmi tashmë është jeta ime. Kam interpretuar që në moshë të vogël me aktorë të mëdhenj si Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Ferdinand Radi, Bujar Asqeriu etj.
– Kush është “kungulli” i radhës që do të duhet të mbash?
– Këtë herë do të dalim nga mesi i marsit me një komedi të Çehovit, nga Driada Dervishi. Pjesa është shumë interesante dhe me personazhe tejet simpatikë. Janë edhe disa filma në horizont, por është herët për të folur.
– Kur ka shfaqje apo filma në institucionet përkatëse, i ndjek ato?
– Po, jam ndjekës i rregullt i teatrit dhe filmit shqiptar. Më intereson shumë të kuptoj në çfarë ujërash po lëvron teatri dhe kinemaja shqiptare.
– Çfarë bënit pas përfundimit të Dancingut, të hënave?
– Shkoja në prova në teatër.
– E keni testuar të kërceni edhe në ndonjë ambient në Tiranë, apo ka mjaftuar skena e Dancingut?
– Nëpër lokalet lart e poshtë, muzika, pak a shumë, e njëjta është. Mund të kërcej për qejfin tim, pa e patur mendjen te hapat.
– Pas përfundimit të kësaj eksperience, çfarë i thua vetes?
– Falënderoj gjithësinë për dhuratat që më ka bërë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Teuta Selimi: Kujt i duket vetja e bukur, të shkojë në garë bukurie!

Next Post

Shpjegimi i endrrave tuaja...

Advertisement