Kryeministri Edi Rama, sapo ka publikuar ne Facebook shenimin e meposhtem: Nuk është e habitshme se si flasin sikur kanë rënë nga qielli, jo nga pushteti. Prandaj nuk është e habitshme dhe pse vazhdojnë të jenë përfaqësuesit publikë të jetës së ulët që, deri dje, i’a imponuan një populli të tërë me forcën brutale të pushtetit që kishin. Po ashtu, prandaj edhe nuk është e habitshme se pse sot, s’u beson dot askush që i ka sytë në ballë e mendjen në vend. Nganjëherë madje, duket açik që as ata vetë s’i besojnë vetes kur u flasin të tjerëve.
Morën nga populli në zgjedhje atë që merituan, mu ashtu siç e merituan. Por natyrisht jo për të qenë edhe në opozitë, po aq të ulët sa ç’ishin në pushtet në raportet e tyre me të vërtetën, me kombin, vendin, njerëzit apo dhe me kundërshtarët në fund të fundit; po për të qenë zëri i fortë qortues i Shqipërisë ndaj qeverisë dhe alternativa e re qeverisëse e këtij vendi. Pikërisht pse nuk janë të tillë, po kanë mbetur të atillë siç ishin kur lanë pushtetin, janë sot opozita më e dobët, më e sajuar, më pa besueshmëri që mbahet mend në Shqipëri. Dhe e para opozitë që kokën e ka në shtëpi dhe trupin nën shtëpinë e kokës.
Kanë ikur nga parlamenti me ca arsye të vajtueshme për partinë që lindi nga një rebelim studentor kundër komunizimit; që ka qeverisur vendin 13 vjet nga 24 që kemi në pluralizëm; që është partia e dytë më e madhe në Shqipëri. Janë mbyllur në Shtëpinë e Oficerëve e për fat të keq, i ka zënë sëmundja ngjitëse e asaj godine, ku izolimi nga shoqëria dhe fryrja butaforike janë simptomat më të qarta. Janë hapur në rrjetet sociale, ku janë shkrirë e bërë një me kategorinë e atyre që përdorimin e fjalëve të pista e jetojnë si shprehjen më domethënëse të trimërisë. Bubullojnë para çdo mikrofoni për gjëmat e hatatë që po i ndodhin orë e çast Shqipërisë, duke recituar me patetizëm luftarak ca deklarata që tek veshët e publikut mbërrijnë si zhurma e prodhuar nga njeriu prej overdozës së fasuleve. Dhe ah po, nuk harrojnë që në fund të çdo bubullime kësisoji të ftojnë shqiptarët në protesta!
Nuk po u qaj hallin, përkundrazi, dhe nuk dua që ndokush të kujtojë se po më vjen keq për ta apo se, akoma më keq, po mendoj si duhet rilindur opozita. Keq më vjen dhe shumë, për një gjë tjetër, shumë më të rëndësishme se sa si shkojnë punët në Shtëpinë e Oficerëve të opozitës. Më vjen keq që s’kemi opozitë, që s’jemi të sfiduar me asnjë vizion alternativ, asnjë program konkurues, asnjë projekt të ri politik. Madje sinqerisht, me asnjë ide të vetme që do të na vinte në pozitë para publikut si më e mire apo më tërheqëse për njerëzit se sa e jona. Zero!
Ky është shqetësimi që desha ta ndaj publikisht, në vend të replikave me opozitën e munguar. Sepse unë hyj tek ata që besojnë se një opozitë e dobët është fatkeqësi për qeverinë dhe pa një opozitë të besueshme, mund të jetë shumë më e lehtë ta mbash pushtetin por është padyshim, shumë më e vështirë ta përdorësh atë deri në fund për të bërë në vijimësi gjërat e duhura.