Buzëqeshja, thjeshtësia dhe pa dyshim, çiltërsia e këngëtares Kristina Marku të krijon hapësirë komunikimi. Ndryshe nga skena, në bisedë, zëri i saj është i butë, i qetë dhe fjalët, të zgjedhura. Në skenë potente, me zë që njihet sapo nis të këndojë, ajo është një nga bilbilat e muzikës shqiptare dhe më konkretisht, të trevave e Veriut. Besnike e këngës së mirëfilltë popullore shqiptare dhe një artiste e kompletuar, ajo të bën ta dëgjosh me vëmendje në skenë dhe natyrshëm, në bisedën që realizuam me të për gazetën tonë!
Fabjola Kuburi: – Kristina, jemi në fillim të vitit 2015… Si erdhi ky vit i ri për ty?
Kristina Marku: – Si fillim, dua të uroj të gjithë shqiptarët: Gëzuar të gjithëve kudo që janë, paçin një vit të lumtur dhe plot shëndet e harmoni! Ky vit më gjeti të angazhuar, të lodhur, por edhe shumë të kënaqur profesionalisht e shpirtërisht.
– Ti konsiderohesh një nga zërat më të bukur të muzikës popullore shqiptare. Si i hyri Kristina botës së muzikës, kush e mbështeti dhe si arriti deri këtu ku është?
– Faleminderit për vlerësimin. Rrugëtimin tim drejt muzikës e kam nisur që në bangat shkollore ku rashë në sy të mësuesve për talentin që kisha. Familja ka qenë pengesë dhe shtysë në të njëjtën kohë sepse vetë mentaliteti i asaj kohe, i mbyste prirjet e artit.
– Më pas, si vazhdoi rrjedha e rrugës tënde si këngëtare?
– Më pas u aktivizova dhe në Ansamblin e Pukës dhe mora çmimin e parë që në pjesëmarrjen e parë në festival, me këngën “Hidhe vallen Puka jonë”. Udhëtova në Gjermani me Ansamblin “Jehona e Pukës” dhe u shkëputa nga muzika sepse iu përkushtova familjes dhe punës si mësuese. Më pas, kolegë dhe të afërm më shtynë t’i rikthehesha ëndrrës, muzikës. Përveç anës ekonomike, ishte dhe ajo shpirtërorja që më shtyu më tepër të kthehesha. Që atëhere e deri më sot, unë këndoj pa pushim.
– Ke shumë këngë dhe klipe, por unë do të doja të ndaleshim pak te klipi i fundit, “Shtatë bajrakë s’bashku përjetë”. Si erdhi ky klip, kush e realizoi këngën, cila ishte rruga që përshkoi ky klip derisa u lançua për publikun?
– Është një punë jo konstante, por me hapësira, me pengesa, me mëdyshje, por edhe me shumë dashuri… Kam punuar rreth një vit për këtë këngë. I gjithë problemi ishte të realizoja një tekst që të përfaqësonte 7 bajrakët e Pukës. Unë jam vetë nga 7 bajrakët e Pukës, nga bajraku i Kabashit dhe u këndova këtyre 7 bajrakëve me të cilët Puka identifikohej dikur.
– Kjo këngë është këngë historike. Ti u këndon 7 bajrakëve të Pukës, ndërkohë që njihen edhe 5 bajrakët e Mirditës… Unë kam dëgjuar që bajraku i Malzive, nuk shtrihet në rrethin e Pukës, por në atë të Kukësit. Si qëndron kjo punë?
– Po, është e vërtetë dhe unë mendova që t’u këndoja bajrakëve të dikurshëm të Pukës, pa marrë parasysh ndryshimet territoriale. Ndërkohë, sa u përket 5 bajrakëve të Mirditës; një pjesë e tyre shtrihet në territorin pukjan dhe unë me dashuri u kam kushtuar strofën e fundit të kësaj kënge, ku në sofrën pukjane janë miq e dashamirë nga Mirdita. Nga ana kompozicionale, teksti dhe muzika janë realizuar nga unë, ndërsa për strofën e fundit më ka ndihmuar një miku im pukjan, Lekë Nika, të cilin gjej rastin ta falënderoj. Nuk mund të lë pa përmendur orkestruesit Behar Neli dhe Vani Rushiti. Të gjithë bashkë arritëm të realizojmë diçka të bukur. Kjo është një nga këngët më të bukura që kam kënduar ndonjëherë.
– Po për këngët e tjera dhe bashkëpunimet e tua të shumta, ç’mund të na thuash? Me cilën mendon se ke goditur në shenjë te publiku?
– Kënga që ka goditur në shenjë është kjo që sapo kam publikuar. Këtë e vë re nga shikueshmëria në youtube që ka arritur në 70 mijë klikime të pastra, për një javë. Ndërsa kënga me të cilën publiku më ka mirëprit është klipi im i parë “Nuse me fat”, një këngë dasme shumë e bukur. Gjithashtu, dua të veçoj bashkëpunimet me Lekë Pecnikaj dhe Edmond Nikollën.
– Je e pranishme vetëm në dasmat e Veriut apo edhe në treva të tjera?
– Unë jam vetë nga Veriu dhe ajo që di të bëj më mirë, është të këndoj këngët e Veriut, por jo vetëm. Jam e pranishme edhe në dasmat e Shqipërisë së Mesme dhe kudo ku shkoj, më presin mirë, ndihem si në shtëpinë time. Ky është një privilegj i madh për mua.
– Çfarë kanë të veçantë dasmat e Veriut?
– Ah, janë shumë të veçanta, shumë të bukura, por kjo nuk do të thotë që të Jugut janë më pak. Unë dua që kur këndoj në një dasëm, të gëzojnë të gjithë dhe të kënaqen, pavarësisht nëse janë nga Veriu apo nga Jugu.
– Kjo tregon që ti je njeri altruist dhe ke botë artisteje…
– Faleminderit, përpiqem ta dua këngën për atë që të dhuron në shpirt e jo për të diferencuar njërëzit. Të gjithë jemi qenie njerëzore dhe pëlqimet janë individuale.
– Sa të lodh muzika live?
– Është shumë e lodhshme, por edhe lodhja shpërblehet. Në këtë mënyrë, teston edhe veten dhe kupton që jo çdokush mund të këndojë pa pushuar për 4 orë rresht.
– Ti vetë, ndihesh e shpërblyer?
– Sigurisht që po. Kur njerëzit të kërkojnë të jesh pjesë e gëzimeve të tyre familjare, të duartrokasin, vijnë të të urojnë, është nder dhe privilegj shumë i madh.
– Cilat kanë qenë vendet ku ke qenë e ftuar për të kënduar, qoftë në koncerte, qoftë në mbrëmje dhe gëzime familjare?
– Kudo kam qenë, në Zvicër, Austri, Gjermani dhe së fundmi, pres të shkoj edhe në Amerikë, por për arsye burokratike, po më vonon viza. (Buzëqesh)
– Si qëndron raporti midis punës, vlerësimit moral dhe atij monetar të një kënge që ti realizon dhe më pas, e këndon për publikun?
– Unë mendoj se të investosh për veten është gjëja primare në karrierë, por zgjedhjet që ne bëjmë në produktin muzikor që nxjerrim në treg, duhet të jenë shumë të kujdesshme, pasi ato e tregojnë rezultatin final.
– Sa rëndësi ka pasuria për një artist?
– Artistët janë personat më të pasur nga aspekti shpirtëror pasi shprehin një anë të fshehtë të ajsbergut që jo çdokush mund ta shprehë, ndërsa në aspektin financiar, të them të drejtën, kjo çështje lë pak për të dëshiruar, pasi në kohët e sotme janë lançuar shumë pseudoartistë, që nuk kanë pikën e lidhjes me artin.
– Sipas teje, cili është këngëtari apo këngëtarja më e mirë shqiptare?
– Shqipëria ka shumë artistë që bëjnë muzikë të adhurueshme. Nuk po përmend emra, pasi nuk do të doja të shkaktoja kurrsesi asnjë hatërmbetje.
– Sa vlerësohet arti në Shqipëri?
– Më vjen shumë keq, por duhet ta them që artistët në Shqipëri nuk vlerësohen aq sa duhet. Ndoshta për këtë arsye ata edhe mundohen të shfaqin talentin dhe, pse jo, të vlerësohen, jashtë trojeve shqiptare.
– Si e përshkruan veten ti, në tregun muzikor shqiptar?
– Jam vetvetja, thjesht vetvetja, kjo kam dashur të jem dhe kjo jam.
– U beson më shumë profesionistëve për klipet apo më shumë janë ide të tuat?
– Përgjithësisht, u besoj profesionistëve, por edhe idetë e mia nuk mungojnë. (Qesh)
– Beson se ka miqësi të vërteta?
– Dua shumë të besoj te miqësia e vërtetë, por kështu si kanë ardhur kohët, mund të them se shoqëria është e bazuar vetëm tek interesi. Gjithsesi, ajo pjesë të shoqërisë që kam zgjedhur unë, jam e lumtur që ekziston.
– Thuhet se njeriu është pjesë e këngës… Si është e mundur një gjë e tillë?
– Me anë të këngës, ti shpreh atë që ndjen ose atë që shikon te të tjerët dhe e pasqyron në vargje e melodi.
– Realisht, çfarë të bën të lumtur?
– Lumturia për mua është të shoh familjen time plot harmoni dhe shëndet. Pas kësaj, edhe momenti kur këndoj. Kur këndoj dhe kur jam me familjen, jam lumturia vetë.
– Si e shikon jetën Kristina?
– Me muzikën në shpirt, jeta për mua është plot ngjyra!
– A ka diçka që të mungon?
– Më mungon shumë koha për të qëndruar më shumë pranë familjes dhe të dashurve të mi.
– A mund të marrin të gjithë këngëtarët të njëjtin vlerësim?
– Faktikisht, peshorja nuk është e ekuilibruar; kjo është relative.
– E gjen veten tërësisht te muzika?
– Unë kam mbaruar studimet për mësimdhënie dhe kam punuar në arsim për vite me rradhë. Edhe arsimin e dua shumë, por muzikën e kam të lindur. Kam shpirtin te muzika!
– Do t’i riktheheshe mësimdhënies?
– Ndoshta… Kurrë mos thuaj kurrë.
– Shoh që i kushton rëndësi kurimit të imazhit… E bën vetë apo ia lë në dorë të tjerëve?
– Nuk jam shumë e dhënë, por Zoti më ka mbajt me hatër. (Buzëqesh) Kurohem vetë në përgjithësi, por edhe të tjerëve ua lë në dorë sepse nuk është keq të kujdesen estetistet për ty. (Buzëqesh)
– Realisht, sa të ndihmon pamja e jashtme në muzikë?
– Faktikisht, muzika është arti i së bukurës, por unë vazhdoj të jem e mendimit: Sa më thjesht, aq më bukur.
– A je e fiksuar pas linjave, si shumë këngëtare të tjera?
– Normale që tregohem e kujdesshme sepse skena kërkon të bukurën dhe duhet t’i japim të bukurën. Adhuroj ecjen në natyrë.
– Çfarë pëlqen dhe çfarë nuk pëlqen te vetja?
– Unë kërkoj idealen në gjithçka, edhe pse e di që nuk ekziston. Këtë e shikoj si një defekt, që në shumë raste, më ka kushtuar shumë.
– Planet për të ardhmen…
– Do jem gjithnjë pranë publikut dhe do të mundohem të jap maksimumin tim. Uroj të gjithë që të kenë sa më shumë gëzime në jetë dhe juve, ju falënderoj për ngrohtësinë që më dhuruat në këtë intervistë dhe që më bëtë të flas me çiltërsi, gjë që kam vënë re se mungon në shumë media.