– Si veprohet në rastet kur të pushojnë nga puna edhe pse je me kontratë të rregullt dhe punëdhënësi e ka thyer? Jam banakiere këtu në Tiranë dhe për arsye se pronari më ngacmonte seksualisht e unë nuk i jepesha, më pushoi nga puna. Theksoj se unë jam e divorcuar, kam një vajzë të vogël dhe këtë punë kam bërë gjithë kohën. Doja ta mbaja me dhunë atë punë, sepse kisha nevojë, por ja çfarë më ndodhi. Për këtë pata bërë kontratë pune 2 vjeçare, por ai e theu dhe më nxori jashtë, edhe duke më ofenduar. Veç të tjerash, kam dhe mesazhet e tij kërcënuese. Dua ta ndjek me gjyq këtë çështje, ndaj dua të di çfarë rruge të ndjek, çfarë dokumentesh më duhen dhe ku duhet të ankohem? Sa dëmshpërblehem në kësi rastesh? Po në rast dhune, nëse u paraqes fakte, a dënohet apo do të ketë dëmshpërblim për mua? Pres një përjgigje të hollësishme. Faleminderit.
Av. Aurel Celibashi, “Celibashi & Associates”, Email: acelibashi@gmail.com, Celular: 0672011401, 0693082255: – E nderuar zonjë, për largim të padrejtë nga puna, mund t’i drejtoheni Gjykatës me padi dhe të kërkoni shpërblim disa rroga. Dokumentet që duhen janë kontrata e punës, rrogat që keni marrë në bankë, ose sigurimet shoqërore që ju janë paguar. Në gjykatë, do të provoni që largimi nga puna është bërë në kundërshtim me kodin e punës dhe gjithashtu, keni qenë nën presionin e ngacmimit seksual nga pronari.
– Nëse dëshironi ta vazhdoni më tej këtë çështje, mund të bëni edhe një kallëzim penal në polici ose prokurori, për ngacmim seksual. Mendoj se më shumë ju intereson aspekti financiar i çështjes për të marrë deri në 12 rroga. Për më shumë, mund të vini pranë zyrës sime dhe ta ndjekim ligjërisht çështjen tuaj. Me respekt.
Advertisement