Ai është një ndër tekstshkruesit më të suksesshëm, por mjaftoi pjesëmarrja e tij në një klip mjaft provokues me skena hot, që Endriti të përflitej dhe të vihej në qendër të vëmendjes këto ditë. Dikush e kritikoi, dikush tjetër e komplimentoi, por gjithsesi, klipi, dashur pa dashur, e mori atë që synonte, vëmendjen e kërkuar dhe klikimet e shumta. E nëse deri më sot e keni njohur Endritin vetëm nëpërmjet teksteve të tij, tani mund ta njihni edhe përtej tyre, njihni djalin që beson shumë në Zot, por edhe guxon, si në rastin e fundit…
Mia. B: – Endrit, ti je një emër mjaft i njohur në muzikë, me tekstet që mbajnë firmën tënde, por këtë herë, emri yt po lakohet shumë për një tjetër fakt… klipin e fundit. Ti e merr me mend pyetjen e radhës, por më parë më thuaj diçka më shumë rreth këngës dhe cili është morali i fabulës në klip?
Endrit Mumajesi: – Fabula e këngës është që, edhe dashuria e ka një armë dhe ajo është zemra. Kënga flet për një realitet që ndodh rëndom në vendin tonë. Në këngë e krahasoj zemrën me armën sepse ato s’kanë dallim nga njëra-tjetra. Me armën mund të vrasim dikë, mund të vetëmbrohemi ose mund të vrasim veten. Njëlloj ndodh edhe me zemrën, mund të vrasim dikë duke e tradhtuar, mund të vetëmbrohemi duke mos dashur asnjë ose mund të vrasim veten, duke dashur shumë. Morali është që të gjithë mund të jemi viktima të tradhtisë dhe viktima të vetvetes.
– Është një klip me skena shumë hot, për të mos thënë erotik, protagonist i të cilit je ti me një vajzë… Çfarë të tërhoqi te ky skenar?
– Si fillim, më ka lindur idea e skenarit e pastaj kemi krijuar këngën bashkë me producentin tim, Marsel Gungën, të cilin dua ta falënderoj. Krijova disa personazhe dhe fantazia nuk vendosi vlera morale në to. Në klip, unë luaj rolin e një vrasësi skizofren dhe kjo lidhet me dëshirën që kanë shumica e femrave në Shqipëri: Pasja e një mashkulli të fortë në krah!
– Ke bërë dikë xheloze me këto skena?
– Jo, asnjë, jam beqar. (Qesh)
– Unë di që Endriti është shumë besimtar, beson shumë në Zot, madje agjëron gjithë muajin e Ramazanit dhe e kam pak të vështirë të bëj lidhjen e Endritit që sapo përmenda, me Endritin që sapo pashë në video…
– Ajo çfarë kam bërë në video s’ka aspak lidhje me jetën time private, me tipin tim, me karakterin tim. Muzikën e kam dashur që i vogël, ndërsa fenë Islame kam dy vite që e praktikoj dhe falënderoj Zotin për këtë. Ka qenë një dilemë shumë e fortë me veten, që e di se do ta vuaj gjithmonë, por si i thonë fjalës, “e bëra” dhe jam i sigurtë që jo të gjithë do të më kuptojnë.
– Nuk dua t’i futem temës së fesë, por dua të të pyes: Si e pritën miqtë e tu myslimanë klipin, pasi e panë?
– Kanë qenë totalisht kundra dhe kanë bërë çmos që të mos e bëj këtë gjë.
– Ti je ndër tekstshkruesit më të pëlqyer dhe ke bashkëpunuar me shumë këngëtarë e kompozitorë. Ku e gjen frymëzimin, kur të kërkohet një tekst dhe të jepet një afat për ta mbaruar?
– Ka aq njerëz që vuajnë në dashuri, dashuri nga më të ndryshmet, saqë më mjaftojnë të frymëzohem. Shumë tekste të miat janë histori të vërteta ose fjalë që personi përballë nuk ka mundur të m’i thotë, por që më ka frymëzuar t’ia shpreh unë.
– Dashuria më shumë të frymëzon apo bën të kundërtën?
– Nuk më frymëzon vetëm dashuria. Më frymëzon çdo gjë që shoh…
– Më shumë ke lënduar apo të kanë lënduar?
– Të jem i sinqertë, më shumë kam lënduar.
– Kur vajza që të ka lënduar, kërkon që ta falësh, ti fal apo merr hak?
– Lum ata njerëz që arrijnë të falin sepse s’është mirë të kemi urrejtje në shpirt, por unë jam nga ata fatkeqët, nuk fal. (Qesh)
– Je ulur në një lokal dhe në tavolinën tënde ndodhet vetëm një trëndafil… Cilat do ishin dy vargje që do të të vinin ndërmend në atë moment?
– “Kush të ka lënë vetëm, pa një emocion dhurimi
apo erdhe për t’më treguar se kujt t’ia dhuroj, nuk kam asnjë
shëtit nëpër të gjithë zemrat e femrave
kaq i bukur sa je, më gjej ti një” (Qesh)
– Pas këtij klipi, a ke patur kërkesa nga këngëtaret për të të patur protagonist në klipet e tyre?
– Jo.
– Nëse në vend të vajzës në klip do kishe Kim Kardashianin, a do ishte më hot skenari?
– Sigurisht që po dhe unë do kisha kushedi sa milion dollarë. (Qesh)
– Çfarë do të bëje për të bërë xheloz Kenju Uestin?
– Do t’i tregoja ndonjë nga femrat shqiptare, më të bukur se Kimi.
– Ti beson shumë në Zot dhe mua më vjen mirë për këtë. Më thuaj një situatë, moment kur je bindur plotësisht se Zoti ekziston dhe bën mrekulli?
– Mjafton të shihesh në pasqyrë, të shikojmë veten tonë në atë që Zoti ka bërë te ne dhe me pak fare logjikë, mund të bindemi se Zoti ekziston dhe ne jemi mrekullia e tij. Çdo gjë në tokë është e përulur para nesh.
– Nëse përballë do të kishe një ateist, do mundoheshe ta bindje patjetër për ekzistencën e Zotit apo do ta lije në injorancën e tij?
– Zoti, kë do, e udhëzon në rrugën e drejtë. Çdokush ka bindjen e tij, por s’do të këmbëngulja shumë sepse s’kam aftësinë e duhur dhe informacionet në nivelin e duhur, që të përballem me një ateist e të arrij ta bind në bisedë.
– Shumë personazhe të njohur shqiptarë, duke ndjekur shembullin e të huajve, thuhet se në këmbim të famës dhe suksesit, janë bërë pjesë e Iluminatit. Cili do të ishte komenti yt në këtë rast?
– Ata e kanë dënuar veten përjetë me shitjen e shpirtit. Jeta s’është famë, sukses dhe para, të paktën për mua.
– Industria muzikore në përgjithësi po përfshihet gjithnjë e më shumë në vorbullën e Iluminatit. Ti që je pjesë e muzikës, e ndjen frikën se në një moment mund të bindesh të bëhesh pjesë e tij?
– Asnjëherë.
– Di që pjesë e Iluminatit bëhen persona që posedojnë pushtet dhe gjendje shumë të mirë ekonomike. E ke idenë se cili mund të jetë shqiptari që është pjesë e tyre?
– S’e kam idenë kush është pjesë e Iluminatit që ka famë botërore. Artistët shqiptarë akoma s’kanë depërtu në Europë, kështu që s’besoj të ketë ndonjë prej artistëve shqiptarë.
– Nëse të kërkoj të më thuash gjithçka rreth teje, çfarë do më thoje?
– Rri një jetë tek unë e do të më njohësh.
– Mumajesi… Çfarë lidhjeje ke me Florin?
– Me Florin jemi kushërinj.
– Ma përshkruaj pak, si është të punosh me Florin?
– Florin e kam patur frymëzim dhe objektiv për të arritur të punoj me të. Të punosh me Florin është ëndërr për shumicën e të rinjve në muzikë. Kam parë nga afër mënyrën si punon, përkushtimin e tij në çdo këngë, ta shikosh live si e krijon një këngë, si e punon, kërkesën e llogarisë, e cilësisë në tekst etj. Mbi të gjitha, është shumë energjik edhe nëse kanë kaluar orë në studio e po zbardh.
– Të pëlqen jeta jote siç është tani?
– Deri diku.
– Cili është krijimi yt më i fundit?
– Krijimin tim të fundit e kam në kokë dhe akoma s’jam ulur ta punoj, ndërsa ndër ato që janë publikuar, është kënga ime.
– Si tekstshkrues, merr më shumë shpërblim monetar apo kënaqësi shpirtërore?
– Kënaqësi shpirtërore.
– Komentet më të zakonshme që dëgjon rreth teksteve të tua…
– Kanë qenë pozitive dhe shumë njerëz gjejnë veten në to. Te kënga e fundit, më kanë bërë për një lek! (Qesh)
– Si është Endriti tjetër, jo ai që shkruan tekste?
– I thjeshtë dhe i dashur.
– Cili ka qenë gabimi që të ka bërë të mësosh më shumë gjëra në jetë?
– T’i besosh dikujt me sy mbyllur e të bësh shumë për të.
– Gjëja më e bukur që të kanë parë sytë?
– Kurani.
– Cila është idea jote për Parajsën?
– Parajsa është mbi atë që ne imagjinojmë. Uroj dhe lutem për veten, për familjen e për shoqërinë që të jemi pjesë e saj, me mëshirën e Zotit.
– Në shoqërinë tënde ke më tepër miq apo mikesha?
– Miq.
– A beson në miqësinë mes një mashkulli dhe një femre?
– Jo.
– Nëse mbyll sytë tani, çfarë sheh?
– Dikë…
– Nëse kjo bisedë apo ndonjë detaj i saj do të të frymëzonte për tekst, me çfarë vargjesh do ta mbyllje intervistën?
-“Sa fjalë duhen thënë që ashtu siç je të t’njohin
Por dhe nëse s’pushoj së foluri
jo të gjithë arrijnë të kuptojnë përtej asaj çka shohin”
Advertisement