– Përshëndetje Dr. Demiri! Jam një pensioniste nga Tirana. Kam 34 vjet e martuar. Burri më ka torturuar fizikisht e psikologjikisht dhe akoma vazhdon ta bëjë. Tani nuk mundem më, e kam duruar për hir të fëmijëve, por ata u martuan dhe janë jashtë shtetit. Jam në pension dhe punoj sanitare në një lokal. Ai, sa m’i merr lekët, më thotë “do paguash qiranë e shtëpisë se është shtëpia ime”. Në fakt, kur jemi martuar, unë e kam gjetur pa shtëpi. Tani kemi 34 vite, siç thashë, në këtë shtëpi, ku bëmë 3 vajzat dhe unë duhet të paguaj gjithmonë qiranë për shtëpinë. Kam derdhur djersë për këtë shtëpi dhe ai nuk punon. “Do të më mbash ti, më thotë, ose ik nga shtëpia se është e imja”. Unë e kam frikë edhe kur e shikoj. Ai është 130 kile, kurse unë 46 e më tmerron. Sa më shikon, më ofendon. Kam tentuar disa herë të vetëvritem, por kam menduar për fëmijët. Nuk mund ta duroj dot më dhunën psikologjike. Kam kaluar në depresion. E çfarë të bëj unë në këtë moshë, tani që jam 62 vjeçe dhe punoj ashtu, edhe pse e sëmurë. Si duhet të veproj? Ju lutem, më ktheni përgjigje. Me respekt, Mira.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara 62 vjeçare! Nuk doja që ta botoja këtë letrën tënde, aq e rëndë është, ose do të doja që ta kishim bërë si objekt diskutimi edhe me lexuesit e “Intervistës”, të cilët me siguri do të të thonin: Po si e paske duruar deri tani?! Pse u dashka kjo jeta jote e përbashkët me këtë njeri i cili është një parazit dhe i pashpirt, aq sa të paska torturuar tërë jetën fizikisht e psikologjikisht e aq sa disa herë ti ke tentuar që të vetëvritesh? E dinë vajzat e tua këtë gjendje? A e dinë ato se babai i tyre 130 kilogramë jeton me djerën e një sanitareje 46 kilogramëshe dhe “luan” me të si macja me miun, aq sa ti thua “më tmerron sa më shikon; më ofendon” etj. A i dinë fëmijët tuaj këto? Në qoftë se nuk i dinë, ti pse nuk ua thua? Në qoftë se i dinë, si nuk po del njëra që të të marrë me vete jashtë, me mirëkuptim edhe me burrin e që ti të jetosh atje si një konteshë, siç e meriton e që t’u vish në ndihmë edhe nipërve e mbesave që kanë nevojë për gjyshen e që po të jetë sanitare, sa ç‘fiton me një orë punë në Itali a Greqi në ndonjë familje, nuk e fiton për gjithë ditën te lokali ku ti punon këtu në Shqipëri? Ku e gjeti ai burri yt të drejtën për t’u dhjamosur në shtëpi në kurrizin tënd e të hajë djersën e një 46 kilogramësheje kockë e lëkurë që i shkon uji për gurmazi? Unë e kam shumë të vështirë që t’i rekomandoj një çifti divorcin, pasi edhe në Kuranin e shenjtë thuhet se është gjynah i madh nëse bëhesh shkaku apo sebepi i keq për të ndarë një kurorë, porse mendoj se shkaktari i prishjes nuk do të jesh as ti, as unë, por ai i pashpirt dhe i papërgjegjshëm, yt shoq. Vetë fakti që është “dhjamosur” duke vajtur 130 kilogramë, tregon se ai është treguar i papërgjegjshëm edhe në jetën e vet sedentare, është “mbyllur” në atë që quhet “zona e rehatisë” dhe kërkon nga ti dhjamë nga pleshti, siç thotë populli. Në qoftë se vajzat e martuara janë të “merakosura” se duke u martuar u prishet “imazhi” prindëror, le ta bëjnë këtë gjë si me lezet, le ta çlirojnë mamanë e tyre nga ky përbindësh dhe ai le të marrë për të jetuar me qira një grua tjetër (po ta gjejë), se nuk e ndalon kush, pasi as shtëpinë nuk e shet dot ai edhe sikur ta ketë blerë që para martesës me ty, pasi martesa të bën bashkëpronare automatikisht. Unë e çdo njeri, edhe ai me pak mend, nuk e lë njeriun e vet në atë lloj rreziku e degradimi, se nuk pyes as për shtëpinë e as për pasuri dhe ju o vajza të kësaj nëne, sado që ju dhimbset edhe babai, duhet të shpëtoni nënën. Çfarë do ishte më shumë prishje imazhi, divorci apo vetëvrasja? Sigurisht, rëndësinë parësore e ka jeta dhe nëse, larg qoftë, ndodh që mamaja juaj të vrasë veten, atëhere ju tri vajzat, bashkë me burrat, sigurisht që do të vini ta qani, por edhe do të thoni: “Ku ishim?!”. Edhe babai juaj mund të lëndohet e pendohet pse e çoi një jetë në greminë, por nëse nuk i bëhet “azili” te burgu, për nenin shtrëngim për vetëvrasje, të paktën do të pendohet që hyri në gjynah që e “vrau” të shoqen në mënyrë indirekte me torturat, me ngacmuesit e shumtë e të padurueshëm ndaj saj. Në qoftë se ajo pati aq frikë nga divorci apo denoncimi në polici pas së cilit direkt të vendosin “byzylukët”, po ti të pakten o “burrë” 130 kilogramë, nuk e ke aspak frikë Zotin?! O rob i trashur nga trupi dhe nga trutë, pse nuk mendon për këtë pensioniste që po shuhet të paktën si njeri, pse nuk e vë veten të paktën një herë në rolin e vëllait të saj? Ç’do të bësh për të dhe pa të, nëse ajo vret veten? Këto pyetje po i bëj duke pasur parasysh një mjet psikologjik që quhet “rreziku”. Njerëz të tillë, me anë të asaj që quhet hipnoterapi, unë i vendos në vendin e rrezikut, ose të “shtrirë” në shtratin e vdekjes, duke i ripërjetuar të gjitha gabimet, gafat, fajësitë apo mëkatet që ka bërë njeriu që e çoi veten deri këtu. Ka ndodhur që klienti edhe ka qarë gjatë këtij procesi hipnoterapeutik dhe unë i kam thënë: “Zgjohu dhe mos qaj, gëzoju që kjo që “përjetove” ishte si një ëndërr e keqe e nuk është e vërtetë, por ndrysho, mos u sill kështu me veten e me të tjerët”, ose: “Mos përdor më alkool, drogë… se ja ku të çoka kjo!”.
Kjo lloj metode, ky mjet psikologjik ka shumë ndikim për t’i ndryshuar klientit jetën e për t’i rilidhur “zinxhirët” e së ardhmes aty ku ata janë këputur. Qëllimi i psikoterapisë është që t’i japë kuptim e përmbajtje jetës e të ndihmojë jetën e cënuar, por kjo duhet bërë në kohën e duhur dhe jo kur, siç thuhet, e ka marrë ferra uratën. Shpeshherë na vijnë me vonesë për ndihmë, atëhere kur ka ndodhur e keqja ose kur është shumë vonë. Dje e përzura një djalë tepër të dëmtuar dhe shumë të varur nga droga. E di që nuk i duhet mbyllur kurrë dera një klienti, por dëmi i tij ishte kolosal dhe ai tani ishte bërë një i sëmurë psikik që kërcënonte të dy prindërit e tij pensionistë për t’i dhënë para për drogë. Ai tani paraqet edhe rrezikshmëri dhe duhet mbyllur në ndonjë institucion për trajtim, përpara se të përfundojë te Burgu i Zaharisë në Krujë dhe ndonjë jetë e pafajshme të këputet nga dora e tij. Ai ishte gati të më kërcënonte edhe mua se s’po e “ndihmoja”, por unë e përcolla si me lezet. Tek ai ka ardhur ai që quhet “rreziku” dhe mbi 10 vite përdorues droge do të thotë një jetë e humbur për të. Tani, le të themi sa të duam “ku ishim?”, se rikuperimi dhe rehabilitimi i tij është shumë i vështirë, në mos, i pamundur… Besoj e kuptoni se “këmbanat” e kësaj përgjigjes sime duhet të bien më tepër për vajzat e tua, e nderuara 62 vjeçare, por edhe për ty. Mira, mos ia lejo vetes vetëvrasjen, dorëzimin!
Advertisement