– Jam një vajzë 22 vjeçe. Prej pak kohësh kam shqetësime të vazhdueshme, shqetësohem për pak gjë, madje edhe për më të voglën apo më të parëndësishmen. Këto më kanë shkaktuar edhe kriza ankthi, madje kam shumë probleme gastrointensinale prej stresit dhe shpesh, kam edhe rrahje të shpeshta zemre, frikë e pasiguri në vetvete. Këto të gjitha nuk më lejojnë të eci përpara. U konsultova me një psikologe që më tha të pi një gjysëm kokrre citoles në mëngjes dhe xanax në darkë e mëngjes, por s’i kam filluar se kam frikë prej efekteve anësore. Çfarë më këshilloni dhe a mund ta filloj pa problem mjekimin?
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Pikë së pari, ju këshilloj psikoterapinë, se ilaçet kundër ankthit përdoren sa për të zbutur ankthin pikëllues, me qëllim që formate tjera të psikoterapisë të mund të trajtojnë problemin. Ndër të tjera, ankthi dhe fobitë janë sjellje të mësuara të cilat duhet që të çmësohen, pasi ato kanë lidhje me mënyrat e të menduarit dhe me mbindjeshmërinë, origjinën etj. Njerëzit e mbindjeshëm, me koeficient të lartë intelekti, me shumë sedër e dinjitet, janë të prirur që të kenë ankthe në disa rrethana dhe disa njerëz nuk mund t’i kenë, edhe sikur t’i paguash. Nuk ka asgjë të pazakonshme në lidhje me këtë, pasi eventualisht, ne do të gjejmë se shumica e njerëzve kanë një tendencë të lindur për t’iu përgjigjur stresit dhe ndryshimit, në një mënyrë të veçantë ose në një tjetër. Nëse ju keni kriza ankthi, mërzitje e të tjera, kjo është mënyra juaj, por nuk është ndonjë sëmundje, vetëm mënyrë reagimi. Një arsye pse njerëzit fillojnë krizat e ankthit është se që fëmijë, ata mund të jenë rritur në një atmosferë e cila për një arsye ose një tjetër, dështoi t’u mësonte atyre se bota është një vend i sigurtë në të cilin ata të jetojnë të lumtur e që mund të kënaqeshin për veten e tyre. Kjo mund të ketë ndodhur në shumë mënyra. Ndoshta ka patur në familje ndonjë vdekje në moshë të re, të përjetuar rëndë ose sëmundje të rënda, ose probleme të tjera serioze, si alkoolizmi etj. Ndoshta prindërit nga ana e tyre ishin vetë ankthiozë dhe shumë mbrojtës. Ose fëmija mësoi të shpenzonte shumë kohë dhe sakrifica duke u kujdesur për të tjerët, pra, duke u përpjekur shumë për t’i kënaqur të tjerët dhe duke u ndjerë përgjegjës për lumturinë e të tjerëve. Pra, është rritur me ndjenja tepër të larta përgjegjësie e mbindjeshmërie. Arsyeja më e shpeshtë pse njerëzit kanë ankthe, është se shpesh ata kanë përjetuar një periudhë të një stresi të madh dhe ndryshime stresuese gjatë vitit ose përpara se të fillonin sinjalet e “alarmit të ankthit”. Këto ndoshta mund të kenë qenë ngjarje të hidhura, si për shembull, të ndjerit në kurth në një punë apo marrëdhënie të keqe, ose nga vuajtja për humbjen e një anëtari të familjes ose miku. Ose ata mund të kenë patur shumë ndryshime, të cilat nuk kanë qenë të këqia në vetvete, si të mbaruarit e shkollës, ndryshimi i punës, martesa, lëvizja ose blerja e shtëpisë, lindja e fëmijëve etj. kanë patur një efekt akumulativ e stresues mbi personin deri në pikën që ai/ajo e ka patur shumë të vështirë për ta përballuar të gjithin. Dhe ja, vjen një moment dhe ndodh si me ty, vajzë 22 vjeçare, që je kthyer si një “gazele e trembur”, ku të gjitha simptomat (normale) ti i kujton për sëmundje dhe të është ulur besimi e vetëvlerësimi. Është e rëndësishme të theksohet se për shumicën e njerëzve që kanë të tilla kriza ankthi, ato zakonisht fillojnë rreth moshës 20-30 vjeç, vitet kur ju krijoni një jetë të pavarur për veten tuaj, kur ka shumë mundësi që ju të keni këto lloj ndryshimesh, siç i përmendëm më lart. Pra, jeni futur në një rreth vicioz, ku frika shton ankthin e ankthi shton frikën. Me pak fjalë, ky “rreth vicioz” duhet thyer me psikoterapi.
Tani, kam një pyetje për ju: Çfarë kanë të përbashkët këta tre faktorë e unë i shpjegova më sipër: 1. Origjina, 2. Edukimi, 3. Ngjarjet? Ajo çfarë kanë të përbashkët është se… asnjëri prej tyre nuk ishte nën kontrollin tuaj. Këto janë zhvillime në jetë që u ndodhin njerëzve. Ato nuk janë diçka që ju e zgjidhni. Mos e harroni këtë gjë dhe mos e ulni kot vetëvlerësimin. Klientët habiten kur unë ua theksoj shpesh këtë dhe më pyesin: “E pastaj?”. Ajo çfarë tregon kjo është se nuk ka asnjë arsye për t’u ndjerë në faj apo i turpëruar pse i keni këto gjendje. Ato nuk janë rezultat i të jetuarit keq, apo të të bërit të zgjedhjeve të gabuara, apo të të qenit “budalla” apo frikacak. Dhe tani, pas pyetjes se pse ti vajzë je bërë aq e mbindjeshme dhe shqetësohesh aq sa kalon në kriza ankthi edhe për më të voglën apo të parëndësishmen, tani le t’i përgjigjemi pyetjes se si shkaktohen këto situata, si fillojnë e se çfarë ndodh me ju ankthiozët.
– Le të fillojmë duke i ndarë simptomat në kategori, duke u bazuar në llojin e simptomave që ke ndjerë ti 22 vjeçare, për të kuptuar se si je futur në ankth. Është e zakonshme për njerëzit që të kenë simptoma të tilla, si të rrahura të shpeshta të zemrës, frymëmarrje sipërfaqësore, trullosje, marrje mendsh, dhimbje gjoksi, djersitje, çrregullim të zorrëve dhe djegie të stomakut, mpirje ose therje në gishta, midis të tjerave. Këto janë ndjesi fizike që ti i ke ndjerë si të gjithë. Ndjesitë fizike janë një pjesë e madhe e ankthit dhe e panikut, por nuk janë e gjithë historia. Janë vetëm fillimi nga ku ka filluar gjendja e alarmit, meraku e fiksimet e tua për shëndetin. Po çfarë tjetër përjetohet? Ndoshta ju e kujtoni nga fillimi i këtyre krizave se ndjenit një nevojë për të ikur, ose që ishit konfuze dhe nuk mund të fokusoheshit ose menduat se mund të kishit një atak zemre. Këto quhen mendime katastrofizuese. Zakonisht, njerëzit i mendojnë si simptoma sëmundjesh dhe disa nga mendimet karakteristike gjatë panikut përfshijnë këto: “Po vdes, po çmendem, do më bjerë të fikët, do të humbas kontrollin dhe do të poshtëroj veten time në mënyrë publike dhe askush nuk do të më respektojë apo do më dojë më”. “Mezi po e duroj këtë gjendje; po kur të vijë më e rënda, më e keqja?”. Ju mund të mendoni se kjo gjendje konsiston vetëm nga sensacionet fizike dhe mendimet, por jo. Ka më shumë. Kjo përfshin emocionet, shumica frikë, zemërim, siklet, turp dhe depresion, ndërkohë që edhe pse gjendja të kalon tani, ke atë që quhet frikë nga frika ose frikë se kur do të të vijë përsëri. Dhe, kategoria e fundit janë sjelljet. Ata i kap ankthi, ndihen të viktimizuar nga diçka që “erdhi nga asgjëja” dhe ndihen sikur janë sulmuar nga diçka. Por një sulm paniku vjen nga brenda jush dhe ka disa sjellje në të cilat përfshihen njerëzit, pasi tani, të alarmuar e të çorientuar, fillojnë t’i bëjnë gjërat gabim. Për shembull, shumë njerëz mbajnë frymën gjatë ankthit e panikut dhe shumë të tjerë (shumica e njerëzve) marrin frymë pak përpara ose gjatë krizave të ankthit. Pra, ata marrin frymë me gjoks dhe jo me diafragmë. Kjo shkakton ose rrit shumë nga simptomat fizike që përmendëm më lart, si dhimbjet në gjoks, përfshirë marrjen e mendve, rrahjet e shpeshta të zemrës, sepse truri ka nevojë për oksigjen. Kur keni atakun tuaj të parë të ankthit, ju keni të gjitha ose shumicën e këtyre simptomave, pa asnjë lajmërim apo shkak të dukshëm. S’ka asnjë çudi që ju u ndjetë kaq i frikësuar, por ju nuk e dini këtë gjë, ndaj përsëritet ai që më sipër e quajtëm “rrethi vicioz”. Kjo sjellje e mësuar (refleks i kushtëzuar) dhe se si çmësohet fobia juaj, që në këtë rast ky është i vetmi rrezik i ankthit ku ju keni hyrë, këto gjëra do t’i mësoni më mirë gjatë seancave me psikoterapi, e nderuar 22 vjeçare, pasi sado që u zgjatëm, përsëri është e pamundur që t’i shpjegojmë ato të gjitha. Jeni e mirëpritur për një seancë falas sepse meritoni shpërblim, që nuk i keni filluar ilaçet pa pyetur më parë një psikolog.
Advertisement