– Përshëndetje! Kam një pyetje për psikologun tuaj. Dikur në Shqipëri njerëzit kanë qenë më të padjallëzuar. Kam dëgjuar që dikush mund të bënte motër ose vëlla dikë që s’e kishte gjë me gjak dhe kjo atëhere quhej “vëlla ose motër me hajmali”, ndërsa meshkujt sot i shikojnë femrat vetëm si subjekt seksual. A është e mundur që një mashkull ta dojë një femër si motër pa patur tërheqje për të? Si ka mundësi që sot është e vështirë, ndërsa dikur, jo? Me respekt, Toni.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – Është e vërtetë, i nderuar lexues, se dikur vërtet ca norma e tradita janë ruajtur më mirë, ndër to edhe bërja motër apo vëlla me dikë që s’ishte gjaku yt dhe kjo respektohej ashtu siç mund të ndodhte e ndodh edhe sot jo rrallë që dy vetë që s’janë vëllezër, ndihen si vëllezër, si unë me Islam Lauken ose e kundërta, që vëllai me vëllanë bëhet “hasëm”(!) e ndoshta vriten për një copë tokë. Është e vërtetë se meshkujt sot i shohin femrat më shumë si objekt seksual dhe këtu ka ndikuar më shumë mungesa e turpit, e ndjenjës së përgjegjësisë, emisionet e shumta erotike apo kasetat, diskot, alkooli, dorgërat, si dhe “pjekja” seksuale e parakohshme etj. Sot, fëmijët dhe rinia futen shumë para kohe në “botën” e seksit dhe opinioni apo “normat” janë bërë shumë tolerante në këtë drejtim, duke e quajtur këtë si “liria” e personit për të bërë forma zgjedhjeje, që nga aventurat e fshehta e deri tek ato të hapurat, siç është për shembull, bashkëjetesa. Nuk dua t’i paragjykoj disa forma që ia kemi “kopjuar” Perëndimit, por e keqja është, se ne, përgjithësisht, bëjmë ca “kopjime” të “cunguara”, pasi edhe bashkëjetesa duhet të ketë ca rregulla të qarta dhe të shkruara si një tip akt-marrëveshjeje, si një martesë joligjore, por që duhet t’u përmbahet rregullave e normave shoqërore, si edhe ligjeve. Aq sa e “hapur” duket një bashkëjetesë, aq edhe e mbyllur është ajo, pasi askush, ca më pak vetë prindërit, nuk e dinë se ku po i çon kjo gjë e se ç’po ndodh me fëmijën e tyre, si janë “rregulluar” kushtet, të drejtat, detyrimet, shpenzimet, çfarë të ardhmeje apo rreziqesh ka bashkëjetesa?! Siç më ka thënë ime shoqe, e cila prej vitesh ka punuar në shëndetësi, numri i vajzave që vijnë për abort në maternitet, sa vjen e po shtohet, si pasojë e bashkëjetesës “me dikë”. Unë në librat e mi kam shkruar për rreziqet e abortit në shtatzaninë e parë. Në ca raste që njoh unë, nuk kanë bërë më fëmijë pas abortit të parë… Më vjen keq ta them, por duke i studiuar këto forma, nuk shoh ndonjë perspektivë te bashkëjetesa e disave veçse si bashkëjetesë për të bërë seks… Nuk ka asgjë të keqe këtu, se edhe kjo është një formë ku e ku më e mirë sesa prostitucioni apo “dashuria” ferrave, është në fund të fundit edhe një alternativë në mungesë të mundësive për martesë, më saktë, për dashuri e seks, pasi doktori i mirënjohur Arqile Boti, ndjesë pastë, në vend të këshillës “bëni seks”, u jepte vajzave e djemve me ankth e depresion, këshillën “Martohu!”. E kush nuk do që të martohet, por ec e martohu, kur nuk ke as kushte pune e banimi e as kandidatin e duhur… Ndaj njerëzit sot, i bëjnë si me “frikë” jo vetëm martesat, por edhe fejesat, të cilat në fakt do t’i quaja si paramartesa, ose si një “provë” që mund të çojë ose jo në martesë.
Gjithsesi, njerëzimi i diktuar nga nevojat nga normat e transpërcjellura brez pas brezi, por edhe nga feja, bën “gjetje”, disa nga të cilat këtu në Shqipëri rezultojnë edhe mjaft interesante, siç është pak në Veri fenomeni i “burrnimit”, pra, që për arsye të ndryshme, një grua “vetëshpallet” “burrë”, vishet e sillet si burrë dhe të tjerët e pranojnë zgjedhjen e saj, pra, respektohet si burrë kudo, edhe pse çdo burri të vërtetë i “vete” mendja se asaj i mungon organi më kryesor që e bën mashkullin mashkull dhe dihet se ka një organ që i “duhet” e i pëlqen aq shumë çdo mashkulli. Mirëpo këta lloj “burrash”, për fat të keq, plaken shpejt e vdesin para kohe, se, siç ka shkruar Doktor Adem Harxhi, “mos dilni kundër natyrës se ajo do t’ju ndëshkojë”. Këtu qëndron edhe arsyeja pse çuditen të huajt, se këtu ka një psikologji kolektive, të transmetuar ndoshta gjenetikisht brez pas brezi, që me këtë grua të bërë “burrë”, të zbatohet ai lloj “kodi” që të bën të mos ndjehesh me të si me një femër, pra, bën atë që ndoshta nuk e bëjnë dot as psikologët më të mirë e që mund t’ju duket shumë e çuditshme po të themi që e bën komponentin seksual të çdo mashkulli “nul” para kësaj burrneshe, edhe pse fjala “burrneshë” përsëri i përket gjinisë femërore.
– Këtu, studiuesit e huaj kanë gjetur çuditë e tjetra të bukura të vetëpërmbajtjes e të respektimit të normave të transmetuara e të ngulitura, edhe me kanune, por edhe gati si gjenetikisht. Kjo është arsyeja pse në Shqipëri fjala “motër” apo “vëlla”, përjashton çdo lloj subjekti ose objekti seksual, edhe pse dy vetë mund të mos jenë vëlla e motër të një gjaku. Është gati njëlloj sikur vjehrri e sheh nusen e djalit si vajzën e vet, edhe pse nuk e ka gjakun e vet. Besoj se të bindi e të pëlqeu shpjegimi im, i nderuar lexues, që ka të bëjë me sedrën, dinjitetin e normat e çdo njeriu, pasi ka edhe raste inçesti, domethënë, mosrespektim të gjakut e jo më, të “emërimit”. Është e qartë se frika nga Zoti ka patur aq shumë rolin e vet frenues e rregullues, pasi nëse i ke thënë dikujt “motër apo vëlla” me hajmali, ishte njëlloj sikur t’i thoje motër apo vëlla përpara Zotit. Edhe një herë, gjithçka këtu varet nga fuqia psikologike e respektimit të normave, traditave e sidomos fesë! Po t’i studiuesh edhe rregullat e fesë, gjen aq shumë gjëra të bukura të tolerancës, por edhe të mbrojtjes. Për shembull, nuk lejohet që femra në fenë myslimane të rrijë zbuluar apo t’u japë dorën edhe kushërinjëve të parë. Kjo gjë nuk shihet nga studiuesit si intolerancë ndaj të afërmve, por si një mbrojtje nga “shejtani”, pasi kanë qenë edhe kushtet nga të cilat ka përfituar “djalli” apo “shejtani” në të gjitha rastet e inçesteve. Vetëm se këto “emërtimet” apo “shpalljet” vëlla ose motër, duhet të kenë edhe rregullat e veta sepse mund të ketë edhe “hipokrizira” se gjithkush e di se duhet respektuar si motër apo vëlla, por askush nuk guxon të bëjë një shëtitje nëpër botë apo turizëm si motra me vëllanë me dikë që në fakt nuk e ka motër apo vëlla. Të jemi të qetë se edhe rregullat që motra e vëllai të rritur nuk lejohen të flenë së bashku nuk ka të bëjë me friken e tepruar apo mungesën e “moralit”, por me rregulla që njerëzimi i ka nxjerrë dhe vërtetuar nga shekujt. Sa për vete, jam dakord që letrën tuaj ta marrim më shumë si një qortim apo apel që njeriu duhet të jetë besnik dhe se fjala besë është fjala më e bukur që mendoj se në gjuhën shqipe tingëllon e fortë dhe shumë grishëse për t’u zbatuar. Bota është çuditur me vargun më të fortë në letërsinë e globit me një thënie shqiptare: “Më ka zënë rrasa e vorrit me besë të dhënë”, që do të thotë se nuk e ka problem pse ka vdekur, por sepse kish dhënë besën për diçka, por vdekja nuk e la që ta mbante. Unë edhe mosdhënien e një borxhi e quaj shkelje të “besës” (besimit) dhe këtë gjë e kam transmetuar edhe te fëmijët e mi. Kam një si vëlla në Këmishtaj të Lushnjes dhe fëmijët e tij më duken vërtet si të vëllezërve të mi, kam një model të bukur, nipin tim Genti, i cili kur afrohet me një vajzë, thotë: “Duhet të ndjehem edhe mbrojtësi i saj, si të isha në rolin e vëllait të saj”, sipas parimit, që “mos ia bëj tjetrit atë gjë që ti nuk do ta dëshiroje të ta bënin të tjerët”. Sepse, është normale, vëlla e motër nuk është vetëm ai ose ajo që është e gjakut, por edhe dikush që e ndjen si të tillë.
Advertisement