Edhe pse është puro durrsake, Lori Kaçka e ka gjetur veten mjaft mirë në Kosovë. Atje e njohin të gjithë, është e ftuar në emisione të ndryshme, në mbrëmje muzikore fundjavave, si dhe në koncerte pa fund në Diasporë. Duke qenë se Lorin u bë kohë që nuk e kemi patur në një intervistë, u bëmë kuriozë të dinim se ç’ka ndodhur me të së fundmi, ndaj edhe këtë intervistë, ia kushtuam herëve të saj të fundit…
Hera e fundit që…
…ke menduar për këngën “Neve po na rrihet”?
– Tani, po mendoj. Lum unë çfarë kënge dhe çfarë hiti kam! Gjynah për ata që ende nuk e kanë dëgjuar.
…e ke kthyer kokën pas në rrugë?
– Para një jave ktheva kokën sepse në mes të rrugës po digjej një makinë. U tmerrova.
… i ke falur para një fëmije që kërkonte lëmoshë në anë të rrugës?
– Pothuajse çdo ditë u fal para fëmijëve në rrugë. Sidomos njërit që e kam bërë edhe shok, i fal sa herë që e shoh.
…të është dashur të paguash një faturë?
– Dje më është dashur të paguaj faturën e telefonit dhe duhet të them se ishte goxha e majme, aq sa nuk e besova kur e pashë shifrën. (Buzëqesh)
…ke dalë për shopping dhe je kthyer në shtëpi me këmbët copë nga lodhja, plot me çanta nëpër duar dhe kartën e kreditit të shkundur mirë?
– Kjo më ndodh shpesh (qesh), por hera e fundit ka qenë para dy javësh, në Milano.
…ke qarë?
– Hera e fundit që kam qarë ishte kur dëgjova se një vajzë e re që vuante nga leuçemia për të cilën organizuam edhe një koncert humanitar, kishte ndërruar jetë. E kam para syve atë vajzë dhe dëshirën e saj për të jetuar.
…i ke thënë vetes “kjo është hera e fundit që e bëj këtë gjë”?
– Po, sa herë kthehem nga shopping-u, them se kjo është hera e fundit që harxhoj kaq shumë (buzëqesh), por asnjëherë nuk vë mend kur vjen puna për të prishur para.
…ke pirë një kafe vetëm në një bar?
– Më ndodh shpesh të pi kafe vetëm te bari që kam afër shtëpisë.
…ke falur diçka?
– U fal shpesh shoqeve dhe njerëzve të familjes.
…ke menduar të nisësh një shkollë?
– Sivjet mendova të filloja një shkollë mode-dizajn. Ndoshta vitin tjetër do ta filloj.
…ke ngrënë diçka që të ka shijuar aq sa të lëpish gishtat?
– Ushqimin e ha gjithmonë me shije, por kur më gatuan mamaja, lëpij edhe gishtat!
…ke bërë joga?
– Joga nuk kam provuar, por mendoj të filloj së shpejti.
…të ka marrë malli për dikë?
– Çdo ditë më merr malli për familjen time, sidomos për nipat dhe mbesat që i dua fort.
…të ka shkuar në mendje të bësh një tatuazh?
– Gjithmonë e kam patur fiksim një tatu, sidomos para disa vitesh. Në qoftë se do bëja një tatuazh, do të ishte shumë i vogël, ndoshta në kyçin e këmbës; dy putra maceje ose një çelës muzikor.
…ke parë një çift gej?
– Jo, nuk kam parë.
…i ke hapur zemrën dikujt?
– E bëj shpesh me shoqen time, Violetën.
…ke marrë një tufë lulesh me pusullë brenda?
– Këtë herë për ditëlindje dhe ka qenë shumë bukur. (Qesh)
…ke parë fall te dikush për të të zbuluar të ardhmen?
– Para pak ditësh, edhe pse nuk besoj në falle.
…ke refuzuar një propozim për të cilin je penduar tashmë?
– Po, para disa viteve, por nuk ia vlen ta kujtoj tani.
…ke menduar për plakjen?
– Plakja është proces natyror dhe qoftë e mirëseardhur kur të vijë.
…ke menduar t’i kushtosh dikujt një këngë?
– Po, kam menduar, por nuk dua ta zbuloj se më prishet surpriza.
…je përballur me paparacët?
– Nuk para më gjurmojnë, kemi marrëdhënie të mira. (Buzëqesh)
…ke ndjekur live një ndeshje të Kombëtares?
– Jo, por e kam bërë në plan së shpejti, pasi futbolli më pëlqen shumë.
…je grindur me dikë për çështje racizmi?
– Fatmirësisht, nuk më është dashur, por do ta bëja.
…ke dashur të “vrasësh” një gazetar për atë që ka shkruar për ty?
– Nuk kam zemër për të vrarë dikë! (Qesh) Jam irrituar disa herë për gjëra të paqena, por deri diku edhe i kuptoj, duke qenë se ky profesion, duam apo s’duam ne, i tillë është.
…je ndjerë vetëm?
– Ndonjëherë po, por herën e fundit, nuk e mbaj mend.
…ke menduar për karrierën dhe paratë?
– Çdo ditë. Madje, së fundi, po mendoj që në një të ardhme të afërt, të kem edhe një biznes timin.
…je futur të luash në lojëra fati?
– Nuk jam futur dhe as që do të futem ndonjëherë. Është gjëja që e urrej më së shumti.
…ke përdorur grim mbi fytyrën e një djali, për shaka?
– (Buzëqesh) Nuk më ka qëlluar ndonjëherë deri tani, por çfarë s’mund të ndodhë.
…je dehur dhe ke bërë prapësira?
– Nuk ka patur mundësi të ndodhë një gjë e tillë me alkoolin.
…të kanë dhuruar një diamant?
– Akoma jo. (Buzëqesh)
…ke harruar diçka në një tavolinë, bar, pab dhe ta kanë kthyer më pas?
– Para disa muajsh, në Itali, ku isha për një koncert, harrova syzet mbi tavolinë në një bar. Kur u ktheva, nuk i gjeta më. (Buzëqesh)
…ke thyer ndonjë rregull?
– Zakonisht, rregullat e trafikut i thyej, nuk i zbatoj si duhet.
…i je lutur Zotit…
– Çdo ditë i lutem Zotit për vete dhe familjen time, që të jemi mirë me shëndet.
…ke fantazuar duke e parë veten në një koncert ndërkombëtar të përmasave gjigande?
– Si çdo artist, mendoj se asgjë nuk është e pamundur.
…je ndjerë vërtet e lumtur?
– Ka shumë momente që ndihem vërtet e lumtur..
…i ke kujtuar vetes përpara pasqyrës se nuk ka asnjë të dytë si ti?
– Unë nuk jam kështu. Kur e shikoj veten, mendoj se kam shumë gjëra për t’i përmirësuar sepse perfekte, nuk ka!