Toka dhe gjelbërimi
– Çfarë do të thotë të shohësh në ëndërr që gjithçka rreth teje është e gjelbëruar dhe që e adhuron tokën? Isha ulur mes drurëve dhe luleve të kuqe…
– Gjelbërimi është gjithnjë një shenjë e mirë dhe pozitive në jetën e atij apo asaj që e shikon. Juve si person ju karakterizon karakteri i fortë, energjia dhe dëshira për të jetuar. Jeni person që jetoni me këmbë në tokë dhe e dini çfarë kërkoni në jetë. Keni një lloj sigurie dhe stabiliteti në vetveten tuaj që shumë persona jua kanë zili. Pra, adhurimi i tokës, nuk tregon gjë tjetër, por karakterin tuaj të vendosur dhe të fortë, që adhurohet nga shumë vetë. Toka ka shumë kuptime, por në këtë rast, ka pikërisht këtë që ju shkrova më sipër.
Merimanga
– Në ëndërr pashë sikur isha me pushime diku në një plazh, kisha detin përpara, por nuk e dija se ku isha. Më vonë, mami më tha se duhet të iknim në shtëpi. Kur u nisëm rrugës për t’u futur te shtëpia jonë, gjithçka m’u duk shumë e errët, e zymtë dhe përpara kishim dy merimanga, që më dukej sikur po më ndiqnin. Doja të hyja në shtëpi, por ato kishin krijuar një rrjetë shumë të fortë dhe nuk më linin të depërtoja brenda. Jam bërë shumë merak, ndaj dua një shpjegim. Denisa.
– E dashur Denisa, jeni në një situatë tranzicioni midis asaj çfarë keni në mendje të bëni dhe asaj çfarë bëni realisht. Plazhi, shikimi nga deti tregon lidhjen mes asaj çfarë bëni dhe asaj çfarë ndjeni të bëni realisht. Jeni pak konfuze kohët e fundit për shkak të disa gjërave që keni kaluar në jetë, ose humori juaj është shumë i lëvizshëm në saje të një situate jo të qetë që po kaloni. Edhe shtëpia që keni parë, jeni po ju. E shikoni gjithçka të zymtë për momentin dhe kjo nuk po ju bën mirë si nga ana shpirtërore, ashtu edhe fizike. Merimangat e rrjeta e tyre janë pengesat dhe ngatërresa ku ju jeni futur vetë, me këmbët tuaja. Po mundoheni të dilni nga ky lëmsh që është krijuar, por për momentin, keni vështirësi. Ëndrra, në këtë rast, ju sugjeron të mos bëni asnjë lëvizje; lëreni situatën të qetësohet vetë dhe më pas, reagoni.
Morra
– Çfarë do të thotë të shohësh në ëndërr sikur je duke krehur flokët dhe sheh që ke morra? Unë i krihja dhe ato binin në tokë. Vërtet është ëndërr e shpifur, por kështu e kam parë. Mbaj mend që i shtypja të gjitha dhe i thashë motrës sime: “S’e kam ditur që paskam qenë qelbur fare me morra”. “Si s’e ke ditur, po më thoshte, aty i ke pasur gjithmonë, po shyqyr vendose me i heq!”. Çfarë kuptimi ka kjo ëndërr? Një djalë.
– Ëndrra juaj ka dy kuptime: Së pari, morrat përfaqësojnë ankthin, shqetësimet e ndjenjën e fajit që po luftoni t’i largoni nga vetja. E dyta, përfaqësojnë edhe persona apo situata të cilave doni t’u largoheni dhe t’i jepni drejtim jetës suaj duke u çliruar prej tyre. Atëhere, duke qenë se i keni mbytur, do të thotë që ju do t’ia dilni mbanë dhe do të çliroheni nga çdo siklet që ju ka zënë kohët e fundit.
E sëmurë
– Ç’do të thotë të shikosh në ëndërr një person të sëmurë? Është një vajzë që e kam pasur shumë për zemër dhe më tha që ishte sëmurë. Aq keq më erdhi sa isha gati t’ia merrja sëmundjen asaj. Ashtu, i sikletosur, u zgjova nga ëndrra. A ka ndonjë kuptim?
– Sigurisht që ka një kuptim; do të thotë që ju, në njëfarë mënyre, ndiheni fajtor ndaj kësaj vajze, ju bren ndërgjegjja për diçka që ndoshta i keni bërë asaj dhe ajo, ju shfaqet në këtë mënyrë në ëndërr. E mbani mendjen tek ajo për këtë gjë dhe ndiheni në siklet e, po ashtu si në ëndërr, do të donit ta ndihmonit në njëfarë mënyre. Atëhere se për çfarë bëhet fjalë dhe pse ju bren ndërgjegjja, këtë e dini vetëm ju. Kjo do të thotë se po ju e keni në dorë veten që të çliroheni nga kjo barrë.
Martesë me ish-burrin
– Përshëndetje astrologes! Pashë në ëndërr sikur po martohesha me ish-burrin, nga i cili jam ndarë prej vitesh. Kisha veshur fustanin e bardhë dhe po përgatisja buqetën e luleve. Do të martoheshim në kishë. Ai kishte arritur dhe po më priste mua. Unë arrita me vonesë dhe prifti ishte shumë i acaruar, por unë i thashë duke e justifikuar që e kishte shtëpinë larg dhe në fund, u martuam. Mos është një shenjë e keqe kjo?
– Nuk është shenjë e keqe, në kuptimin që mund ta thoni ju, por në fakt, nga ëndrra duket sikur ju nuk jeni shkëputur totalisht nga ish-i dashuri, ndjeni nostalgji e keni njëfarë shprese që ai të kthehet te ju. Martesa në ëndërr është pikërisht ajo çfarë ëndërroni, rikthimi i tij. Nga ëndrra, këtë kuptoj. Do të donit që gjithçka të shkonte ashtu siç e keni parë në ëndërr dhe në ditët në vazhdim ju do të bëni një lëvizje për të rikontaktuar me ish-burrin. Ndoshta si fillim ai nuk do të pranojë, por më vonë, do t’ju japë një mundësi. Gjithsesi, kjo varet nga ju. Duhet të tregoheni shumë e zgjuar dhe e matur në hapin që do të hidhni drejt tij, sepse mund të ndodhë edhe që të zhgënjeheni nga ai person.
Shita bizhuteritë
– Motra më ka parë në ëndërr sikur i shita të gjitha bizhuteritë e mia që janë floriri. A ka ndonjë kuptim, kjo?
– Shpjegimi i një ëndrre të tillë i përket motrës suaj, por edhe juve. Mund të diskutoni për një projekt së bashku me motrën dhe do t’ju duhet të investoni. Si fillim, do t’ju kushtojë shumë ky projekt; do t’ju duhet të shisni apo të jepni shumë para, ama bizhuteritë e florinjta që keni parë, tregojnë që do të keni fitim dhe gjendja juaj financiare do të ndryshojë për mirë.