– Jam D. Haliti, emigrant në Xhenova, e ditëlindjes 6.6.1955. Në Shqipëri kam një vjetërsi në punë me sigurime prej 23 vitesh. Dua të di se kur plotësoj moshën për pension në Shqipëri? Sa pension mund të përfitoj dhe çfarë dokumentesh duhen?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – E nderuar letërshkruese! Bazuar në Ligjin 104/2014, sipas nenit 31 Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji. Duke qenë se ju deklaroni që në Shqipëri keni gjithsej 23 vite, do të përfshiheni në kushte pensioni pleqërie. Bazuar në nenin 43 të ligjit të mësipërm, do ta plotësoni moshën e pensionit në vitin 2015, me datë 06.08.2015, kohë që plotësoni moshën 60 vjeç e dy muaj. Ashtu sikurse mund të jeni në dijeni, me ligjin 104/2014, për çdo vit shtohet mosha e lindjes së të drejtës për pension pleqërie për 2 muaj. Masa e pensionit do të përcaktohet në bazë të formulës së llogaritjes së pensionit P=PS+Sh, ku:
– P. Është masa e pensionit mujor;
– PS. Është pensioni social, masa e të cilit është jo më e lartë sesa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive;
– Sh. Është shtesa vlera e secilës është 1 % e vlerës së bazës së vlerësueshme për çdo vit, e cila përfaqëson raportin e kontributeve mesatare në vitin aktual, me kontributet mesatare të viteve të mëparshme. Kështu, në rastin tuaj, masa e pensionit do të jetë e barabartë me pensionin social, plus shtesën e cila është si shumëzimi i viteve të vjetërsisë kontributive (në rastin tuaj, 23 vite) me bazë e vlerësuar. Bazuar në nenin 59 të këtij ligji, baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve është raport i shumës së pagave për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit, nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994, deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Dokumentet që duhet të përgatisni, do të jenë:
1. Kërkesë pensioni (është modular për t’u plotësuar)
2. Deklaratë për vitet e punës (modular për t’u plotësuar, për të gjitha periudhat e punuara fillim-mbarim).
3. Fotokopje të kartës së identitetit, ose certifikatë personale me fotografi.
4. Certifikatë familjare.
5. Certifikatë martese (për efekt mbiemri të vajzërisë, që mund të jetë në dokumentacionin e vjetërsisë së punës)
6. Libreza e punës origjinale dhe libreza e kontributeve pas vitit 1993 (nëse e dispononi)
7. Vërtetim i pagave sipas modularit përkatës, në rast se keni punuar mbas vitit 1993.
8. Dy fotografi, për efekt libreze.
9. Fotokopje e librezës së pagesave të energjisë elektrike.
10. Diploma e shkollës së lartë (në rast se keni studiuar me shkëputje nga puna).
Pra, e nderuara zonja Haliti, personalisht apo personi i prokuruar nga ju mund të paraqitet në zyrat tona, ku do t’ju ndihmojmë konkretisht për të gjitha procedurat e aplikimit. Mund të na komunikoni me telefon në nr. 0665708074 ose email: N.Balluku@inas.it, nballuku@yahoo.it dhe b.aliaj@inas.it Adresa jonë është: Rr. “A.Z.Caupi” Pallati nr. 7, kati I, Tiranë. Të gjitha shërbimet tona janë pa asnjë pagesë. Ju falënderoj për besimin.
Advertisement