Metroja është një mjet udhëtimi shumë i mirë, sidomos në qytetet e mëdha, ku ka shumë trafik dhe është e vështirë të gjesh vende parkingu. Megjithatë, ajo ka edhe disa probleme: Në verë bën shumë nxehtë dhe në orët e pikut, ka një ngjeshje pasagjerësh. Është e qartë se shumë metro të botës kanë nevojë për një rinovim. Disa imazhe na tregojnë se si do të jenë trenat e metrosë së Londrës, për ta bërë udhëtimin në të rehatshëm dhe të sigurtë për pasagjerët. 250 trenat e rinj do të jenë më të hollë e pa shoferë dhe do të shërbejnë në linjat e Bakerlosë, Central, Piccadilly dhe Vaterlo dhe City duke filluar nga viti 2025.
Ato do të kenë më shumë kapacitet, ajër të kondicionuar dhe vagonët do të jenë të lidhur me njëri-tjetrin, duke i lejuar pasagjerët të lëvizin lirisht në ta, por më e rëndësishmja; ato do të jenë pa shofer dhe do të ecin me sistemin e ri sinjalizues, për të pakësuar vonesat. Në fillim, do të kenë shoferë, por projekti është që të jenë krejtësisht autonomë. Kapaciteti do të rritet me 25% në linjat e Centralit dhe Bakerlo-së, me 50% në atë të Vaterlo-së dhe në 60% në Piccadilly. Kjo bëhet për t’iu përshtatur popullisisë në rritje të Londrës, e cila pritet të shkojë në 10 milionë në vitin 2030. “Këta trena rinovues, elegantë dhe modernë do të jenë thelbësorë për modernizimin e vazhdueshëm të metrosë londineze”, ka thënë kryetari i saj i bashkisë, Boris Xhonson. “Ata do të transportojnë miliona njerëz përmes qytetit, në mënyrë më të rehatshme, të sigurtë dhe më stil se më parë”.