Më dha 5 qirinj
– Në ëndërr, m’u bë sikur ishim përballë portës së shtëpisë sime, në një tavolinë të bardhë me mamin e hallën. Erdhi dajua i madh, që e ka emrin Gëzim. Unë e putha në të dyja faqet dhe isha e kënaqur që e takova. Dajua u ul e m’i vuri në tavolinë 5 qirinj. Unë i thashë: “O dajo, po pse 5? Ne jemi 4!”. “Merri kështu si të thotë dajua e ndizi!”, më tha ai, ndërsa hallës i dha 11 qirinj. Si shpjegohet kjo ëndërr, se më ka futur në mendime? Ada
– E dashur Ada, së pari, qirinjtë tregojnë natyrën tuaj shumë të brishtë dhe një lloj personaliteti po aq delikat. Ju po kaloni një periudhë paksa delikate dhe qirinjtë e shfaqur, përveçse ju përfaqësojnë juve, ju këshillojnë edhe që të ndizni qiri në ndonjë vend të shenjtë, aty ku ju besoni apo ndiheni mirë dhe të luteni për mirëqenien tuaj psikologjike e shpirtërore. Keni nevojë për pak mbështetje në këtë periudhë. Kur të luteni, lutuni me shpirt dhe nëse ju vjen për të qarë, nxirreni gjithçka që ju mundon. Kjo do t’ju bëjë të ndiheni shumë mirë më pas. Dajua, tavolina dhe njerëzit rreth jush në ëndërr tregojnë përmirësim të situatës tuaj e fat për ju, pasi të gjithë ju kanë për zemër. Qiriu i pestë jeni ju; duhet të kujdeseni më shumë për veten tuaj dhe nevojat tuaja.
Rrugë e gjatë
– Shoh shpeshherë në ëndërr një rrugë të gjatë të drejtë dhe nga të dyja anët, me ujë. Papritur, uji ngrihet lart dhe mbushet rruga. Unë, ose fluturoj, ose eci mbi ujë, por pa u lagur.
– Rruga që shikoni është rruga e jetës tuaj, mënyra se si e keni ndërtuar jetën ju, të papriturat, situatat dhe metodat se si i kapërceni pengesat. Uji janë pengesat që do të hasni gjatë rrugës suaj, por ju do t’i kaloni me shumë lehtësi. Keni fluturuar ose keni ecur mbi ujë pa u lagur; kjo do të thotë që asnjë problem nuk do t’ju pengojë të ecni përpara dhe nuk do të lëndoheni.