Një njollë gjigande në sipërfaqen e Diellit ka shpërthyer për të gjashtën herë brenda një jave. Kjo njollë është shumë e madhe, 14 herë sa Toka dhe pothuajse aq e madhe sa Jupiteri. NASA tha se aktiviteti konfirmon që kjo është zona më e madhe aktive e parë në Diell brenda 24 vjetëve të fundit. Edhe stuhi të tjera të mëdha në sipërfaqen e Diellit kanë lëshuar flakë diellore në drejtim të Tokës dhe shumë të tjera do të vijnë paskëtaj. “Duket se është çështje kohe para se të ndodhë një tjetër shpërthim i fuqishëm”, ka thënë një specialist. Ai shtoi se flaka ka ndikuar në valët e radios që përdorin hapësirën e pjesës së sipërme të atmosferës. Kjo përfshin sistemet e radarëve (jo të të gjithëve) të aeroplanëve, si edhe të radiove amatore. Bile shpërthimi i fuqishëm, para se të dobësohej, ka ndërprerë përkohësisht disa komunikime radiosh. Ky eveniment ka pasuar një periudhë të qetë prej disa muajsh. Flaka shkaktohet nga shpërthime masive të Diellit, të shoqëruara me njolla. Shpërthimet e fundit kanë pëtur një fuqi 1.6 milionë herë më të madhe se kombinimi i të gjitha armëve bërthamore të Tokës.
Shpërthimet diellore janë edhe burim i fuqishëm rrezatimi. NASA thotë se “Rrezatimet e dëmshme nga shpërthimi, nuk e kalojnë atmosferën e Tokës për të ndikuar fizikisht te njerëzit në të, por kur janë të fuqishme, mund të ndikojnë në shtresën e atmosferës ku udhëtojnë sinjalet e GPS-ve dhe të komunikimit”.