Cila nga shprehjet e mëposhtme ju përshtatet më shumë: Të hash për t’u ushqyer, të përgatisësh një gjellë për kënaqësinë tënde dhe të të tjerëve, të shpikësh gjëra të reja, të testosh për të shumëfishuar shijet origjinale? Ju pëlqejnë gjellët origjinale, ato tradicionale, ato me shumë vlera ushqimore, apo gatimi ju duket një barrë e rëndë? Për të kuptuar se cila është tendenca juaj në kuzhinë, bëni testin tonë…
1. Në një revistë, propozohen 10 receta të lehta për t’u gatuar çdo ditë:
a. Ju verifikoni nëse janë receta që i njihni.
b. Ju i këpusni fletët dhe gatuani një recetë që atë mbrëmje.
c. Ju i injoroni; gatimet e lehta nuk janë gjithmonë të shëndetshme.
d. Ju kërkoni më shumë receta unike dhe të veçanta.
2. Në kuzhinën tuaj, gjendet:
a. Një tenxhere gize.
b. Një furrë me mikrovalë
c. Një vvok
d. Një kombinat me shumë funksione, model i fundit.
3. Po kontrolloni se çfarë keni nëpër dollape:
a. Ju pëlqen që keni rezerva për një muaj.
b. Më shumë se dollapet, keni të mbushur ngrirësin e frigoriferit.
c. Hidhni çdo ushqim që i ka kaluar data e skadencës.
d. Mbani shënim gjithë idetë e recetave që mund të bëhen me përbërësit që gjeni.
5. Si e bëni ju pazarin e ushqimeve?
a. Gjithmonë te tregtarët e njohur.
b. Shpejt e shpejt, në supermarket.
c. Duke diskutuar me shitësit dhe prodhuesit e tregut.
d. Duke u udhëhequr nga ngjyrat dhe risitë.
6. Në kuzhinë, ju jeni:
a. Në tempullin tuaj të traditës kulinare.
b. Në vendin ku gatuhen gjellë të shpejta dhe të lehta.
c. Në parajsën e frutave, perimeve dhe peshkut.
d. Në vendin ku grumbullohen eksperiencat e reja.
7. Do të shkoni në një ditëlindje, ku të gjithë do të sjellin nga një gatim:
a. Gatuani gjellën e preferuar të atij/asaj që ka ditëlindjen.
b. Blini një tortë ditëlindjeje rrugës.
c. Përgatisni gjellë dietetike
d. E kaloni ditën duke gatuar, që t’i çudisni të tërë.
8. Kur ishit i/e vogël dhe hynit në kuzhinë:
a. Mamaja ju mësonte sekretet e saj të vogla.
b. Ju qortonin gjithmonë se bënit rrëmujë.
c. Ju thonin se karamelet nuk janë të mira për dhëmbët.
d. Kishit të drejtë të shpiknit receta ëmbëlsirash.
9. Për ju, të gatuash, është:
a. Një traditë
b. Një nga punët e shtëpisë
c. Një dëshirë për ekuilibër
d. Një kënaqësi.
10. Cili është sekreti juaj kulinar?
a. Recetat e gjyshes.
b. Ushqimet që mbani në ngrirje.
c. Libri i madh i ushqimeve të shëndetshme.
d. Shefi i kuzhinës që keni brenda vetes.
11. Një nga të ftuarit, ju bën komplimente për gatimin:
a. Kjo ju bën shumë qejfin, sepse keni gatuar me zemër.
b. Mendoni që është i sjellshëm dhe ju bën qejfin.
c. Ju filloni një fjalim mbi vetitë e omega3.
d. Ndjeheni e mikluar, sepse keni rrezikuar, duke eksperimentuar.
12. Cila është strategjia juaj fitimtare në gatim:
a. Të mendoni mirë çfarë do të blini, që t’i keni dollapët plot.
b. Të blini gjëra që gatuhen shpejt.
c. Të blini përbërësit e stinës.
d. Të dëgjoni dëshirat tuaja krijuese.
13. Cilat receta ndiqni ju?
a. Ato që ju ka mësuar mamaja.
b. Ato që janë shkruar në ambalazhin e produkteve.
c. Ato që këshillohen nga nutricionistët.
d. Ato që jua thotë imagjinata.
14. Cila është fjala e parë që ju vjen ndërmend kur shihni kuzhinën tuaj:
a. E mbushur plot
b. Praktike
c. Me vitamina
d. E rehatshme
15. Nëse do të botonit një libër kuzhine, ai do të titullohej:
a. Ëmbëlsirat e së dielës.
b. Nga ngrirësi në pjatë
c. Shëndeti gatuhet.
d. Variacione kulinare
16. Me kë do të donit ta kaloni kohën në kuzhinë:
a. Me mamanë
b. Nuk keni dëshirë ta kaloni kohën në kuzhinë.
c. Me një nutricionist
d. Me një shef të madh.
Rezultatet:
Nëse keni më shumë përgjigje a. Në gatim, jeni besnik/e ndaj traditave
Në kuzhinën tuaj kombinohet ngrohtësia, shijet, e kaluara dhe traditat. Secila nga recetat tuaja ka historinë e saj, arsyen e të ekzistuarit: Mish i pjekur të dielën, biskotat me gjalpë të gjyshes për çaj, tortat me çokollatë për ditëlindje… Kuzhina juaj ndjek një rit të caktuar dhe ju lidh me rrënjët familjare. Ju pëlqen të gatuani për të afërmit dhe miqtë… me shumicë. Pa dyshim që jeni edhe besnik/e e tregtarëve tuaj të besuar. Ndjenja e besnikërisë dhe ajo që i përkisni dikujt është e rëndësishme për ju. Kuzhina e fëmijërisë suaj është pa dyshim një kujtim i bukur, një vend i ngrohtë ku keni mësuar të ndani momentet e jetës dhe transmetoni vlera. Gatimi ju rrit vlerat dhe ju shijoni komplimentet: Duhet thënë se ju mundoheni gjithmonë të përmirësoni veten, për të pasur sukses në gatim! Atëhere, ju i meritoni lëvdatat.
Për të shkuar më larg: Ju ruani një pozicion shpesh të sigurtë. Nëse ndjeni një kënaqësi të vërtetë kur gatuani ngadalë gjellën tuaj të preferuar, pse të mos i shtoni pak piper, apo të bëni ndonjë ndryshim të vogël, duke marrë përsipër rreziqe të vogla? Ju mund t’ia lejoni vetes disa ndryshime, pa rrezik. Duke modifikuar një përbërës të recetës suaj kult, një salcë, një erëz, do t’i shtoni asaj pak origjinalitet dhe do të afirmoni personalitetin tuaj. Provojeni!
Nëse keni më shumë përgjigje b. Ju gatuani në mënyrë shumë funksionale.
Ju gatuani me gjeste të thjeshta dhe të shpejta… E bashkangjisni kuzhinën me një objektiv të saktë: Të ushqeheni! Përbërësit që fusni në gatimet tuaja janë pa dyshim të lehtë për t’u përgatitur. Gjithashtu, ju mund të zgjidhni gatime të parapërgatitura, ose të ngrira. Mbase nuk ndjeni kënaqësi personale kur përgatisni një gjellë, ose jeni shumë i/e zënë me gjëra të tjera, për t’u marrë me gatime. Nuk jeni kundër komplimenteve, por nuk i kërkoni medoemos në këtë fushë. Mbase kur gatuani ju mendoni për diçka tjetër, sikur t’i bënit veprimet pa qenë vërtet i/e pranishëm. Mbase ju kanë transmetuar një mënyrë shumë automatike gatimi që ju e riprodhoni, ose e kundërta, keni një imazh negativ të një personi të familjes suaj që rri gjithë ditën në kuzhinë dhe për të cilin, gatimi është i rëndësishëm. Kuzhina është ngulitur te ju si një punë që duhet bërë…
Për të shkuar më larg: Në pamje të jashtme ju krijoni një imazh pavarësie, të një personi që nuk rri gjithë ditën pas gatimit. Jeni realisht aq i/e lirë siç e dëshironi? Nuk ndjeheni pak e ngecur në imazhet e lidhura me fëmijërinë dhe pas një industrie ushqimi që jua ofron gjellët të parapërgatitura? Përpiquni të krijoni një marrëdhënie më të kënaqshme me kuzhinën; më krijuese, më pak rutinë. Lërini pak më të lira dëshirat dhe imagjinatën tuaj. Provojeni këtë eksperiencë për t’u aftësuar edhe në këtë fushë.
Nëse keni më shumë përgjigje c. Për ju, gatimi i shërben shëndetit!
Ushqime të gatuara në furrë, me avull, ose në vvok (tigan kinez). Metodat e gatimit që ju zgjidhni janë pro vitaminave. Më shumë mbizotëron ndërgjegjja që gjellët të jenë në përputhje me nevojat tuaja, sesa kënaqësia e të gatuarit. Pa dyshim që i zbatoni me rreptësi parimet e gatimeve dietetike, ose të të ushqyerit për të mbushur pjatën tuaj me ushqime të domosdoshme. Perimet, vaji i ullirit, mishi i bardhë dhe peshku me omega3, farat dhe algat, ja, cilat janë ushqimet e shëndetshme për ju.
Gatimi ju bën mirë dhe ushqen këtë lidhje harmonie që kultivoni me trupin tuaj. Ju shqetësoheni si për ekulibrin tuaj, ashtu edhe për atë të planetit ku jetoni. Qërimi i perimeve dhe xhonglimi me përbërësit natyralë ju afrojnë me tokën dhe natyrën tuaj. Mbase edhe keni lexuar shumë për të dalluar më mirë vetitë e secilit ushqim dhe për të nxjerrë më të mirën nga ato, me anë të gatimit të duhur. Megjithatë, mos u stresoni shumë përsa i përket ushqimit, pasi edhe kënaqësia në të ngrënë, zë vendin e vet.
Për të shkuar më larg: Gatimet tuaja tregojnë një pozicion shumë të vendosur që keni zënë e që nuk pëlqehet nga të gjithë njerëzit. Ky ndryshim zakonesh ushqimore ju shërben shumë dhe, trupi juaj, ju falënderon për këtë. Megjithatë, kuzhina është edhe një vend bashkimi dhe ndarjeje eksperiencash me të tjerët. Kujdes, sepse në disa raste, tregoheni shumë i/e ngurtë… Lërini vend edhe kënaqësisë, mos rrini gjithmonë në pozita mbrojtjeje, privilegjoni faktin e të qenit bashkë me të tjerët rrotull një tryeze, me qëllim që të përfitoni edhe psikologjikisht, nga e ngrëna.
Nëse keni më shumë përgjigje c. Kuzhina, vendi juaj i krijimtarisë!
Kuzhina është për ju një skenë teatri e të gjitha ëndrrave tuaja kulinare, vend ku rrezaton shpirti juaj krijues. Nuk ngurroni të fusni fruta në gjellët me kripë, të shërbeni avokadon si ëmbëlsirë, siç është zakoni në Brazil. Me ju, përbërësit dalin jashtë kornizës së zakoneve kulinare dhe gatuani një numër të madh gjellësh, shpesh, shumë origjinale. Të afërmit dhe miqtë tuaj nuk ngopen dhe nuk mërziten kurrë me ato që gatuani.
Pavarësia juaj në kuzhinë dëshmon një siguri të fortë të brendshme. Jeni ithtar/e e risive dhe ju pëlqen të befasoni të tjerët e veten. Pa dyshim që fëmijë ju keni marrë zakonin e të gatuarit me njërin nga prindërit, që përveç transmetimit të dijeve të tij, ju ka shtyrë të merrni nisma. Ju ndërmerrni rreziqe, pasi edhe nëse dështoni, nuk e përjetoni si katastrofë. Kuzhina është një terren eksplorimi që e keni shumë për zemër.
Për të shkuar më larg: Kuzhina ju sjell kënaqësi të mëdha dhe ju e gjeni veten aty. Mos hezitoni të bëni edhe gjellë që u pëlqejnë të ftuarve, megjithëse ju duken shumë klasike apo të zakonshme. Ata nuk duan patjetër të befasohen nga ato që gatuani. Kështu, do të ushqeni edhe miqësinë, duke u treguar se i keni parasysh. Shoqja juaj pëlqen supën kineze dhe, fëmijët tuaj, purenë. Atëhere, vërini në menu, pa pasur frikë se do të përsërisni veten dhe do t’i mërzisni.