Prania e mbeturinave plastike në oqeanet e botës është një problem më vete. Prej vitesh tashmë, shoqata dhe organizata të shumta përpiqen të sensilibizojnë publikun në lidhje me kërcënimin që përbën kjo ndotje për ekosistemin detar. Me qëllim që të kuptohet më mirë ky kërcënim, janë bërë shumë studime në këtë sektor, megjithatë, deri më tani, asnjë prej tyre nuk ka qenë i aftë të vlerësojë sasinë e plastikës që pluskon në sipërfaqen e oqeaneve. Këtë mungesë të dukshme është përpjekur ta plotësojë studimi i Institutit Five Gyres (Pesë Vorbullat), në Kaliforni, i cili ka mbledhur të dhëna nga të katër anët e planetit.
Studimi është publikuar në një revistë amerikane dhe rezultati është shqetësues: 269 mijë ton mbeturina plastike pluskuese! Kjo shifër duket e stërmadhe, edhe sepse më parë nuk dihej me përafërsi sa ishte ajo (vetëm disa përqendrime ishin evidentuar në vende të ndryshme të globit). Për të arritur në një rezultat të tillë, instituti u ka bërë thirrje studiuesve të mbarë botës. Projekti i madh ndërkombëtar ka konsistuar në analizën e të dhënave të mbledhura gjatë 24 ekspeditave. Këto fushata oqeanografike janë kryer në vitet 2007-2013 në pesë vorbullat e mëdha subtropikale, si edhe në brigjet australiane, në gjirin e Bengalit dhe në Mesdhe. Më pas, studiuesit janë nisur nga këto të dhëna për të përllogaritur mbeturinat në oqeanet botërore. Rezultatet e tyre tregojnë një sasi të barabartë me 5250 miliardë pjesëza plastike, që formojnë një masë prej 269 mijë tonësh. Sipas analizave, burimi kryesor i ndotjes vjen nga rrjetat e vjetra të peshkimit dhe komerdaret. Megjithatë, studiuesit kanë evidentuar edhe një numër mbresëlënës furçash dhëmbësh, shishesh dhe qeskash plastike. Mbeturinat duket se janë shpërndarë në mënyra të ndryshme, në funksion të madhësisë së tyre. Mbeturinat më të mëdha janë më të bollshme në afërsi të brigjeve, ndërsa ato të vogla janë më të shumta në pesë vorbullat e mëdha, në zonat e larguara nga vendet e banuara. Autorët e studimit dyshojnë se pesë vorbullat e mëdha veprojnë si bluajtës të fuqishëm, që i reduktojnë copat e mëdha të plastikës në copëza të vogla, të cilat merren më pas nga korrentet e ujit.
Advertisement