Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Jam gjallë se nuk vdes dot

– I nderuar psikolog, jam e dashuruar me dikë që e kam shumë afër, por takohemi rrallë se nuk kemi mundësi takimi. Dua ta harroj, por nuk mundem, se shikohemi shumë herë në ditë. Jam shumë e stresuar e vetëm qaj, gjumi më ka lënë fare, oreksi më është prerë, bëhem dyllë e verdhë, më trazohet stomaku dhe nuk rri dot në këmbë. Më errësohen sytë, më merret fryma nga mërzia se as e takoj dot dhe as e harroj dot. Jam gjallë se nuk vdes dot. Kam nevojë për ndihmën tuaj. Linda.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara Linda, kjo letra jote tregon më së miri se dashuria e fortë ka brenda edhe atë që quhet “pjesa e çmendurisë”. Pse jo, për ju mund të thoja: E sëmurë nga dashuria, në daçi me thonjëza, në daçi pa thonjëza, por ja gjendja juaj: Shumë e stresuar, vetëm qan, pa gjumë, pa oreks, dyllë e verdhë, me stomak të trazuar, të errësohen sytë, nuk rri dot në këmbë, aq sa nuk ndjehesh se je gjallë. E qartë: ankth dhe depresion! Por, mos u tremb, se quhet depresion reagues që ka lidhje me një problem, me një ngjarje, pra, futet te depresionet normale, që shërohet me terapitë e ëmbla: Psikoterapi dhe ilaçe 100 % bimore. Pra, ky është një lajm i mirë për ty, porse nuk duhet të vonohet trajtimi, pasi edhe pse depresion normal, duke u zgjatur, me kohë, vjen një ditë që ai nuk dallohet më nga depresioni psikologjik, për shkak se ty të janë prishur ekuilibrat në mënyrë ekstreme dhe çdo ditë që kalon në këtë gjendje, të shtohen vuajtjet e po futesh në rreth vicioz. Po të duash, kliko tek emisioni “Takimi i pasdites” Jashar Demiri dhe aty do të shohësh se çfarë substancash të dobishme krijon dashuria për organizimin, si: Seratoninë, melatoninë e shumë të tjera që s’po t’i përmend dot këtu.
Romeo e Zhuljeta, nuk do të bëheshin të “pavdekshëm” për dashurinë e tyre po të mos kishte aq shumë pengesa… Pra, po të realizohej, dashuria e tyre do të konsumohej, pa e marrë vesh askush dhe ata nuk do të ishin më Romeo e Zhuljetë… Unë nuk i di rrethanat e tua, ndoshta ti mund të jesh grua e martuar dhe ne do të thonim: “Ah, sikur njeriu të ishte i lirë si kafshet”, porse njeriu s’mund të jetë i lirë si kafshët sepse vetë Krijuesi, kafshëve, në mungesë të logjikës, u ka krijuar shumë lehtësira të tjera, pra “favore”, por edhe ua ka “mbyllur” seksin dhe ato mund ta përdorin atë vetëm për shumëzim. Kurse te njeriu, vërtet është lënë “çelësi” i seksit hapur, pra, jo vetëm për shumëzim, por edhe për kënaqësi, por kjo duhet bërë duke u “udhëhequr” nga truri, super organi i çdo gjallese e sidomos, i supergjallesës njeri. Kam thënë dikur në një përgjigje: “O njerëz! Ashtu siç mbroni pronën dhe të drejtat tuaja, mbrojeni edhe dashurinë sepse ekziston një e drejtë themelore që quhet e drejta për të lënë rehat…”
Mirëpo, po të kemi parasysh telenovelën turke “Dashuri e ndaluar”, me siguri, të gjithëve ju vjen keq për Adnanin i cili është i viktimizuar nga njerëzit e vet dhe me siguri që edhe Zoti i ndëshkon ata të cilët i bëjnë keq pas krahëve bamirësit të vet. Martesa, në radhë të parë, është një kontratë e cila do respektuar e nëse lind një dashuri jashtë martese, ne mund të themi: “Dashuria është e “çmendur”, nuk jemi ne!”. Këtë, shumë vetë e thonë për t’u justifikuar, porse unë do të thoja: “Le të çmendet dashuria, të ruhemi që të mos “çmendemi” ne”.
Nëse një martesë resht së ekzistuari apo në mes futet një dashuri e re, e fuqishme, ekziston edhe e drejta për divorc. Divorcin e shohim si një zgjidhje të keqe, por gjithsesi të pranueshme, që në fakt ka lidhje me të drejtat dhe liritë e njeriut. Por, a ia vlen të bësh divorc për një dashuri të re, të fortë, por gjithsesi të “çmendur” e kalimtare?! Unë them se jo! Më mirë do të ishte që ta kalonim këtë fazë “dobësie” deri në depresion me asistencën e psikologut, i cili mëson gjithçka rreth teje, por nuk tregon asgjë që do të të prishte punë ty apo familjes etj., pasi psikologu ruan me jetë sekretin e dobishëm pasi nuk ka asnjë të drejtë që të nxjerrë konfidencialitetin me klientin. Mos u çuditni, një burrë fisnik, gati qante për të shoqen e cila kishte rënë në dashuri me dikë tjetër, por ai nuk e dinte. Ky qante nga dashuria e dhimbshme për të, kurse ajo qante për të dy, për burrin e tradhtuar dhe për një tjetër. M’u betua ky njeri se, aq shumë e donte të shoqen sa do ta lejonte vetë me shumë dhimbje që ajo të takonte atë tjetrin, vetëm e vetëm që ajo të mos i dëmtohej nga depresioni e të mos prishej familja. Ky këtë e tha me shpirt e me dhimbje shpirti, pa e ditur se pikërisht ky ishte shkaku, një shkak i kobshëm të cilin ai gjithsesi nuk duhet ta merrte vesh. Kjo grua vuante sepse as kësaj nuk ia pranonte logjika shkeljen e kurorës, aq më tepër që kishte shumë respekt për të shoqin, por edhe një lloj dhimbshurie si prej nëne për të. Ja, pra, ç’bën fuqia e magjia e dashurisë, pavarësisht se tërheqja seksuale ndonjëherë është si një magnet, aq i fortë sa nuk na lë kohë as të mendohemi, por gjithsesi, kujdes! Prandaj i kemi “frenat” dhe “timonin”! Çdo njeri është vetë përgjegjësi për nevojat e veta, për atë që bën ose nuk bën dhe, kur dashuria lidhet me shëndetin, ndërhyjmë edhe ne doktorët. Gruas së sipërpërmendur unë i krijova bindjen se njeriu asgjë s’e ka të tijën njëherë e përgjithmonë, pra, ai duhet të mësohet me idenë se çdo gjë është e përkohshme, edhe jeta vetë. Ata bënë disa seanca dhe ajo iu shmang depresionit.
Ndoshta nuk e besoni që ky çift më janë betuar se tani e kanë ndjerë atë që quajtën “muajin e mjaltit”. Shpeshherë, dashuria është aq e lidhur me shëndetin mendor, saqë ne nuk e dallojmë dot se ku fillon kufiri i asaj që quhet normale dhe jonormale, pra, patologjikes. Më vjen një djalë i cili ishte trajtuar me ilaçe skizofrenie sepse shpesh, jo në ëndërr, por dhe i zgjuar, ai shihte një grua me sy të bukur e cila i rrinte pranë, por nuk i fliste, as nuk e prekte, madje e donte. Djali nuk trembej nga kjo grua, madje ishte “mësuar” me të se ajo i “vinte” më shumë në momente të trishtuara. Gjatë seancave, zbulova një çudi: Djali nuk e dinte se kjo ishte nëna vet biologjike, të cilën babai i tij e kish divorcuar për tradhti kur djali ishte vetëm 2 vjeç dhe as nuk e mbante mend, porse njerka i ishte paraqitur si nëna e vet. Ai kujtonte se e ka njerkën nënë, por nuk e donte, edhe pse ajo kujdesej shumë për të. Kjo gjë u zbulua gjatë hipnoterapisë, kur unë e kalova atë në një gjendje që quhet gjendje “tranci”. Takova babain e këtij djali dhe i tregova arysen e “sëmundjes”. Ramë dakord, e gjetëm atë grua dhe e takuam me djalin e vet biologjik. Djali qau e tha: “Po, kjo është ajo e më del vetëm se ajo që shoh unë është pak më e re, por ja: këta sy, kjo buzëqeshje… të gjitha”. Ja, pra, çfarë kishte bërë dashuria, kishte mbijetuar ashtu si zjarri i mbuluar nga hiri i kohës…
Do të ishte mirë që skenaristët e filmave të shfrytëzonin këtë rast për të treguar se sa e fortë është dashuria e se çfarë pasojash ka divorci. E nderuar letërshkruese! Sa më parë duhet që të vini për trajtim që t’i vëmë “gardh” depresionit patologjik.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Njoftime nga Italia

Next Post

Sekretet e një jetë më të mirë...

Advertisement