E njihni këtë emër? Mund ta keni dëgjuar kohët e fundit, por ju sigurojmë se do ta dëgjoni shumë më shpesh në të ardhmen. Ai është djali për të cilin po flitet aq shumë së fundi, sidomos pasi Kim Kardashian e shpërndau koverin e tij në faqen e saj zyrtare.
Alberti është një këngëtar shqiptar me banim në Nju Jork, që ka arritur të menaxhohet nga Kenju Uest dhe Jay Z. A do të jetë ai që do të pasojë suksesin e Rita Orës, tashmë në versionin mashkullor, në botën e muzikës? Ne besojmë se po, ia urojmë këtë dhe mezi po e presim singëllin e tij… Ndërkohë, Stanaj pranoi me kënaqësi të jepte një intervistë për lexuesit e “Intervistës”, duke e pranuar me kënaqësi ftesën tonë dhe ne, pasi kemi sjellë disa herë për ju ekskluzivisht emra të njohur botërorë në faqet tona, tani është radha e Stanajt… Lexim të këndshëm!
Arlis Alikaj: – Përshëndetje Albert!
Albert Stanaj: – Përshëndetje “Intervista”, përshëndetje Shqipëria!
– Çfarë po bëni në këtë moment që po flasim?
– Po shijoj kohën e mrekullueshme me diell në Kaliforni, jam shumë mirë dhe uroj që edhe ju të jeni mirë.
– Ku ju gjen kjo intervistë?
– Për momentin, ndodhem në Los Anxhelos, duke përgatitur projektin tim të lançimit në treg.
– Është pikërisht mënyra se si po lançoheni në treg, ajo që na shtyu t’ju bëjmë këtë intervistë… Ju, me sa duket, jeni një shqiptar tjetër që po menaxhoheni nga yjet e muzikës… A mund të na tregoni më shumë detaje rreth këtij suksesi që ju trokiti në derë?
– Unë jam një djalë i ri që e adhuroj muzikën dhe po punoj fort për të bërë emër. Gjithçka lindi duke hedhur kovera në youtube… Me sa duket, ato u pëlqyen shumë dhe ranë në veshët e duhur, pasi tani po punoj me prodhues të mëdhenj të industrisë muzikore në botë, tekstshkrues dhe artistë. Nuk mund t’ju them më shumë, pasi përveç faktit që kjo është pjesë e kontratës, dua edhe t’jua lë surprizë. (buzëqesh).
– Dimë që jeni me origjinë nga Kosova dhe keni emigruar në Amerikë. Sa kohë keni aty?
– Në fakt, unë kam lindur dhe jam rritur në Nju Jork, ndërsa prindërit e mi janë nga malësia e Malit të Zi. Vitin e fundit kam jetuar për njëfarë kohe edhe në Kaliforni…
– Si do ta komentonit mundësinë që patët për të punuar me Jay Z dhe Kanye VVest?
– E quaj veten me fat që kjo ndodhi. Kam qenë vërtet i bekuar që arrita të krijoj këto lidhje në botën e muzikës!
– Çfarë mendoni se pëlqyen më shumë te ju, duke ju veçuar nga të rinjtë e tjerë me talent në muzikë?
– Keni të drejtë… këtu ka shumë të rinj të talentuar që janë gjithashtu edhe këngëtarë të mrekullueshëm, vetëm se unë kam qenë me fat që kam skuadrën e duhur që më çoi aty ku unë dua.
– Jay Z do të menaxhojë karrierën tuaj. Cilat janë disa nga planet tuaja më të afërta?
– Po, ai do të punojë me mua në studion e tij për të realizuar muzikën më të mirë të mundshme. Kjo është e vetmja gjë ku ne jemi përqendruar tani, duke qenë se ai e pëlqeu vokalin tim dhe siç më tha, me këtë vokal, mund të bëhen gjëra të mahnitshme.
– Si u ndjetë kur Kim Kardashian e shpërndau koverin tuaj në faqjen e saj me miliona fansa?
– Ai ishte ekspozimi më i madh për mua. Ajo më bëri të famshëm në të gjitha mediat në Amerikë, por jo vetëm. Jam shumë i lumtur që ajo e pëlqeu koverin tim dhe që sytë e saj e panë atë.
– A keni takuar ndonjëherë Kimin? Si ishte ajo nga afër?
– Jo, nuk e kam takuar ende, por jam i sigurtë që herët a vonë do të kem rastin ta takoj, pasi po bashkëpunoj edhe me bashkëshortin e saj Kanye VVest.
– Cilët yje të muzikës ndërkombëtare keni takuar tjetër?
– Kam takuar disa prej tyre deri më tani. Ato janë Maraja Keri, Niki Minazh, Drejk, Trey Songz.
– Po Drejk, si është nga afër?
– Ai është një djalë i mrekullueshëm, me këmbë në tokë dhe shumë modest. Etika e tij e punës është po aq e mahnitshme sa edhe muzika e tij.
– Si u ndjetë kur takuat këta VIP-a kaq të medhenj? E kishit imagjinuar ndonjëherë më parë t’i kishit aq afër?
– Kur kam qenë një fëmijë i vogël, gjithmonë i ëndërroja ata dhe e dija se nëse punoja fort me zërin tim, një ditë do të isha në një pozitë për të përmbushur aspiratat e mia dhe, pse jo, edhe të punoja për ta, siç po ndodh tani, që po përgatitem të dal me singëllin tim të punuar prej tyre.
– Duke ju takuar juve, ata kanë mësuar edhe për Shqiperinë. Kush prej tyre e njihte më parë?
– Disa po dhe disa jo, por ka pasur edhe disa prej tyre që ua kam shpjeguar se ku binte Shqipëria në hartë. (Buzëqesh)
– Albert, kur do vini ndonjëherë në Tiranë?
– Nëse gjithçka shkon mirë, siç e kam planifikuar, kam ndërmend të vizitoj së pari Kosovën dhe më pas Shqipërinë, disa herë gjatë vitit 2015. Më kanë ardhur shumë ftesa…
– Së fundmi, do ta shohim Albertin në ndonjë kompeticion ose talent shou të tipit “X Factor” ose “The Voice”, së shpejti?
– Jo, nuk do të marr pjesë në asnjërin prej tyre. Mund të marr pjesë vetëm nëse më ftojnë si të ftuar special, por jo si konkurrent…