Përshëndetje! Në radhë të parë, dua të falënderoj gazetën tuaj, që na ka dhënë mundësinë të bëhemi pjesë e saj, me historitë tona nga jeta. Unë dua t’ju tregoj historinë se si u ndava me vëllanë tim për së gjalli. U ktheva këto ditë në Shqipëri dhe kjo kohë e ftohtë e me borë, më kujtoi periudhën më të bukur të jetës sime, që u pasua nga një dimër i gjatë që nuk ka marrë fund as sot…
Unë quhem Alma dhe jam nga një fshat i Shqipërisë së Jugut. Jam rritur në një zonë malore. Ndoshta edhe egërsinë në shpirtin tim, prandaj e kam. Historia ime filloi pikërisht kur unë isha në shkollën e mesme, gati tridhjetë vjet më parë. Siç ju thashë më sipër, fshati ynë ishte një fshat malor dhe ne kishim një ndërmarrje pyjore, e cila merrej me prerjen, sistemimin dhe mbjelljen e pemëve të reja. Në këtë ndërmarrje, punonin edhe shumë shoferë me makina, të cilat vinin nga të gjitha qytetet dhe bënin furnizimin me dru për stinën e dimrit. Fati më bëri që unë të njihesha me njërin prej tyre. Për të shkuar në shkollë, mua më duhej të bëja një rrugë të gjatë, deri 20 minuta në këmbë dhe e gjithë rruga që ecja ishte rrugë makine. Ishte pikërisht kjo rrugë që më bëri të njihem me dashurinë time të parë dhe të vetme. Për herë të parë, me Yllin u njoha një ditë dhjetori, ku dëbora kishte filluar të zbardhte malin, por edhe fshatin tonë. Atë ditë, Ylli e kishte ndaluar makinën dhe po vendoste zinxhirët. Unë kalova aty dhe ai e la punën e po pastronte duart nga dëbora. Ashtu, si me të qeshur, më tha: “Do hipësh në makinë, se të çoj unë në shtëpi?”. Unë ia hodha njëherë sytë dhe i ula përsëri në përdhe, pasi na ndeshi shikimi dhe unë e ndjeva se u skuqa së tepërmi. Nuk i fola fare, por vazhdova të ecja për në shtëpi dhe pashë se, pas disa minutash, u nis edhe Ylli me makinën e tij. Ai kaloi e më foli nga dritarja: “Mendohu dhe mund të vish me mua edhe nesër; mua këtu më ke”.
Atë ditë, nuk e di pse, po në mendje më rrinte ai shikimi ynë që u ndesh në atë mënyrë. Ylli dukej i madh në moshë, gati 30 vjeç e ndoshta edhe më shumë, po vitet e tregonin akoma më të paraqitshëm. Atë ditë unë vetëm pak e fiksova, por një ditë tjetër ai e ndaloi përsëri makinën kur më pa mua në mes të rrugës. Nuk e di po, në ato momente zemra filloi të më rrihte fort dhe më dukej sikur isha e përhumbur në bardhësinë e dëborës. Ai më thirri përsëri: “A mund të ndalosh vetëm dy minuta?”. Unë ktheva shikimin dhe i thashë të mos më ngacmonte më rrugës, sepse po ta merrte vesh vëllai im që ishte më i madh se unë, do ta kishte punën keq. Ai qeshi dhe më tha: “Ti qenke shumë nevrike, si një mace e egër; do të më duhet shumë kohë që të të zbus”. Kaq pak u desh dhe unë çdo ditë e më shumë fillova të mendoja për të, edhe pse e dija se isha shumë e vogël për këto punë. Të gjithë këtë histori ia kisha treguar shoqes sime të ngushtë. Ajo u habit dhe më tha se duhet të pyesnim se mos ishte i martuar sepse ai dukej i madh. Të dashuroje një shofer në atë kohë ishte sikur të dashuroje një mësues, aq shumë vlera kishte, sepse ata ishin shumë të rrallë, sidomos në fshatin tonë. Çdo ditë që unë nisesha për në shtëpi, në rrugë do ndeshesha me Yllin. Në ditët e para, takimi me të ishte rastësi, por më pas, ai ndalonte në një lokal afër shkollës dhe shikonte kur unë dilja nga shkolla, për të më ndjekur nga pas. Sigurisht, këtë e bënte pa rënë në sy të njerëzve, prandaj edhe ai ndalonte në rrugë kur njerëzit ishin shumë të rrallë ose nuk kishte fare, pasi ishte dimër dhe njerëzit ishin të strukur nëpër shtëpitë e tyre.
Ylli, mbas disa tentativash për të më ndaluar, hoqi dorë dhe gjeti një mënyrë tjetër për të komunikuar me mua. Ai më shkruante letra dhe m’i hidhte nga dritarja. Letrat e tij i kam edhe sot e kësaj dite; është e vetmja pasuri që ruaj prej tij. Ai në letra më shkruante për jetën e tij, ishte nga një qytet afër fshatit tonë, kishte dy motra dhe një vëlla. Ai ishte fëmija i vogël dhe jetonte me prindërit. Ishte 31 vjeç dhe më shkruante për çdo gjë me sinqeritet. Kjo mënyrë komunikimi më bëri të dashurohesha shumë fort mbas tij. Ai më shkruante “për herë të parë kuptova se të dashuroja, ditën e parë të njohjes tonë, shikimi yt fëminor, edhe pse ishte vetëm pak sekonda, ndezi brenda zemrës sime një zjarr që nuk do të shuhet kurrë. Të lutem, merri seriozisht të gjitha këto që po të them. Unë të dua seriozisht dhe dua që ti të jesh gruaja ime. E di që je akoma e vogël, por dua që ti të më japësh fjalën dhe unë do të di të të pres”. Ai dinte të shkruante shumë bukur dhe unë isha në moshën më delikate, që nuk i mendoja shumë gjatë gjërat. Në fillim, nuk po i përgjigjesha dashurisë së tij, por që unë Yllin e doja shumë, e kuptova ditët kur ne morëm pushimet e dimrit, pra, pushimet për Vitin e Ri. Ato dy javë, u ndjeva shumë keq. Vetëm për të mendoja. Më dukej sikur gjatë pushimeve, dashuria e tij për mua do të shuhej dhe unë nuk do të kisha më mundësi t’ia shprehja. Megjithatë, unë kisha filluar të merrja një sinjal nga Ylli; ai, kur kalonte rrugës në vendin ku ne takoheshim bashkë, fillonte t’i binte borisë së makinës. Nuk mundem ta shpjegoj se çfarë emocionesh ndjeja. Zemra më rrihte fort, gati sa nuk po më pushonte. Në ditën e pushimeve, unë kisha shkruar një letër shumë të gjatë, të cilën edhe ia dhashë Yllit në ditën e parë të shkollës (pas pushimeve të Vitit të Ri). Në atë letër i kisha folur për ndjenjat e mia dhe, mbas asaj letre, ne filluam të takoheshim rregullisht bashkë. Dashuria ime për Yllin ishte akoma më e madhe. Në disa raste, unë kisha hipur edhe në makinën e tij. Përfitoja nga fakti që ishte dimër dhe njerëzit e fshatit nuk më shikonin sepse rrinin brenda. Një nga ato ditët që unë hipja në makinën e tij, ndodhi edhe ajo që nuk duhej të ndodhte. Ai filloi të më puthte fort, aq fort saqë as unë dhe as Ylli nuk donim të ndaleshim për asnjë sekondë. Nuk e di se si ndodhi, por di që ne të dy iu dhamë njëri-tjetrit, si asnjëherë tjetër. Ylli, që atë ditë donte të vinte në shtëpi të më kërkonte për t’u fejuar, po unë nuk e lashë, doja që të përfundoja shkollën e pastaj të fejoheshim. Takimi me Yllin ishte i përditshëm, unë hipja thuajse çdo ditë në makinën e tij. Në rastet kur vonohesha në shtëpi, e justifikoja sikur kisha qëndruar në mbrëmjet që organizonte shkolla. Lumturia ime me Yllin zgjati gati dy muaj derisa na ndodhi një gjë shumë e çuditshme, që edhe sot e kësaj dite nuk dua ta besoj.
Vëllai im i madh, kur sipër fshatit dilnin makinat e druve, u hipte fshehtas sipër, hidhte drutë rrugës dhe i merrte pastaj e i sillte në shtëpi (Këtë ai e bënte sepse gjatë verës, përtonte të shkonte në mal, për të bërë dru). Kjo gjë zgjati deri një ditë kur Ylli e kishte kuptuar se drutë nuk ishin aq sa ai e ngarkonte makinën dhe kështu, kishte filluar të dyshonte se diçka ndodhte rrugës. Vëllai im e bënte këtë gjë me të gjithë shoferët që punonin në atë linjë, por fati i keq e deshi që ta vinte re pikërisht Ylli. Vëllai im dhe asnjë njeri tjetër (përveç shoqes sime të ngushtë) nuk e dinin se unë isha e lidhur me Yllin dhe se ne dashuroheshim. Ashtu siç po ju thoja më sipër, një ditë Ylli e kishte kuptuar vëllanë tim teksa hidhte dru nga makina dhe e kishte ndalur makinën. Vëllai ishte hedhur nga makina për të ikur me vrap, po ai e kishte kapur dhe ishin zënë me grushta. Ylli nuk e dinte se ai ishte vëllai im. Këtë gjë i thashë unë dhe që prej asaj dite, u krijua një e çarë në lidhjen tonë. Ai më tha: “Ti, thuaju prindërve të tu për mua, por ata nuk besoj se duan të bëjnë miqësi me një njeri që e kanë vjedhur dhe që janë rrahur e sharë”.
Por unë, isha e detyruar t’ua thoja këtë gjë njerëzve të shtëpisë, sepse për mua nuk do të kishte martesë tjetër përveçse me Yllin, sepse unë kisha qenë e tija dhe nuk do më pranonte asnjë mashkull në atë gjendje që isha unë. Ditën që unë u tregova në shtëpi për dashurinë time me Yllin, plasi një sherr i madh që as në mendje nuk më kishte shkuar. Vëllai u ngrit, më gjuajti me shpullë dhe ma tha troç: “Unë më mirë të pres kokën sesa të të jap tek ai”.
Edhe Ylli, mbas asaj që ndodhi me vëllanë tim, nuk e kishte më atë vendosmërinë që kishte në fillim. Ne shkëmbyem edhe dy letrat e fundit me anë të shoqes sime të ngushtë, sepse nuk mundëm të takoheshim më. Në letrën e fundit, ai më shkruante: “Të desha dhe të dua akoma shumë, por vëllai yt, me sjelljen e tij prej hajduti, na krijoi një plagë që nuk ka për t’u shëruar kurrë. Ti duhet ta kuptosh edhe vetë se lidhja jonë është njollosur aq shumë saqë edhe dashuria vetë nuk mund ta pastrojë këtë njollë, prandaj duke marrë parasysh që edhe njerëzit e tu nuk e duan për lidhjen tonë, edhe unë po tërhiqem. Nuk ka kuptim që ne të vazhdojmë më tutje. Është më mirë ta mbyllim kështu sesa lidhja jonë të kthehet në një tragjedi.”.
Kjo ishte letra e fundit e Yllit. Kjo letër ishte edhe varri ku unë u futa për së gjalli. Ylli kërkoi që ta transferonin në një vend tjetër me punë dhe kështu, unë nuk pata më mundësi që ta shikoja. Unë u inatosa me Yllin, me vëllanë që bëri një veprim aq të ulët, me prindërit e mi që nuk më ndihmuan të realizoja dashurinë time dhe për t’i bërë të gjithë të vuanin, vendosa që jeta ime të mbyllej pa u martuar. Çdo kërkesë që kisha, e mohoja. Kështu, u mbylla në botën time dhe punoja në kooperativë. Nga brezi im, e gjithë shoqëria ime ishte martuar, vetëm unë kisha mbetur. Më pas ndryshoi sistemi dhe daja im që ishte sistemuar në Itali, më tërhoqi atje, që të mos isha skllave e vëllait tim, me të cilin thuajse nuk flisja fare. Ai ishte martuar dhe kishte krijuar familjen e tij, ndërsa për Yllin mora vesh se u martua mbas dy vitesh që ne ishim ndarë.
Tashmë kanë kaluar tridhjetë vjet dhe unë ngela rob e dashurisë së tij. Jetoj në Itali, kam shtëpinë e punën time dhe vij ndonjëherë në Shqipëri për të parë prindërit e mi. Nga ana ekonomike jam mirë, ndërsa nga ana shpirtërore, e vetmja pasuri që kam, janë letrat e Yllit, të cilat i lexoj dhe i rilexoj, duke sjellë gjithmonë në mendje se si do të ishte jeta ime me të.
Advertisement