– I nderuar Avokat, jam një lexues shumë i shqetësuar, pasi së fundmi, Gjykata e Apelit Administrativ dha një vendim skandaloz në dëmin tim, pa më dëgjuar fare në seancë, duke e marrë vendimin në dhomë këshillimi. Jam pronar i një toke të shpronësuar nga shteti për t’u bërë rrugë nacionale. E kisha tokën me certifikatë pronësie dhe e kisha blerë me 10 mijë lekë të reja m2. Shteti ma mori për vlerë 250 lekë të reja për m2. Këtë çmim e kundërshtova në gjykatën e shkallës së parë, e cila i quajti të drejta pretendimet e mia dhe se duhet të dëmshpërblehesha me çmimin që e kisha blerë. Të njëjtin mendim dha edhe eksperti, që vlera e tokës është me 10 mijë lekë m2. Ndërkohë, marr vesh që Gjykata e Apelit Aministrativ e ka ndryshuar vendimin, duke quajtur të drejtë shpërblimin e shtetit që më jep 250 lekë për m2. Kjo është diçka absurde, në kundështim të hapur me Kushtetuten dhe ligjet në fuqi, që mbrojnë të drejtën e pronës? Çfarë rruge më sugjeroni të ndjek në vijim, sepse jam shumë i shqetësuar? Me respekt për ju.
Av. Aurel Celibashi, “Celibashi & Associates”, Email: acelibashi@gmail.com, Celular: 0672011401, 0693082255: – I nderuar lexues! Ju jap plotësisht të drejtë për shqetësimin tuaj, pasi e drejta e pronësisë është një e drejtë që mund të cënohet nga shteti, vetëm kundrejt një çmimi të drejtë. Pra, në rastin konkret, ju fillimisht keni fituar me vendim gjykate, por më pas ky vendim ju është rrëzuar nga Gjykata e Apelit Administrativ. Në këto kushte, pasi të njiheni me vendimin, brenda afatit 30 ditor, duhet t’i drejtoheni Gjykatës së Lartë me anë të Rekursit, duke kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Duke qenë një gjykatë supreme, mendoj se këtu do të vihet në vend e drejta juaj. Nëse sërish nuk do të vihet, do t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese dhe më pas, Gjykatës së Strasburgut, e cila në fund të këtij kalvari të gjatë seancash, do t’ju japë me siguri të drejtë, jo vetëm me një çmim shumë të mirë, por edhe duke e ndëshkuar shtetin shqiptar, për shkeljen e të drejtës më minimale, siç është ajo e pronësisë. Gjithë të mirat, ju uroj dhe mos e ndalni luftën e procedurave gjyqësore, derisa të vini në vend një të drejtë të mohuar dhe që ju takon.
Advertisement