Shoku im
– Në ëndërr kam parë sikur isha lidhur me një shokun tim që unë e kam si vëlla dhe e kisha sjellë në shtëpi që ta prezantoja me të gjithë të afërmit e mi. Nuk mbaj mend më asgjë. Çfarë kuptimi ka kjo ëndërr, ju lutem? Faleminderit.
– Shoku që e çoni në shtëpi, përfaqëson disa aspekte tuajat në jetë, të cilat tregojnë nëse jeni e gatshme t’i pranoni dhe të përfshiheni në një marrëdhënie, duke e bërë të hapur edhe me njerëzit që ju rrethojnë. Kjo është një ëndërr pozitive, që do të thotë se: Çfarëdo t’ju sjellë jeta, tani është pozitive dhe ju nuk do të keni frikë apo komplekse ta bëni të ditur edhe në familjen tuaj këtë gjë. Gjithë të mirat!
Telefonata
– Shoh shpesh në ëndërr sikur më bie celulari dhe shikoj emrin e djalit që më pëlqen shumë. E hap telefonin dhe ai më thotë: “Më harrove fare, si ka mundësi mos me na ba një zile? Ç’paske qenë kështu?”. Te një ëndërr tjetër që kam parë po me telefonatë, i them: “Ehu, tani jam lidhur me një çun dhe s’kam kohë për telefonata”. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Të shohësh veten duke folur në telefon, do të thotë se po merrni mesazhe nga e pandërgjegjshmja juaj, ose në mënyrë telepatike. Do të keni telepati për diçka ose për dikë dhe do ju duhet të përballeni pastaj me çështjen në fjalë, ose me disa çështje që i keni lënë pezull dhe jeni munduar t’u shmangeni. Mund të keni telepati me djalin me të cilin keni biseduar dhe në ditët në vazhdim, nuk duhet t’i shmangeni një bisede që mund të hapet mes jush. Tjetër kuptim i telefonatave në ëndërr, është se ju prisni diçka, të cilën e dini vetëm ju se çfarë është; lajm, propozim, ndjesë etj.