Lakuriq nate
– Një natë pashë në ëndërr ca lakuriqë nate që po fluturonin drejt meje. Ç’do të thotë kjo?
– Lakuriqët e natës kanë disa kuptime. Nga ana psikologjike, tregojnë frikëra të pandërgjegjshme, ankth, prishje ekuilibri shpirtëror, ndjesi sikur po sëmureni. Ndoshta ju keni frikë nga diçka dhe e mendoni kaq shumë, saqë kjo gjë mund t’ju bëjë të ndiheni jo mirë edhe fizikisht. Ju këshilloj t’i merrni gjërat me qetësi…
E njëjta ëndërr që i vogël
– Kam parë shpesh një ëndërr kur kam qenë i vogël 4-7 vjeç dhe sot që jam 24 vjeç. Ëndrra ime ishte sikur bija nga lartësitë dhe kur mbyllja sytë në ëndërr, zgjohesha. Këtë ëndërr e shikoja shpesh dhe i thoja vetes në ëndërr: “Mbylli sytë që të zgjohesh”. Në rast të kundërt, nuk zgjohesha, vazhdoja të bija nga lartësia.
– I dashur 24 vjeçar, një ëndërr të tillë e shikojnë shumë vetë në atë moshë që keni përshkruar ju sepse kur je në fazë rritjeje, është normale të shikosh një ëndërr të tillë. Ndjesia sikur po bini nga lartësitë, nuk tregon asgjë tjetër, por fazat e rritjes dhe të ndryshimit të çdonjërit prej nesh. Pra, kjo që po ju ndodh nuk ka asgjë të keqe. Besoj se tani, në këtë moshë, e shikoni më rrallë këtë ëndërr dhe nëse e shikoni, ajo merr kuptimin e rritjes në karakter, në të menduar dhe në të vepruar në jetë.