Bie nga lartësitë
– Shoh lartësi të mëdha, hapësira midis malesh të larta. Unë arrij gjithmonë t’i kaloj, por ka raste që më ndodh të bie për pak poshtë dhe në momentin e fundit, filloj të fluturoj dhe ngjitem sërisht lart. Çfarë do të thotë kjo? Nora.
– Lartësitë që ju shihni shpesh, janë një shenjë e bukur për ju. Ato përfaqësojnë ecurinë tuaj në jetë. Ju jeni gjithmonë në rritje, në të gjitha kuptimet e fjalës dhe do të keni sukses në çdo fushë. Edhe në rastin kur shihni që bini poshtë, menjëherë ngriheni. Kjo do të thotë që gjatë rrugës suaj jetësore, do të keni dhe pengesa, por ato do t’i kaloni pa u ndjerë dhe do të jeni sërish lart.
Shoh ish-të dashurin
– Ka shumë raste që shikoj në ëndërr ish-të dashurin tim, përjetoj shumë gjëra të bukura në ëndërr me të, sikur jam e lumtur. Ai, në të vërtetë, është i martuar dhe nuk është se e mendoj gjatë, por përsëri e shoh në ëndërr. Ju lutem, më thoni, ç’do të thotë?
– Kam folur shumë shpesh për ëndrrat me ish-të dashurit. Edhe në rastin tuaj, ëndrra e tregon fare qartë një lloj pengu që ju ka ngelur në lidhje me këtë djalë. Lidhja juaj me të ka qenë e pakonsumuar, ashtu siç dëshironit ju, një lidhje e lënë përgjysëm, e ndërprerë totalisht, pra, një ndjenjë e thyer. Ju jeni lënduar dhe ju ka ngelur merak ai djalë. Këtë kuptim ka ëndrra, nuk parashikon ndonjë ribashkim me të apo ndonjë gjë tjetër. Ju vërtet thoni “nuk e mendoj”, por ëndrra juaj tregon të kundërtën. Mos e mendoni më dhe hiqeni merakun ndaj tij. Ai është martuar, ka dikë në krah, përse duhet ta mendoni?! Do të thotë që ai s’ka qenë për ju. Diçka më e mirë do t’ju vijë, ndaj hapini sytë më mirë rreth vetes dhe mendoni të ardhmen.
Po martohej tezja
– Përshëndetje! Kam një javë që shikoj në ëndërr sikur shkoj nëpër dasma. Mbrëmë pashë sikur tezja që është e sëmurë, po martohej dhe ishte e gëzuar, por shtëpia ishte shumë e vjetër. Në këtë moment, te porta më doli dajua që ka 9 muaj që ka vdekur. Ai sikur më foli në emër dhe më kërkoi një fshesë. Unë ia afrova dhe ia hodha, por fshesa i vinte te këmbët e mia se ishte pak malore. Unë i thashë “do vij ta sjell vetë” dhe hipa në shkallë e ia dhashë, por aty ishte një vend shumë i bukur, me shumë lule. E pyesja një burrë: “Si e ka emrin kjo lule?” dhe më pëlqente t’i kapja lulet. Daja, sa mori fshesën, u largua. Çfarë kuptimi ka kjo ëndërr? 18 vjeçarja.
– E dashur 18 vjeçare! Gjendja e tezes së sëmurë ju ka shqetësuar në kuptimin e plotë të fjalës dhe kjo është një arsye pse e keni parë këtë ëndërr. Martesa e saj është një lloj shprese, një lloj urimi brenda vetes tuaj që ajo të shërohet sa më shpejt dhe ta shihni të lumtur. Dhe shfaqja e dajës ka lidhje pikërisht me frikën tuaj në lidhje me tezen, me veten tuaj, me familjen. Jeni shumë e ndjeshme ndaj çdo gjëje që ka lidhje me familjen tuaj në radhë të parë, sepse keni një shpirt shumë të bukur. Lulet përfaqësojnë botën tuaj të pastër, shpirtin e dlirë dhe dëshirën për t’i parë të gjithë të lumtur dhe të shëndetshëm rreth jush. Gjithsesi, lulet, përveç faktit që tregojnë pjesën që ju thashë më sipër, parashikojnë edhe një periudhë shumë të qetë e të bukur për ju. Të gjitha shqetësimet që keni, do të fillojnë të zbehen dhe ju do të jeni sërish e qetë. Nuk duhet të shqetësoheni. Mendoni që e keqja tashmë ka kaluar dhe ju presin ditë të bukura.