“Dance with Me” ka bërë që të kërcejnë edhe ata njerëz, të cilët nuk e kanë menduar kurrë se mund të kishin lidhje me kërcimin e jo më të kërcenin në një shou. Njëri prej tyre e ka provuar skenën, por jo atë të kërcimit. Ai është aktori Devis Muka. Me dhjetëra janë rolet e Devisit në skenën teatrore, por edhe teatri i Klanit me skenën e “Dance vvith Me”, duket se po i fal mjaft kënaqësi, aq sa nuk i iket nga provat. Bashkë me këngëtaren Olta Boka, ata të dy, duket se kanë formuar një çift perfekt. Kimia mes tyre, pa dyshim, merr notën 10. Por, cila ka qenë përshtypja e parë, pasi çifti është prezantuar? Devisi rrëfen: “Sa e shkurtër!”, thashë unë. “Sa i gjatë!”, tha ajo. Dhe, batutat e Devisit nuk mbarojnë me kaq; thjesht, fillojnë me kaq.
Enkeleda Kurcani: – Devis, ti dhe Olta jeni një ndër çiftet më të mira në “Dance vvith Me”. Falë teje apo falë Oltës?
Devis Muka: – Falë Oltës, sigurisht. Olta është befasi, jo vetëm për mua, por për të gjithë. Ama, të gjithë ne, pa përkushtimin e mjeshtrit Albi Nako, thjesht do tundeshim në skenë dhe nuk do kërcenim.
– Si e prite propozimin që të erdhi?
– Normale që u befasova, pasi unë realisht nuk ia them fare, po fare, për të kërcyer.
– Të gjithë thonë se “nuk mund t’i thuash “Jo” Verës!”… Kaq bindëse është?
– Vera është shumë bindëse, por unë më shumë duhet të luftoja me “jo”-të që më thoshte vetja, pasi, realisht, e kam pasur shumë të vështirë të bëja diçka që ishte jashtë natyrës sime.
– Po kur e more vesh që do ishe në dyshe me Oltën, çfarë mendove?
– “Sa e shkurtër!”, thashë unë. “Sa i gjatë!”, tha ajo.
– E njihje më parë Oltën?
– Oltën e njihja si mikeshë të miqve të mi, por e njihja dhe si këngëtare të vërtetë, ndryshe nga xhungla e muzikës që është në Shqipëri.
– Këtë sfidë e ke marrë seriozisht apo thjesht për t’u zbavitur?
– Zbavitem, duke e marrë seriozisht. Nëse do të ishte thjesht zbavitje pa seriozitet, mund të kërceja edhe te dhoma ime.
– Çfarë i the vetes, ditën e parë që shkove në prova?
– “Kur do mbarojnë provat, se vdiqa!”, ndërsa tani nuk më vjen të iki, më është bërë si shtëpia e parë. Shtëpinë time e kam harruar fare.
– Cili është kërcimi yt i preferuar?
– Deri tani, të gjithë, pasi Albi është përpjekur të sjellë në skenë copëza arti dhe jo thjesht kërcime.
– Sa selfie ke bërë deri më tani në spektakël?
– Jo aq sa duhet. Jam mbrapa me numrin e selfieve, por do filloj të kërcej edhe me celularin.
– Sa herë jeni shpallur mbret e mbretëreshë ju të dy?
– Deri tani, dy herë, por sapo mbaroi gjysma e spektaklit dhe, çmimet më shumë na rrisin përgjegjësinë sesa rehatinë. Do përpiqemi të sjellim kërcime edhe më të mira.
– Cili është çifti yt i preferuar?
– Të gjithë! Të gjithë bashkë jemi një çift i vetëm dhe, realisht, nuk kemi qëllime të tjera veçse të kërcejmë.
– Nëse do të duhej t`u vije pikë anëtarëve të jurisë, për mënyrën se si ata ju vlerësojnë juve, sa pikë do të jepje për secilin prej tyre?
– Secili në rolin e vet, po jep më të mirën. Edhe ata, si ne, kërcejnë bukur me vlerësimet e tyre. Prandaj të vazhdojnë kështu, se po e bëjnë shumë mirë punën e tyre.
– Do ishte më mirë që balerina të ishte profesioniste, apo më mirë që jeni të dy amatorë?
– Kjo është e bukura e këtij formati dhe, kjo është arsyeja përse të gjithë, të hënave, harrojnë gjithçka dhe shikojnë “Dance vvith Me”. Unë kam provuar të kërcej me balerina dhe është njësoj si t`i japësh makinës me sy mbyllur.
– Sa të ka penguar në profesionin tënd, pjesëmarrja në këtë garë?
– Sigurisht që shumë. Unë e kam parim pune që, nëse nis diçka, duhet të harroj gjithçka. Aktrimin e kam mbyllur në zemrën time dhe tani, veç kërcej.
– Ka ndonjë mikeshë që bëhet xheloze për Oltën dhe afrimitetin që kërkon kërcimi?
– Xheloze është bërë vetëm skena, pasi i kam hequr vëmendjen asaj dhe po ia jap Oltës.
– Jeni çifti që, sipas jurisë, keni më shumë kimi. Ka patur ndonjë reaksion mes jush?
– Ku ka kimi, ka edhe reaksion kimik. Ju siguroj që nuk shkon gjithçka vaj. Nëse do të bësh gjëra të mira, edhe duhet të debatosh fort, por sheshohet shpejt gjithçka, pasi qëllimi është i njëjtë: Të sjellim më të mirën.
– Nga kush i merr kritikat dhe vlerësimet e para?
– Olta, direkt sa mbaron kërcimi, më jep vërejtjet e para. E kam juri personale.
– Cili ka qenë vlerësimi dhe cila kritika më me vend?
– Kritika është vlerësimi më i mirë. Nuk i mbaj mend të gjitha, por kritika me vend dhe veshët që e dëgjojnë mirë atë, i bëjnë mirë gjithsecilit.
– Mendon se do të të mungojnë situatat e këtij spektakli, pasi të ketë mbaruar?
– Shumë, nëse e mendon. Është një nga eksperiencat më të bukura për të gjithë ne.
– Nga një eksperiencë e re, gjithnjë fitojmë diçka. Veç kërcimit, çfarë ke fituar këtu?
– Miq të rinj. Në një botë boshe, miqtë e vërtetë janë pasuria më e madhe.
– Cila ka qenë një nga situatat më të bukura që është krijuar gjatë spektaklit?
– Ju siguroj që aty ndodhin nga të gjitha, si në prova, ashtu edhe në spektakël, por situata më e bukur nuk ka ndodhur akoma; prisni dhe do shikoni në vazhdim.
– Devis, përveçse je një aktor i ri, i talentuar, simpatik dhe që tashmë edhe kërcen bukur; çfarë tjetër duhet të dimë për ty? Nga je, si je, pse je…
– Unë jam ai që kam qenë, ai që më kanë njohur njerëzit më parë dhe ai që po më njohin, pa hequr asnjë presje. Përpiqem shumë të jem i vërtetë, pasi njeriu, me kalimin e kohës, ndryshon shumë dhe merr shumë negativitet. Jam i njëjti, veçse tani di të kërcej.
– Ti nuk mungon pothuajse kurrë në shfaqjen e regjisores Elma Dorezi. Je ti aktori i preferuar i Elmës, apo është Elma, regjisorja jote e preferuar?
– Asnjëra nga të dyja; ne jemi si motër e vëlla. Kemi vite që ndajmë bashkë problemet, dështimet dhe sukseset e teatrit. Është marrëdhënie mbi interesin dhe më shumë, mbi dashurinë për teatrin.
– Cila do të jetë shfaqja që do të na mbledhë në teatër për të parë Devisin?
– Shfaqja e radhës do të jetë të hënën në Teatrin Klan, në shfaqjen “Dance vvith Me”!
Advertisement