Secilit nga ne, në një shkallë apo në një tjetër, i ka rastisur t’i buhaviten sytë, ose t’i krijohen poshtë tyre qeska, të cilat disa i quajnë të natyrshme e të zakonshme, ndërsa të tjerët i marrin për sëmundje me pasoja katastrofike, sidomos vajzat dhe gratë, të cilat ndeshen me këtë fenomen më herët sesa meshkujt. Por, ç’janë këto qeska nën sy? Ato janë ose edema, ose qeliza dhjamore. Edemat mund të shfaqen çdo ditë, por mund të jenë edhe të rralla dhe vijnë nga grumbullimi në organizëm i lëngjeve të shumta. Si rregull, ato shfaqen në mëngjes, zhduken gradualisht gjatë ditës dhe shfaqen përsëri në mbrëmje, në varësi të lëngjeve që konsumojmë. Qeskat janë pasojë e rritjes së volumit të indeve djamore, kur ato e shtypin syrin. Ndër shkaqet e tjera që sjellin krijimin e qeskave nën sy janë: Përdorimi tej mase i alkoolit, grumbullimi në organizëm i sasive të mëdha të kripërave, sëmundjet e zemrës, veshkave, mosfunksionimi i rregullt i sistemit të gjendrrave endokrine, mungesa e ajrit të freskët në ambientet ku ndodhemi, mbilodhja dhe streset, prishja e regjimit të gjumit, alergjitë e ndryshme, kalimi i moshës, etj. Por, si të shpëtojmë nga qeskat nën sy?
Së pari, duhen përcaktuar shkaqet. Ato që janë edema, nuk mund të hiqen pa ndihmën e mjekut, por sidoqoftë, një vizitë te mjeku do të ishte e dobishme në çdo rast. Ai që varet nga ju është organizimi i një regjimi ditor të rregullt, si në punë, ashtu edhe gjatë pushimit, sidomos të respektohet orari i gjumit, të bini dhe të ngriheni çdo ditë në të njëjtën orë. Rëndësi ka edhe pozicioni që zini në krevat dhe të mos flini kurrë më pak se tetë orë, duke evituar për shembull shtrirjen në krevat përmbys, etj. Ndiqni me kujdes pasojat që lënë në organizmin tuaj ushqimet e ndryshme dhe evitojini ato që ju bëjnë dëm. Shikoni sidomos sasinë e kripës që merrni dhe kufizojeni atë sa të jetë e mundur. Përjashtoni nga dieta ditore turshitë, gjellët pikante, dhjamërat dhe yndyrnat e tepërta. Filloni të merrni vitamina B-5, e cila e pakëson grumbullimin e lëngjeve në organizëm. Tregoni kujdes sidomos me pijet alkoolike dhe duhanin. Ata që qëndrojnë një kohë të gjatë para kompjuterit, televizorëve e librave, duhet të bëjnë një pushim të shkurtër në krye të çdo ore… Por, e mira e të mirave është që, me t’u shfaqur edemat ose qeskat nën sy, të drejtoheni te specialisti dhe të bëni analizat që do t’ju rekomandojë ai.