Sipas gazetes “Dita”, tre prokurorët e ngarkuar për zbardhjen e vrasjes së katërfishtë në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë zhvilluar në orët e pasdites një mbledhje për të rakorduar provat e mbledhura në vendgjarje dhe dëshmitë e personave që ndodheshin aty.
Nga prokuroria bëjnë të ditur se të katër viktimat janë qëlluar vetëm nga e njëjta armë ndonëse në vendngjarje janë gjetur dy pistoleta. Dy prej viktimave janë qëlluar në kokë nga një distancë e afërt.
I dyshuari kryesor për shkrehjen e armës është i riu Konstandin Xhuvani, por kjo do të vërtetohet plotesisht vetëm pas analizës balistike nga Laboratori i Kriminalistikës.
Sipas rindertimit të parë të ngjarjes nga Prokuroria bazuar në dëshmitë e mbledhura konflikti nisi në orën 4:20 minuta të mëngjesit të së martës në lokalin “Ante Grand” në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet.
Në njërën nga tavolinat ishin ulur; Konstandin Xhuvani, Erald Sida, Arber Demiraj dhe Albano Ballcaj , kurse në tavolinën tjetër dy nga viktimat Edison Jaho dhe Enea Xhaji me dy persona ende te paidentifikuar.
Italiani që mbeti i vrarë ka qenë i ulur në një tjetër tavolinë në shoqërinë e një personi tjetër.
Mes të rinjve ka nisur një sherr fillimisht verbal dhe më pas me grushta dhe sende të forta si tavolina, shishe, karrige, etj. Xhuvani ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar duke vrarë 4 veta, sipas rindertimit te pare të ngjarjes.
Fillimisht ka qëlluar drejt Edison Jahos dhe Enea Xhajit, por plumbat kanë goditur edhe shokun e Xhuvanit, 19 vjeçarin Arber Demiri dhe një klient tjetër, italianin Paolo Azzolo.
Xhuvani, Bllacaj dhe Sida kanë marrë zvarrë shokun e tyre, Arbër Demiri dhe e kanë futur në makinë për ta çuar në spital, por i riu ka humbur jetën direkt. Më pas duke tentuar që të largohen, kanë mbërritur edhe forcat e policisë që kanë bërë të mundur arrestimin e tyre.