Interesante do të ishte pyetja: Kur dhe ku njerëzit hodhën themelet e banesave të tyre për herë të parë dhe filluan jetën e përbashkët sedentare, duke hequr dorë nga jeta endacake? Të dhënat arkeologjike tregojnë se ndërprerjet e para të jetës endacake dhe ngulimet e para në një vend kanë ndodhur përpara shekullit VIII para erës sonë dhe konkretisht, në viset ku tani shtrihet Azerbajxhani. Atje dhe në atë kohë, njerëzit kanë filluar të merren me punimin e tokës dhe “ta nxjerrin bukën nga dheu vetë, me duart e tyre”. Ato vise quhen edhe zona të “Gjysëmhënës prodhimtare” (tani, në ato vise, jetojnë popujt e Turqisë, Iranit, Irakut e Sirisë). Pikërisht në këto vise, arkeologët kanë gjetur dhe po gjejnë vendbanime të lashta që tregojnë jetën paraqytetare. Me krijimin e këtyre qendrave të përbashkëta të banimit, njerëzimi filloi të përvetësojë jo vetëm “industrinë e gurit”, por edhe përpunimin e mineraleve dhe prodhimin e metaleve, filloi të zhvillojë industrinë e poçarisë, filluan veprimtaritë kolektive në fushën e vaditjes dhe të mbledhjes së prodhimeve bujqësore. Nën shembulin e tyre, andej nga shekulli i pestë para erës sonë dhe pas kësaj, filloi të kultivohet toka në viset evropiane.
Me propozim të arkeologëve, pikërisht këto grumbullime të njerëzve në vende të përbashkëta banimi morën emrin “globalizimi i parë në historinë e njerëzimit”. Dy nga përmendoret më të shquara të kësaj periudhe janë qendra e banimit në Shommuteli të Azerbajxhanit dhe ajo e Shulaverit në Gjeorgji. Shumë veti karakeristike të asaj kulture arkeologjike janë ndërtesat rrethore prej balte, qeramika me zbukurime plastike, statuja të vogla grash nga qelqi vullkanik, armë që u ndërtuan nën ndikimin e vendbanimit të Hasunit dhe Hallafit që ndodheshin në viset e sotme të Irakut, Sirisë veriore dhe Turqisë juglindore. Me sa duket, pikërisht që këtej erdhën në Kaukaz kultivuesit e Gjeoj-Tepit, që shtrihej në breg të lumit Kurri, 10 kilometra në Lindje të qytetit Tovuz në Azerbajxhan. Në rrethinat e këtij qyteti ka patur edhe vendbanime të tjera të lashta. Vetë Gjeoj-tepi zinte dy hektarë, godina e përbashkët ishte 9 metra e lartë dhe kishte një diametër prej 145 metrash. Ky monument i lashtësisë ilustron të gjitha stadet e zhvillimit të ekonomisë neolitike, epokën e globalizimit të parë të bujqësisë, blegtorisë, prodhimin e produkteve ushqimore, pra, ka ndikuar në vetë shtimin e njerëzve, në ndërtimin e banesave me qerpiçë (tulla të papjekura) dhe bashkë me të gjitha këto, lindën edhe besimet fetare. Gjeoj-Tepi u zbulua nga doktori i shkencave historike Narimov. Tani, këtu është ngritur Muzeumi i “Epokës së globalizmit të parë”. Midis objekteve arkeologjike që janë zbuluar këtu, ka vegla pune si drapërinj prej kockash, ose kocka bagëtish të cilat janë bërë vegla pune me anë të përpunimit me bitum. Po kështu, janë ekspozuar vegla dhe armë prej gurësh e argjili. Ato janë shfrytëzuar, sidomos për gjuajtjen e shpendëve të egër. Janë pikërisht godinat dhe sendet e gjetura që u bënë shkas për të krijuar këtu Muzeumin e vetëm të këtij lloji në botë, ku vizitorët mund të njihen me historinë, nëpërmjet objekteve arkeologjike. Vizitat në këtë muzeum do t’u japin mundësi vizitorëve “të kthehen pas në kohë” dhe të shikojnë se si ka filluar grumbullimi i njerëzve në një vend të caktuar, si ka filluar ndërtimi i banesave e punishteve të ndryshme, si filloi prodhimi i drithërave, etj.